Vriten tre policë në Francë, sulmuesi gjendet i vdekur

Personi i armatosur u gjet i vdekur pasi qëlloi tre oficerë policie në Francën qendrore kur ata iu përgjigjen thirrjes për dhunë në familje, konfirmoi sot një zyrtar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Incidenti ndodhi afër qytetit Saint-Just rreth mesnatës pasi policia mori një telefonatë në lidhje me një incident të dhunës në familje. Kur arritën në shtëpi, oficerët u sulmuan nga burri i armatosur i moshës 48-vjeçare.

Rreth incidentit janë duke u zhvilluar hetime, pasi personi i armatosur dhe motivi rreth sulmit mbeten ende të panjohur.

Ministri i Brendshëm, Gerald Darmanin njoftoi në Twitter se “i çmenduri ka vdekur”.

Presidenti Emmanuel Macron derisa u jepte homazhe oficerëve të rënë i shpalli ata “heronjtë tanë”.

“Ata ndërhynë për të shpëtuar një grua viktimë e dhunës në familje në Puy-de-Dome. Tre oficerë u vranë, kurse polici i katërt u plagos. Kombi bashkohet në dhimbjen e familjeve. Për të na mbrojtur, forcat tona veprojnë duke rrezikuar jetën e tyre. Ata janë heronjtë tanë”, shkroi ai në Twitter.

Brigade Arno Mavel, 21-vjeç, u plagos rëndë dhe iu nënshtrua plagëve, ndërsa oficeri tjetër u plagos në kofshë dhe u dërgua në shërbimet e urgjencës.

Dy oficerë të tjerë togeri Cyrille Morel, 45-vjeç dhe oficeri Remi Dupuis, 37-vjeç, të cilët ishin nisur në drejtim të shtëpisë u gjetën gjithashtu nën zjarr dhe u plagosën për vdekje, thuhet në njoftimin nga Ministria e Brendshme.

Darmanin, i cili tha se po udhëtonte për në vendin e sulmit, megjithatë nuk specifikoi kushtet në të cilat vdiq personi i armatosur. Ai dyshohet se dogji shtëpinë. Dyshohet për vetëvrasje pasi trupi i tij dyshohet se u gjet në makinën e tij, njoftoi kanali lokal BFMTV.

Hetimi fillestar zbuloi se personi që kishte qëlluar ishte i njohur për policinë për “mospagimin e ushqimit, lidhur me martesën e mëparshme”, thuhet më tej në raport.

Incidenti po trajtohet si rast i dhunës në familje dhe jo si sulm terrorist.

Përforcime shtesë deri në 300 ushtarë, përfshirë forcat elitare GIGN të rezervuar për operacionet antiterror u dërguan në vendin e ngjarjes për operacionin gjatë natës.