Autoritetet e reja të udhëhequra nga kryengritësit e Sirisë thonë se 14 pjesëtarë të ministrisë së Brendshme janë vrarë dhe 10 janë plagosur në një “pritë” nga forcat besnike të presidentit të rrëzuar Bashar al-Assad në perëndim të vendit.
Ata thonë se luftimet u zhvilluan pranë portit mesdhetar të Tartous të martën, raporton BBC.
Raportet thonë se forcat e sigurisë u zunë pritë teksa u përpoqën të arrestonin një ish-oficer në lidhje me rolin e tij në burgun famëkeq Saydnaya, afër kryeqytetit Damask.
Pak më shumë se dy javë më parë, presidenca e Assadit ka rënë në duart e forcave kryengritëse të udhëhequra nga fraksioni islamik Hayat Tahrir al-Sham (HTS).
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut (SOHR) me bazë në Mbretërinë e Bashkuar ka thënë se tre militantë u vranë gjithashtu në përleshjet.
SOHR ka shtuar se forcat e sigurisë më vonë kishin sjellë përforcime.
Ofensiva e rrufeshme e udhëhequr nga HTS-ja që filloi nga verilindja e Sirisë dhe u përhap në të gjithë vendin i ka dhënë fund sundimit më shumë se 50-vjeçar të familjes Assad.
Assad dhe familja e tij u detyruan të iknin në Rusi.
Që atëherë, HTS-ja ka premtuar të mbrojë të drejtat dhe liritë e shumë pakicave fetare dhe etnike në Siri.
HTS-ja është e përcaktuar si një organizatë terroriste nga OKB, SHBA, BE, MB dhe të tjerët.
Të martën, protestat shpërthyen në vend për djegien e një peme të Krishtlindjes, duke nxitur thirrje të reja për autoritetet e reja për të mbrojtur pakicat. /koha