Vrasja e ambasadorit nuk do të ndikojë në raportet Turqi-Rusi

Kryetari i Këshillit Parlamentar për Siguri i Dumës ruse Leonid Slutsky deklaroi se vrasja e ambasadorit të Rusisë në Turqi, Andrey Karlov, gjatë sulmit të armatosur në Ankara nuk do të ndikojë negativisht në marrëdhëniet mes Turqisë dhe Rusisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë Maria Zaharova tha se sulmi i armatosur ndaj ambasadorit të Rusisë në Turqi Andrey Karlov është sulm terrorist dhe se Rusia do të paraqesë rastin në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Do të vazhdojmë luftën kundër terrorizmit”, tha Zaharova para gazetarëve në Moskë.

Ajo theksoi se nevojitet të ngritet hetim dhe të dënohen përgjegjësit për sulmin

Zaharova theksoi se janë në kontakt me zyrtarët turq lidhur me sulmin e ambasadorit rus.

Përkujtojmë se sulmuesi i armatosur i cili sot në Ankara e kreu sulmin ndaj ambasadorit të Rusisë në Turqi Andrey Karlov, është neutralizuar në operacionin policor që pasoi pas sulmit të armatosur.

Shtëpia e Bardhë dënon vrasjen e ambasadorit rus në Ankara

Shtëpia e Bardhë ka dënuar sulmin e armatosur si pasojë e të cilit humbi jetën ambasadori i Rusisë në Ankara Andrei Karlov.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare pranë Shtëpisë së Bardhë, Ned Price ka dhënë deklaratë me shkrim në lidhje me vdekjen e ambasadorit të Rusisë Karlov në Ankara si rezultat i një sulmi të armatosur.

“SHBA-të dënojnë ashpër atentatin ndaj ambasadorit të Rusisë në Ankara Andrei Karlov”, është shprehur Price, duke potencuar se lutjet dhe mendimet e tyre janë me familjen e ambasadorit Karlov, dashamirët e tij dhe të plagosurit e tjerë në incident.

Në deklaratë, Price ka shprehur ngushëllimet për popullin dhe qeverinë ruse. Më tej, në deklaratë thuhet: “Është i papranueshëm sulmi ndaj njërit prej pjesëtarëve të të dërguarve diplomatikë. Jemi së bashku me Rusinë dhe Turqinë në luftën tonë të vendosur kundër çdo lloji të terrorizmit”.

Zhirinovsky: Sulmi mbi ambasadorin provokim ndaj marrëdhënieve Turqi-Rusi

Lideri i Partisë Liberal Demokrate të Rusisë Vladimir Zhirinovsky, tha se sulmi i armatosur mbi ambasadorin rus në Ankara, Andrey Karlov është provokim ndaj marrëdhënieve Turqi-Rusi.

Zhirinovsky në deklaratën e tij për mediat ruse tha se “Perëndimi dëshiron që t’i prishë marrëdhëniet tona. Ky atentat është një provokim për të prishur marrëdhëniet Turqi-Rusi”.

Nga ana tjetër Kryetari i Këshillit Parlamentar për Siguri i Dumës ruse, Leonid Slutsky theksoi se sulmi i armatosur mund të jetë një provokim për të prishur marrëdhëniet Turko-Ruse.

“Ky sulm mund të jetë një provokim për parandalimin e përmirësimit të marrëdhënieve Turko-Ruse. Nëse është kështu, shpresoj që mos të arrijnë qëllimet e tyre për prishjen e marrëdhënieve Turko-Ruse ata që kanë përgatitur sulmin”, tha Slutskiy.

Ministri Bushati reagon për vrasjen e ambasadorit Karlov

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka reaguar pas vrasjes së ambasadorit të Rusisë në Ankara, Andrei Karlov.

“Fuqimisht dënojmë vrasjen e ambasadorit rus në Ankara. Mendimet dhe lutjet tona janë me familjen e tij. Shprehim ngushëllimet ministrit të Jashtëm Lavrov”, shkruan

Bushati në një postim në profilet e tij në rrjetet sociale

Kujtojmë se ambasadori Andrei Karlov humbi jetën sot pas një sulmi të armatosur në Qendrën e Arteve Bashkëkohore në Ankara.

Krerët kosovarë dënojnë sulmin ndaj ambasadorit rus në Turqi

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në profilin e tij në rrjetet sociale ka shkruar: “Dënoj fuqishëm sulmin e tmerrshëm terrorist ndaj ambasadorit të Rusisë në Ankara”.

Edhe kryeministri Isa Mustafa e ka dënuar vrasjen e ambasadorit rus. “Qeveria e Republikës së Kosovës dënon sulmi ndaj ambasadorit rus në Turqi. Ngushëllime për të gjithë të prekurit”, ka shkruar Mustafa në rrjetet sociale.

Kurse ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj ka dënuar sulmin duke shkruar shkruar se “Dënoj fuqimisht sulmin ndaj ambasadorit të Rusisë në Turqi. Ngushëllime familjes dhe shtetit të tij nga populli i Kosovës”.