Von der Leyen në Beograd: Serbia një nga vendet më të përparuara në procesin e anëtarësimit në BE

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u shpreh se Serbia është një nga vendet më të përparuara në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), raporton Anadolu.

Duke iu drejtuar mediave, pas një takim me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, Von der Leyen tha se i takon Serbisë të zgjedhë shpejtësinë e anëtarësimit, duke shtuar se partneriteti ndërmjet Serbisë dhe Bashkimit Evropian po forcohet dhe se BE-ja është partneri dhe investitori i parë tregtar i Serbisë.

“Plani i rritjes duhet t’i afrojë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor me tonat dhe gradualisht të integrojë tregun rajonal me tregun e përbashkët evropian. Parimi është shumë i thjeshtë. Ne i hapim dyert e tregut të përbashkët të Bashkimit Evropian në sektorë të veçantë për kompanitë serbe dhe në këmbim, duhet të zbatohen disa reforma”, tha Von der Leyen.

Ajo përgëzoi Serbinë dhe presidentin e saj për një “punë të shkëlqyer” kur bëhet fjalë për agjendën e reformave, duke shtuar se si pjesë e planit, Serbia do të marrë 1,6 miliardë euro.

Duke folur për nxjerrjen e lëndëve të para kritike, Von der Leyen theksoi se qytetarët e Serbisë mund të jenë “të sigurt se BE-ja do të respektojë dhe ruajë natyrën e mrekullueshme” të këtij vendi.

“Ne do të bashkëpunojmë me komunitetet lokale, sepse ky është standardi që ne përdorim në Bashkimin Evropian dhe duke pasur parasysh që ju jeni një anëtar i ardhshëm, sigurisht që do të bëjmë të njëjtën gjë së bashku këtu. Është një e ardhme e begatë dhe e qëndrueshme për brezat e ardhshëm”, tha presidentja e KE-së.

Von der Leyen iu referua edhe Planit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor, duke shtuar se ata vazhdojnë të punojnë në projekte të mëdha që fokusohen në energjinë e pastër dhe tranzicionin digjital.

“Ju jeni ende fuqishëm të përkushtuar ndaj të ardhmes evropiane në kohë konfliktesh, luftërash dhe trazirash. Të jesh pjesë e Bashkimit Evropian, domethënë anëtare e Bashkimit Evropian, është një premtim paqeje dhe prosperiteti që ne mund ta japim së bashku. Serbia është tashmë një nga vendet më të përparuara në procesin e anëtarësimit. Ju keni treguar se mund të përmbushni kushtet e nevojshme. Jeni angazhuar për zbatimin e reformave, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe demokracisë”, tha Von der Leyen, duke shtuar se në këtë frymë BE-ja po punon për hapjen e grup-kapitullit të tretë.

Në këtë kontekst, ajo shtoi se vendeve kandidate u takon “të zgjedhin shpejtësinë dhe cilësinë e rrugës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.

“Vendimi që përcakton shpejtësinë e integrimit në BE dhe anëtarësimit në familje është në dorën e vendeve kandidate. Unë e kam ndjekur Serbinë për pesë vjet dhe kam parë përparim dhe pres që ne të shkojmë përpara me sukses”, tha Von der Leyen.

Vuçiq nga ana tjetër theksoi se ka pasur një bisedë shumë të gjatë, jashtëzakonisht të hapur dhe të sinqertë me presidenten Von der Leyen, duke shtuar se “sigurisht që ka gjëra për të cilat Bashkimi Evropian kritikon Serbinë, por Von der Leyen ka qenë gjithmonë e gatshme të dëgjojë anën tonë”.

“Përderisa unë jam President i Republikës, ne nuk do të ndryshojmë qëllimet kryesore të politikës sonë të jashtme dhe të brendshme. Kjo do të thotë se rruga jonë evropiane dhe avokimi ynë për një Serbi evropiane është me rëndësi kyçe për përparimin tonë, që Serbia është e përkushtuar të punojë në atë rrugë dhe shpresojmë në rezultate”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se kanë biseduar për situatën gjeopolitike dhe se e ka informuar për politikën e Serbisë.

“Ne folëm për Kosovën dhe Metohinë, ndryshe nga disa të tjerë, nuk do ta shfrytëzoj këtë rast për t’ia hedhur fajin dikujt tjetër, as për ta shqetësuar presidentin Von der Leyen publikisht me atë që thashë, dhe qëndrimin e Serbisë e prezantova në mënyrë të detajuar dhe të plotë, duke folur për domosdoshmërinë e kompromisit, bisedimeve dhe të ardhmen e gjithë rajonit”, tha Vuçiq.

Ai theksoi se në tregtinë e mallrave dhe shërbimeve kanë pasur gati 51 miliardë euro shkëmbim me Bashkimin Evropian në vitin 2023 dhe se besojnë se viti 2024 do të jetë edhe më i mirë.

Vuçiq theksoi se projektet e përbashkëta infrastrukturore me BE-në janë jashtëzakonisht të rëndësishme për Serbinë, falë të gjitha granteve që kanë marrë nga BE-ja dhe parave që do të marrin nga Evropa si pjesë e Planit të Rritjes.

“Kësaj radhe mund të them se shpresoj se do të hapim grup-kapitullin e tretë deri në fund të vitit dhe kjo do të ishte e rëndësishme dhe do të ishte një sinjal domethënës se Serbia po përparon në rrugën e saj evropiane. Është e rëndësishme që ne të ruajmë paqen, edhe pse siç e dini, sa i përket situatës botërore, unë nuk jam shumë optimist”, tha presidenti i Serbisë.

Ai shtoi se Von der Leyen i ka kërkuar Serbisë përputhshmëri shumë më të madhe me deklaratat e politikës së jashtme të BE-së, si dhe për disa çështje të tjera, duke shtuar se e di se cilat janë kërkesat dhe cilat janë pritshmëritë.

Von der Leyen erdhi në Beograd nga Bosnjë e Hercegovina, ndërsa më parë vizitoi Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Nga Beogradi, ajo nesër niset për në Kosovë, ndërsa turneun rajonal e përfundon me një vizitë në Mal të Zi po atë ditë.