Prokuroria Themelore e Prizrenit ka dhënë detaje shtesë në lidhje me vrasjen e dyfishtë që ka ndodhur dje në këtë komunë.
Prokuroria me anë të një komunikate për media ka thënë se është informuar nga Policia rreth orës 19:30 se në një shtëpi në rrugën “Edit Durham”, në një shtëpi banimi janë gjetur dy trupa të pajetë, shkruan lajmi.net.
Prokuroria ka konfirmuar po ashtu se babai është i moshës 52 vjeçare teksa vajza 21 vjeç.“Me datën 15.12.2020, rreth orës 19:30, jemi informuar nga Policia e Kosovës se në lagjen “Edit Durham”, në Prizren, në një shtëpi banimi janë gjetur dy trupa të pajetë, ku dyshohet se është përdorur arma e zjarrit. Viktimat janë familjarë në mes vete, janë babë e bijë, të moshës 52 vjeçare, përkatësisht 21 vjeçare, ku njëri nga viktimat është zyrtar policor, i policisë kufitare”, thuhet në njoftim.Ata kanë konfirmuar se në vendin e ngjarjes është gjetur një armë, e cila dyshohet se është zyrtare e policisë.“Në vendin e ngjarjes është gjetur një armë e zjarrit e cila dyshohet se është arma zyrtare e policisë. Ngjarja ka ndodhur në ambient familjarë në prezencën e anëtarëve të familjes. Në vendin e ngjarjes ka dalë prokurori kujdestar së bashku me njësitë relevante policore dhe zyrtarët e Inspektoratit Policor të Kosovës. Pas shikimit të vendit të ngjarjes, trupat e pajetë janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Deri më tani nuk dihen rrethanat e rastit, mirëpo Prokuroria dhe Policia janë duke mbledhur informacionin e nevojshëm me qëllim të zbardhjes së rastit dhe rrethanave që kanë quar deri në ngjarjen tragjike”, thuhet në fund të komunikatës për media.