Von der Leyen: BE-ja është e gatshme të kontribuojë në rindërtimin e Sirisë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen

Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen deklaroi se BE-ja është e gatshme të kontribuojë në rindërtimin e Sirisë me një qasje “hap pas hapi”, transmeton Anadolu.

Von der Leyen në një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të Parlamentit Evropian (PE) në lidhje me axhendën e Samitit të Liderëve të BE-së që do të mbahet nesër tërhoqi vëmendjen për zhvillimet në Siri.

“Rënia e Bashar al-Asadit është shpëtim për popullin sirian. Të gjithë kemi parë imazhet zemërthyese nga burgjet e Asadit. Këtu u mbajtën, torturuan dhe u vranë shumë njerëz të pafajshëm. Të pafajshëm si vajza e re që u burgos për 14 vjet për një postim që ajo ndau në rrjetet sociale apo foshnja që lindën në burg dhe që nuk panë kurrë dritën e diellit… Prandaj Asadi kishte krijuar një sistem të përbërë nga biruca të nëndheshme. Kjo ishte fytyra e vërtetë e regjimit. Për këtë arsye shumë sirianë janë të gëzuar. Për herë të parë në dekada, në Siri është kthyer shpresa”, tha Von der Leyen

Ajo theksoi se “disa nga hapat e parë të ndërmarrë nga udhëheqja e re janë inkurajuese”. Von der Leyen nënvizoi se çështje të tilla si krijimi i një qeverie gjithëpërfshirëse, mbrojtja e pakicave dhe vazhdimi i luftës kundër organizatës terroriste DEASH do të jenë të rëndësishme në të ardhmen.

“Një tranzicion i besueshëm dhe gjithëpërfshirës është një interes themelor evropian”, tha presidentja e KE-së.

Pasi vuri në dukje se Evropa duhet të përfshihet në proces në nivel rajonal edhe lokal, Von der Leyen tha: “Sapo u ktheva nga Jordania dhe Türkiye. Kam diskutuar se si mund të punojmë së bashku për stabilitetin e rajonit”.

Sipas saj, BE-ja e rriti ndihmën e saj humanitare. “Kjo është arsyeja pse ne krijuam një urë të re ajrore humanitare mbi Türkiyen dhe Jordaninë. Këtë vit ne e kemi rritur ndihmën tonë humanitare në mbi 160 milionë euro”, shtoi Von der Leyen.

“Ne do të vazhdojmë mbështetjen por do ta bëjmë këtë me një fokus të ri në rimëkëmbjen dhe rindërtimin e hershëm. Ne po flasim për energjinë elektrike, ujin, infrastrukturën bazë dhe më shumë. Por, kjo do të kërkojë qasje hap pas hapi. Udhëheqja e re në Damask duhet të provojë që veprimet e saj përputhen me fjalët e saj. Në këtë kontekst ne duhet gjithashtu të rishqyrtojmë sanksionet tona sektoriale për të lehtësuar ristrukturimin”, u shpreh ajo.

– Von der Leyen: Siria i përket popullit të saj

Presidentja e KE-së, Von der Leyen tërhoqi vëmendjen për çështjen aktuale të refugjatëve sirianë të cilët po kthehen në vendin e tyre ndërsa vuri në dukje se kushtet nuk janë krijuar ende mjaftueshëm.

“Për sirianët që vendosin të kthehen në shtëpi, Evropa është e gatshme t’i mbështesë ata në çdo hap. Siria i përket të gjithë popullit të saj, përfshirë ata që ikën nga brutaliteti i Asadit dhe të gjithë sirianët kanë të drejtë të marrin të ardhmen e vendit në duart e tyre”, tha Von der Leyen.