Vrau dy vëllezërit në fshatin Kosuriq të Pejës, i akuzuari dënohet me 23 vite burgim

Binak Panxha është dënuar nga Gjykata e Pejës për vrasjen e dy vëllezërve Arsim dhe Ramiz Berisha, me dënim me burgim me 23 vjet.

Gjykata Themelore në Pejë –  Departamenti për Krime të Rënda ka shpallë  aktgjykim dënues ndaj të pandehurit B.P për shkak se:  Me datë 21.07.2018, rreth orës 21:30 minuta, ne pyllin mbi fshat, i cili pyll është pronë e familjes së të pandehurit, për shkak të mosmarrëveshjeve të atëçastshme, për shkak të prerjeve të pyllit, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerët, vëllezërit R.B dhe A.B, në atë mënyrë që tani të ndjerët R dhe A.B së bashku me shokun e tyre, dëshmitarin J.G, rreth orës 21:00, ishin nisur me dy qerre me kuaj në pyll për të prerë dru dhe pasi arrijnë në afërsi të pyllit, duke ditur se pylli është i huaji, pronë e të pandehurit, i lenë qerret me kuaj buzë rrugës dhe dëshmitari J.G së bashku me R.B hyjnë në pyll dhe pasi nuk vërejnë asgjë R i thotë J “shko merre kalin me qerre dhe A dhe të fillojmë me pre dru” dhe pasi J.G është nisur në drejtim të qerres dhe A pasi kishte kaluar 10 metra ka dëgjuar R duke biseduar me dikë e i cili i është drejtuar R me fjalët “ndal, ndal” dhe pastaj J vrapon në drejtim të A duke i thënë se dikush është në mal dhe A i thotë se “po, po e ndiej” dhe pastaj dëgjojnë kur R ju drejtohet me fjalët, “djema mos hajdeni se gjithçka është në rregull” dhe atëherë A ka bërtitur duke thënë, edhe pse nuk ka vërejtur askënd “kush hamami jeni ju”, dhe në atë moment i pandehuri B nga arma automatike e Ilojit të panjohur shkrep fillimisht tre fishek dhe A niset në drejtim të R dhe në këtë moment i pandehuri përsëri ne rafal gjuan ne drejtim te tyre, gjithsej 11 herë, duke privuar nga jeta tani të ndjerët A dhe R.B dhe pastaj trupat e tani të ndjerëve i largon nga pylli i tyre duke i tërhequr përafërsish 61 metra nga vendi i ngjarjes dhe i vendos në pjesën e cila nuk ka pronar.

Me këto veprime i pandehuri B.P ka kryer vepër penale vrasje e rëndë, nga neni 179 par.1 pika 1.11 të KPRK-së,

Të pandehurit gjykata i shqiptoj dënimin me burg në kohëzgjatje prej njëzetetre (23)  vite,  në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak, e të cilin dënim me burg i pandehuri do ta vuaj pasi që aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm,

I pandehuri u obliguan që në emër të shpenzimeve të procedurës penale, gjykatës të ia paguajnë shumën prej njëqind (100) euro, në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësor,  shumën prej njëqind (100) euro, si dhe në emër të taksës për kompensimin për viktimat e krimit shumën prej njëqind (100) euro, e të gjitha këto në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh pasi që aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.

Për realizimin e kërkesës pasurore juridike, pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest të rregullt civil.

 

Të pandehurit B.P, pas shpalljes së aktgjykimit iu ndërpre arresti shtëpiak dhe iu caktua masa e paraburgimit, e cila masë do të zgjasë deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar.

 

Kundër këtij aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.