Vrimat e zeza në organizimin islam

Edin Tule

Xhamitë që në brendinë e tyre kishin xhemate apo ekipe të tilla kanë qenë fanarë të aftë që të akumulojnë sasi të mjaftueshme të erës në gjirin e tyre duke udhëhequr shoqëri të tëra myslimane në ardhmëri të shkëlqyer.

Xhamitë e periudhës osmane të ndërtuara kudo në botë, por edhe te ne, janë një kujtim i bukur i një periudhe të rëndësishme të progresit të iniciuar nga mendjet ambicioze dhe entuziaste të myslimanëve të asaj kohe.
Duke marrë parasysh funksionin e tyre, me objektet përcjellëse të inkorporuar bukur (medrese, musafirhane, konakë, mejtepe) me përbërje të pasur, me një arkitekturë mahnitëse, mund të themi me plot të drejtë se ato objekte kanë qenë sensacion dhe simbol i prosperitetit kohor.
Duke vështruar p.sh. eksterierin e Xhamisë së Hadumit, këtë godinë madhështore arkitektonike me dimensione të mëdha, njeriu ndien një refleks të qetësisë, bukurisë dhe rahatisë shpirtërore.
Psikologjia moderne na mëson që njeriu së bashku me qëndrimet e tij, traditat, e formon edhe mjedisin i cili e rrethon.
Xhamia apo mesxhidi është i menduar si pikë qendrore ku bashkohen myslimanët, e që është edhe kuptimi literar (arab. – xhami) me qëllim të organizimit, edukimit, lutjes dhe punës ekipore. Ekipi, apo grupi ekipor sipas definicionit, është një grup njerëzish i cili takohet rregullisht, konsultohet reciprokisht, e njeh bukur detyrën, kryen ndarjen e rregullt të detyrave dhe në mënyrë të sinkronizuar synon të arrijë qëllimet afatshkurtra dhe afatgjata duke dhënë secili individ mundin maksimal.
Shembulli më i mirë i këtyre ekipeve të xhematit janë ekipet sportive.
Xhamitë që në brendinë e tyre kishin xhemate apo ekipe të tilla kanë qenë fanarë të aftë që të akumulojnë sasi të mjaftueshme të erës në gjirin e tyre duke udhëhequr shoqëri të tëra myslimane në ardhmëri të shkëlqyer.
Por, ajo që sot kemi në shumicën e xhamive në tërë botën islame mund ta përshkruajmë me fjalën grumbull (grup). Ndërsa grumbulli, sipas definicionit, është një grup njerëzish i afërt në një hapësirë të caktuar, në afat të caktuar kohor, me një interaksion sipërfaqësor, me një rrjedhë njëkahëshe të informatave, pa kurrfarë ndarjeje të punës dhe me një lidhje të pamjaftueshme ndërmjet tyre. Shembulli i këtyre grumbujve mund ta shohim p.sh. në aeroplanë, në teatër, tramvaj, autobus, tren etj..

Duke vështruar nga ky kënd, nuk ka fare ndryshim në mes të grupit, i cili për çdo të premte kalon gjysmë ore në xhami duke dëgjuar një ligjëratë të mërzitshme dhe uniforme të ligjëruesit dhe grumbullit të njerëzve i cili udhëton me tramvaj prej një vendi në një vend tjetër duke dëgjuar një përmbajtje edukative të caktuar nga radioja, duke jetuar në iluzion se ky grumbull punon diç të dobishme.
Xhamitë me këtë mentalitet dhe praktikë janë “kasaphane” potenciale ose dhoma të gazeve për të ngulfatur çdo iniciativë apo vrima të zeza të cilat në kreativitet të avangardës së re janë të ndërtuara në frikë dhe padituri të liderëve.
Liderët e vërtetë krijojnë që në fillim njerëz, gjegjësisht liderë të vërtetë potencialë.
Pejgamberi a.s. është shembulli më i mirë për këtë, i cili në haxhin lamtumirës para turmës së njëqindmijë njerëzve haptas dhe drejtpërdrejt kërkoi informatën kthyese nga auditoriumi i shumtë me pyetjen: “…A ju komunikova shpalljen?”, duke dëshiruar mendimin, komentin apo mospajtimin eventual pas së cilës pasoi përgjigjja vërtetuese. Vallë, a ka diku në ndonjë vend, shtet islam apo më gjerë që imami pas hytbes së xhumasë, para se të zbresë nga mimberi, të kërkojë mendimin apo informatën pohuese nga auditoriumi?
Xhamitë e kohëve tona janë bërë teatro pa repertor të mirëfilltë, me paraqitjen amatoreske të imamëve, të cilët janë në trendin e thellë të pa arsimimit.
Xhamitë zakonisht i vizitojnë pleqtë në prag të fundit të jetës së tyre, pa vizion dhe plan, me një refleks indiferent.
Myslimanët potencialë, të caktuar me intelekt kritik, ose heshtin ose nuk vijnë në xhami, për të mos i identifikuar me arkitekturën e xhamive.
Pyetjet që paraqiten para nesh:
1. A kërkon shekulli XXI një arkitekturë më atraktive dhe më të freskët e cila sipas funksionit do t’i përgjigjet nxitjeve teknologjike të kohës e cila vjen?
2. Si t’i bëjmë xhamitë si potencial për ardhmërinë e avangardës rinore?
3. Si ta formojmë frymën ekipore të xhematit, e jo të jemi grup apo masë e paorganizuar, pa plan program dhe detyra e obligime?
4. Cilat janë ato programe, faktorë argëtues dhe elemente motivuese që xhamisë do t’ia kthejnë epitetin e saj nga e kaluara – busulle e shoqërisë myslimane?
5. Përse askush nga ju pas hytbes, nuk pyet asgjë ditën e xhumasë?
Po cila është zgjidhja atëherë? NUK MË SHKON NDËRMEND TË MENDOJ NË VENDIN TUAJ!

Prof. dr. sc. Edin Tule
Përktheu dhe përshtati: Prim. dr. med. sc. Ali F. Iljazi (r.a)
Dituria Islame 378