Vriten dy ushtarë të tjerë izraelitë në luftimet në Gazën veriore

Foto nga arkiva

Ushtria izraelite njoftoi se dy ushtarë izraelitë u vranë dhe dy të tjerë u plagosën rëndë në përleshjet me luftëtarët palestinezë në pjesën veriore të Rripit të Gazës, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë të ushtrisë izraelite, njëri nga ushtarakët e vrarë është identifikuar të jetë kapiteni Eitan Shiknazi, një zv.komandant kompanie në Batalionin 932 të Brigadës Nahal, ndërsa emri i tjetrit ushtarë do të publikohet më vonë.

Dy të tjerët që mbetën të plagosur rëndë janë nga i njëjti batalion dhe janë dërguar në spital, thuhet në deklaratë, pa dhënë detaje rreth rrethanave të ngjarjes vdekjeprurëse.

Gjithsej, sipas shifrave ushtarake, janë vrarë të paktën 826 ushtarë izraelitë dhe 5.578 të tjerë janë plagosur që nga shpërthimi i konfliktit të Gazës në 7 tetor, 2023.

Ushtria izraelite ka vazhduar një luftë gjenocidale në Gaza duke vrarë më shumë se 45.850 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, që nga sulmi ndërkufitar i grupit palestinez Hamas në 7 tetor 2023, pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.

Në nëntor 2024, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​urdhërarreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij vdekjeprurëse në Gaza.