Shefi i OKB-së për të drejtat e njeriut, Volker Turk, ka deklaruar se vrasja në Gaza e shtatë anëtarëve të organizatës bamirëse ‘World Central Kitchen’ (WCK) me bazë në SHBA “duhet të hetohet në mënyrë të pavarur dhe plotësisht”, transmeton Anadolu.
“Volker Turk dënon vrasjen e ekipit të WCK-së në Gaza. Ashtu si punëtorët e tjerë humanitarë, ata po kryenin punë urgjente për shpëtimin e jetës”, tha zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut në platformën sociale X.
Sipas zyrës, shefi i OKB-së për të drejtat e njeriut i kërkoi Izraelit të respektojë dhe të mbrojë të gjithë punonjësit humanitarë.
“Ekipi i WCK-së po udhëtonte në një zonë pa konflikt me dy makina të blinduara të WCK-së dhe një automjet tjetër”, thuhet në deklaratë.
Pavarësisht koordinimit të lëvizjeve me ushtrinë izraelite, theksohet në njoftim, autokolona u godit teksa po dilte nga magazina e grupit në qytetin jugor Deir al-Balah, ku ekipi kishte shkarkuar mbi 100 tonë ndihma ushqimore humanitare të sjellë në Gaza përmes rrugës detare.
“Ky nuk është vetëm një sulm kundër WCK-së, ky është një sulm ndaj organizatave humanitare që shfaqen në situatat më të rënda ku ushqimi përdoret si armë lufte. Kjo është e pafalshme”, tha shefi i WCK-së, Erin Gore.
Shtatë punonjësit humanitar të vrarë ishin shtetas të Australisë, Polonisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Palestinës, si dhe një shtetas i dyfishtë amerikano-kanadez.