Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka bërë një deklaratë në lidhje me sulmin terrorist ndaj ambasadorit të Rusisë në Ankara, Andrei Karlov, raporton Anadolu Agency (AA).
“E dimë që ky është një sulm dhe një provokim për prishjen e marrëdhënieve Turqi-Rusi të cilat ishin në procesin e rregullimit. Por Rusia dhe Turqia ka drejtues të cilët nuk bien në një grackë të tillë”, tha Presidenti Erdoğan në një deklaratën për AA.
Ai ka dënuar ashpër vrasjen e ambasadorit të Rusisë në Ankara, Andrei Karlov. Duke vënë në dukje se Karlov kishte një vend të veçantë si diplomat në Turqi, Presidenti Erdoğan vuri në dukje se ai është takuar për herë të fundit me të një javë më parë gjatë vizitës së Presidentit të Tataristanit në Ankara.
“Gjatë kësaj mbrëmjeje kisha një bisedë telefonike me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, ku patëm rastin të vlerësonim edhe këtë ngjarje menjëherë pasi ndodhi. Normalisht që ngjarjen e kemi ndjekur të gjithë që në fillimin e saj, duke filluar nga unë personalisht deri tek kryeministri, ministrat etj. Në emrin tim personal, kabinetit qeveritar dhe të gjithë popullit turk unë i shpreh ngushëllimet e mia Presidentit të Federatës Ruse, Putin dhe popullit mik rus. Ne e dimë mirë që një sulm i tillë është një provokim dhe është kryer ndaj procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes Turqisë dhe Rusisë. Por Rusia dhe Turqia kanë drejtues të cilët nuk bien në një grackë të tillë”, u shpreh Erdoğan.
Ai ka shtuar se me homologun rus kanë folur veçanërisht për luftën kundër terrorizmit. “Kemi rënë dakord gjithashtu që bashkëpunimi mes nesh të jetë më i fortë dhe më ndryshe. Putin më kërkoi rritjen e sigurisë në Ambasada dhe Konsullatat e Rusisë në Turqi. Edhe pse insistuam, trupin e ambasadorit do ta marrin me një avion që do të dërgojnë vetë ata. Putin tha se do të jetë më e udhës që hetimet të bëhen nga një komision i përbashkët. Edhe unë thashë që nga ana jonë nuk ka asnjë problem për realizimin e këtyre kërkesave, si dhe i dhashë të gjitha direktivat e duhura kryeministrit dhe ministrave”, tha Erdoğan.