Ballina Lajmet Maqedoni Votimet në Maqedoninë e Veriut edhe pas orës 19:00

Votimet në Maqedoninë e Veriut edhe pas orës 19:00

Procesi zgjedhor në Maqedoninë e Veriut do të vazhdojë edhe pas orës 19:00 në të gjitha vendvotimet ku qytetarët nuk e kanë shfrytëzuar të drejtën e votës.

Këtë e bëri të ditur kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Aleksandar Dashtovski, duke sqaruar se vazhdimi i votimit bëhet për shkak të problemeve teknike lidhur me votimin biometrik.

Të gjithë personat që ndodhen në hapësirat e vendvotimeve apo jashtë tyre dhe që presin për të votuar, në bazë të ligjit kanë të drejtën e votimit dhe votimi duhet të vazhdojë derisa të njëjtit të shfrytëzojnë të drejtën e votës.

Në 11 vendvotime votimi nuk ka nisur me kohë dhe në to votimi do të vazhdojë për aq kohë sa ishte ndërprerë procesi.

“Në gjashtë vendvotime nuk është votuar me aparatet me teknologjinë e shenjave të gishtave për shkak të mosfunksionimit të tyre kështu që votimi ka vazhduar me procedurën e vjetër të votimit”, ka deklaruar Dashtevski.

Ai ka bërë të ditur se në bazë të Kodit Zgjedhor, heshtja parazgjedhore do të vazhdojë për aq kohë sa do të vazhdojë votimi, kështu që mediat, sipas tij, nuk kanë të drejtë të komentojnë procesin zgjedhor.

Sipas të dhënave të KSHZ-së, deri në orën 17.00, në votime kanë dalë rreth 41 për qind e votuesve, apo 547,284 persona nga rreth 1.8 milionë sa janë të regjistruar në listën e përgjithshëm zgjedhore.

Dalje më të lartë ka në komunën e Vevçanit afër Strugës, me 64 për qind, ndërsa pjesëmarrje më të ulët kryesisht në komunat e banuara me popullatë shqiptare, në pjesë perëndimore të Maqedonisë së Veriut. /rel

Exit mobile version