Vriten 150 muslimanë nga ushtria e Mianmarit

Sipas raporteve më të fundit, ushtria e Mianmarit ka sulmuar të mërkurën rajonin Rohing duke masakruar të paktën 150 muslimanë rohingia.

Organizata Kombëtare e Muslimanëve Rohingia me bazë në Londër, bëri të ditur se qeveria e Mianmarit po pengon vajtjen e gazetarëve dhe të ekipeve mjekësore në vendin e masakrës për të fshehur gjurmët e këtij krimi çnjerëzor.

Dje, qeveria e Mianmarit konfirmoi se gjatë ditëve të fundit, në përleshjet mes muslimanëve dhe ushtrisë së këtij vendi janë vrarë mbi 70 muslimanë rohingia dhe 17 ushtarë të Mianmarit.

Masakra e së mërkurës kundër popullsisë së pambrojtur muslimane në Mianmar cilësohet si një hakmarrje e ushtrisë së Mianmarit, e cila në mënyrë sistematike kryen sulme makabre kundër popullsisë muslimane. OKB deklaroi se shumë krime që kryhen kundër popullsisë muslimane në Mianmar konsiderohen si krime luftë dhe krime kundër njerëzimit.