Vonesa gjuhësore, është një gjendje kur fëmija nuk arrin zhvillimin e gjuhës të përshtatur sipas moshës. Pra, është zhvillimi i ngadalët i etapave të gjuhës, karakterizohet nga një i kuptuar deri diku i mirë i gjuhës, dhe një i shprehur pak i cunguar.
Një fëmijë me vonesë gjuhësore afër 3 vjeç, ka një fjalor shumë të kufizuar, dhe gjatë komunikimit dominojnë më shumë gjestet. Kurse një fëmijë rreth moshës 5 vjeçe ka një të kuptuar më të mirë, mirëpo fjalori është i varfër, dhe për shumë fëmijë të folurit është p.sh. ‘‘jo dua” për ” jo nuk dua”, përdorin më shumë gjeste dhe mjaftojn të kuptohen vetëm nga prindërit. Në këtë fazë është më e rëndësishme të nxisim zgjerimin e fjalorit dhe t’u japim fëmijëve mesazhin që ata komunikojnë në mënyrë të kuptueshme. Dhe nëse një fëmijë ka probleme të tjera zhvillimore ose të sjelljes, këto probleme mund të përmirësohen, me përmirësimin e aftësive të komunikimit të fëmijës.
Zakonishtë, është prindi ai i cili fillimisht i vëren ndryshimet tek fëmija i tij në krahasim me bashkëmoshatarët e tij. Se ndonjëherë zhvillimi i vonshëm është tepër i dukshëm, por ndonjëherë është e nevojshme që të bëhet një vëzhgim më i detajuar. Shpesh kërkohet edhe ndihma e instrumenteve të tjera – testet skrining të cilat shërbejnë për të përcaktuar apo për t’iu afruar diagnozës.
Kur dhe si zhvillohet te folurit:
Klinikisht, çdo fëmijë sa arrin në moshën 3-6 muajshe mund të nxjerrë zëra të thjeshtë, kërkon vëmendje,lëvizë, krijon zhurma;
-Në moshën 6-12 muajshe fëmija duhet të nxjerrë zëra si “ba ba” , “ma ma”, dëgjon kur i flitet, kupton fjalët si “topi“,”macja”, ”lule”.
-Në moshën 12 muajshe fëmija duhet të kuptojë përgjigjen ‘po‘ ose ‘jo’, dhe të reagojë kur e thërrasin në emër.
-Në moshën 12-18 muajshe duhet të shqiptojë dy fjalë si “mami’, ‘babi’.
-Kur të mbushë dy vjeç duhet të ketë një fjalor rreth 20-50 fjalësh, ndjekë udhëzimet e thjeshta ” ama topin“. Krijon fjali me dy – tri fjalë, kupton më shumë nga ç’thotë.
-Në moshën 36 muajshe – duhet të ketë një të folur më të qartë që mund të kuptohet nga të gjithë. Të përgjigjet në pyetjet e thjeshta “Kush?“, “Çfarë?“, “Pse?”, përdorë fjali me katër ose më shumë fjalë.
-Në moshën 4-5 vjeçare mund të tregojë një ngjarje të thjeshtë, dhe
-Në moshën 7 vjeçare mund të tregojë edhe një ngjarje të komplikuar.
Mirëpo, duhet ditur se mosha në të cilën fëmijët fillojnë të flasin varion nga një fëmijë në tjetrin, secili fëmijë ka zhvillimin e tij tipik. Pra, të folurit më vonë se bashkëmoshatarët e tij, nuk do të thotë që fëmija juaj është më pak i zhvilluar se ata.
Shumë fëmijë prej 18 muajsh e tutje, gjejnë mënyra të tjera të ndryshme për të komunikuar me ju, si p.sh:
•Ata mund të përpiqen të imitojnë fjalët që ju thoni dhe gjestet ose veprimet që ju bëni;
•Kur ju lexoni përralla së bashku, ai mund të njohë dhe të tregojë me gishtë objekte, personazhe të caktuara në ilustrimet e librit, nëse ju e nxisni ta bëjë këtë gjë;
•Ndërkohë që luajnë, fëmijët në këtë moshë flasin pa kuptim me veten e tyre.
•Përgjithësisht, ata tregojnë me gisht gjërat, objektet ose aktivitetet që duan. Të treguarit me gishtë dhe imitimi verbal dhe joverbal janë shenja të qarta që fëmija juaj dëshiron të komunikojë me ju;
Shkaqet e vonesës së gjuhës mund të jenë te ndryshme:
– Faktorët gjenetik;
– Ambienti i varfër gjuhësor në të cilin jeton fëmija;
– Çrregullime të marrëdhënive nënë-fëmijë;
– Lindja e një fëmijë tjetër;
– Binjakët;
– Fëmijët që lindin nën peshë;
– Ambienti dy gjuhësh;
– Përdorimi i tepërt i teknologjisë;
– Mos frekuentimi i kopshtit.
Këshilla për prindërit që mund të bëjnë më shumë për të nxitur të folurit tek fëmijët:
•Jepini fëmijës suaj sa më shumë mundësi për të komunikuar me ju;
•Flitini atij vazhdimisht;
•Emërtoni dhe i tregoni me gisht objektet, sendet, ambientet, njerëzit e gjithçka që ju rrethon;
•Nëse i bëni një pyetje, lërini 10 sekonda kohë para se ta inkurajoni për të kthyer një përgjigje;
•Kur ata komunikojnë në mënyrën e pritur nga ju, jepini atij një reagim të qartë. Psh, ju mund t’i thoni atij; “Po, kjo eshte gota”;
•Përsërisni çfarë fëmija juaj thotë duke ia korrigjuar gabimet. Psh, nëse ai thotë: “nane”, ju përgjigjuni: “Po, do hamë banane”;
•Mos i kërkoni shpesh: përsërite edhe njëherë, dhe mos i thoni kurrë: fol mirë, fol si unë apo si vëllai më i madh, ose dëgjo sa bukur flet ai tjetri etj.;
•Mos u ulni për të ngrënë me radio, televizor, apo edhe telefonin para;
•Nxiteni të rrijë me fëmijë të tjerë;
•Imitoni e bëjeni t’iu imitojë me tinguj, rrokje e gjeste;
•Kur i flisni, mbajeni fëmijën përballë me qëllim që ai të shikojë fytyrën tuaj;
•Kur bën e thotë diçka të mirë, jepini të kuptojë që ju jeni e kënaqur, kështu e inkurajoni atë ta bëjë shpesh një gjë të tillë.
Autore: Nga Adelina F. Haxhiu – Logopede
/Familjadheshendeti.com./