Vrau një person me sëpatë dhe plagosi tjetrin me armë, policia në Pejë jep detajet

Një person është vrarë në qytetin e Pejës, deri sa një tjetër ka mbetur i plagosur pasditen e sotme në rrugën “Muharrem Kelmendi”.

Lidhur me rastin, policia e rajonit të Pejës ka bërë me dije personi ka mbetur i vdekur pas lëndimeve të shkaktuara nga goditja me sëpatë.

Më poshtë gjeni detajet në komunikatën e policisë:

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria Rajonale e Policisë Kosovës Pejë, Njësia Rajonale e Hetimeve, në bashkëpunim edhe me njësite tjera policore, sot më datë 14 shtator 2017 ka arrestuar personin e dyshuar shtetasin F. Ll.( 1971) për shkak të dyshimit bazuar se ka kryer veprën penale të Vrasjes së shtetasit I.G.(1936) dhe plagosjes së shtetasit F.G.(1985).

Policia e Kosovës sot rreth orës 15:10 ka pranuar informacion se në rr.” Muharrem Kelmendi” në Pejë, kishte një incident me persona të plagosur. Njësitet policore kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe në lokacione tjera të nevojshme.

Sipas të dhënave hetimore, mësohet se i dyshuari pasi që e ka kanosur viktimën I.G., të njëjtin e ka qëlluar me sëpatë në kokë, me ç’rast viktima është transportuar me ndihmën e qytetarëve deri në Spitalin rajonal në Pejë dhe përkundër përpjekjeve të ekipit emergjent mjekësor për t’i shpëtuar jetën i njëjti ka ndërruar jetë në ora 16:04.

Ndërsa viktima tjetër F.G. është hasur nga policia në vendin e ngjarjes, në një pozitë gjysmë të shtrirë me një pistolete në dorë, ai kishte dy plagë nga arma e zjarrit. Policia e çarmatos personin dhe njofton autoambulancën e cila nga vendi i ngjarjes e transporton viktimën ne spitalin rajonal Pejë.

Policia pastaj lokalizon dhe arreston personin e dyshuar nga i cili e konfiskon armen me të cilen është plagosur viktima F.G.,po ashtu ka konfiskuar mjetin (sëpatën) me i cilën është plagosur viktima I.G.(tani i vdekur)

Sipas njoftimit mjekësor gjendja shendetsore e personit plagosur është e rëndë, por stabile. Rasti është duke u hetuar nga hetuesit rajonal DRP Pejë, në bashkëpunim të plotë me prokurorin e shtetit.

/Indeksonline/