Të paktën 19 palestinezë janë vrarë ndërsa shumë të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve të ushtrisë izraelite ndaj zonave të ndryshme të Rripit të Gazës, raporton Anadolu.
Në një deklaratë nga Drejtoria e Mbrojtjes Civile thuhet se 9 persona nga tre familje humbën jetën dhe shumë të tjerë u plagosën pasi ushtria izraelite shënjestroi shtëpitë e familjeve Abu Shanab, Kiyyali dhe Al-Lawh në lagjen Sabra në jug të Gazës.
Sipas informacionit të marrë nga burimet shëndetësore, 3 persona humbën jetën si pasojë e shënjestrimit të dy motoçikletave nga mjetet ajrore pa pilot (dronët) e Izraelit në jug të Rripit të Gazës. Në dy sulme të ndryshme që ushtria izraelite kreu ndaj qytetit Rafah dhe qendrës së qytetit të Gazës, humbën jetën 6 palestinezë dhe u plagosën shumë të tjerë.
Gjithashtu një person humbi jetën dhe ka patur të plagosur në sulmin që Izraeli kreu me dron në qytetin Deir Al-Balah në pjesën qendrore të Rripit të Gazës.
Në sulmet e ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 janë vrarë 45.129 palestinezë, përfshirë 17.492 fëmijë dhe 11.979 gra ndërsa 107.338 persona të tjerë u plagosën. Nën rrënoja ende ka mijëra të vdekur ndërsa po shkatërrohet infrastruktura civile duke synuar spitalet dhe institucionet arsimore ku njerëzit janë strehuar.