Vriten tre kolonë të paligjshëm izraelitë në Bregun Perëndimor

Mjekët izraelitë njoftuan se tre kolonë të paligjshëm izraelitë u vranë dhe gjashtë të tjerë u plagosën në një sulm me të shtëna në Bregun Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu.

Shërbimi i ambulancës Magen David Adom tha se dy nga të plagosurit ishin në gjendje të rëndë.

Transmetuesi publik izraelit KAN tha se sulmi kishte në shënjestër një autobus që transportonte kolonë të paligjshëm izraelitë dhe dy makina pranë vendbanimit Kedumim në pjesën veriore të Bregut Perëndimor.

Ushtria izraelite ka dërguar forca të mëdha për të kërkuar sulmuesit, ndërsa akoma askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Tensioni është përshkallëzuar në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar për shkak të luftës gjenocidale të Izraelit në Rripin e Gazës, ku ka vrarë më shumë se 45.800 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, që nga 7 tetori 2023.

Të paktën 838 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 6.700 janë plagosur nga ushtria izraelite në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.

Në nëntor, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​urdhërarreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij vdekjeprurëse në enklavë.