Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka njoftuar se ka thirrur një mbledhje urgjente të Këshillit komunal për siguri në bashkësi, pas dy vrasjeve që tronditën qytetin në ditët e fundit.
Idrizi ka theksuar se këto ngjarje kanë krijuar një situatë shqetësuese dhe kërkojnë reagim të menjëhershëm.
Postimi i plotë:
Të nderuar qytetarë të Vushtrrisë dhe të gjithë Republikës së Kosovës.
Dy ditët e fundit kanë sjell ndodhi tragjike që na kanë prekur të gjithëve thellë.
Si kryetar i komunës, nuk kam fjalë të mjaftueshme për të shprehur dhimbjen dhe shqetësimin që ndiej për humbjen e jetëve të tre qytetarëve të komunës tonë.
Ky ka qenë një moment shumë i vështirë për të gjithë ne dhe për komunitetin tonë. Për këtë arsye, direkt kam thirrur një mbledhje urgjente të Këshillit komunal për siguri në bashkësi.
Në këto momente të vështira, ngushëllimet e mia për familjarët e viktimave dhe për të gjithë qytetarët e Vushtrrisë që po përjetojnë këtë dhimbje të papërshkrueshme.
Organet e sigurisë po i trajtojnë këto dy raste dhe ne presim që drejtësia ta thotë fjalën e fundit.
Faleminderit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj.