Von der Leyen: BE-ja duhet të përgatitet për skenarin më të keq të gazit

Ursula von der Leyen

Evropa po e redukton me nxitim varësinë e saj nga gazi rus mes shqetësimeve se furnizimet do të ndalen si hakmarrje për sanksionet e vendosura ndaj Moskës.

Në një intervistë, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen u bëri thirrje anëtarëve të mbështesin planin e krizës që po rezulton të jetë një provë solidariteti.

Krahu ekzekutiv i BE-së propozoi që vendet anëtare të reduktojnë vullnetarisht konsumin e tyre të gazit me 15% për të qenë gati për një eventualitet të tillë.

BE-ja kërkon të jetë në gjendje të sigurojë transferime urgjente të gazit për anëtarët që do të përballen me mungesa në dimër nëse furnizimet bien në nivele kritike. Ky veprim do të lehtësonte ndikimin e presidentit rus, Vladimir Putin ndaj 27 anëtarëve të BE-së.

Por qasja po teston solidaritetin evropian, ku disa vende të cilat kanë shprehur qëndrimin e tyre kundër planeve të emergjencës, thanë se nuk mund të reduktojnë më tej konsumin e tyre të gazit.

dpa: Të mërkurën e kaluar, me nisjen e planit të emergjencës së gazit dimëror të komisionit, ju thatë se ka të ngjarë që Rusia të ndalojë plotësisht furnizimet me gaz në BE. A vazhdoni t’i qendroni ende supozimit tuaj pas rifillimit të dërgesave të gazit përmes “Nord Stream 1” pas një periudhe pune të mirëmbajtjes?

Von der Leyen: Paketa jonë është pikërisht për të na bërë të pavarur nga vendime të tilla nga Kremlini. Në fund të fundit, është e qartë: Kremlini nuk është një partner i besueshëm për furnizimin me energji të Evropës. “Gazprom” ka furnizuar qëllimisht nivele të ulëta të gazit. Ndërkohë, Rusia po furnizon 12 shtete anëtare vetëm pjesërisht me gaz ose aspak.

Kjo është arsyeja pse Evropa duhet të përgatitet për skenarin më të keq: një ndalim të plotë të furnizimit me gaz, herët a vonë. Për të zbutur pasojat e kësaj, ne duhet të kursejmë 15% të konsumit tonë të gazit deri në mars të vitit të ardhshëm. Kjo është 45 miliardë metra kub gaz. Dhe ne duhet të fillojmë menjëherë, sepse sa më shpejt të veprojmë, aq më shumë kursejmë dhe aq më të sigurt jemi.

dpa: Rritja e shpejtë e çmimeve të gazit dhe energjisë elektrike po ndikon jo vetëm tek bizneset, por po godet më së shumti familjet me të ardhura të ulëta. A mendoni se duhet të ketë një kufi çmimi për gazin? Dhe nëse jo, çfarë mund të bëhet sipas jush në nivel evropian për të parandaluar varfërinë energjetike?

Von der Leyen: Krerët e shteteve dhe qeverive i kërkuan komisionit të shqyrtojë një kufi çmimi për gazin e importuar. Aktualisht jemi duke punuar për këtë. Në të njëjtën kohë, ne jemi të vetëdijshëm për vështirësitë me të cilat përballen familjet me të ardhura më të ulëta.

Kjo është arsyeja pse në tetor, shumë kohë përpara luftës së Putinit, ne prezantuam një tablo të tërë idesh që vendet anëtare mund të përdorin për të kundërshtuar rritjen e çmimeve. Dhe shumica dërrmuese e anëtarëve të BE-së po i përdorin ato.

Në një nivel evropian, për shembull, ne gjithashtu kemi përshtatur përkohësisht rregullat tona të ndihmës shtetërore për të ofruar mbështetje dhe kemi krijuar një platformë energjie për të blerë së bashku gazin dhe për të negociuar çmime të mira për konsumatorët në Evropë.

Dhe përtej kësaj, në kontekstin më të gjerë të Marrëveshjes sonë të Gjelbër Evropiane, ne po punojmë për të siguruar që të gjithë evropianët të përfitojnë nga tranzicioni në një të ardhme miqësore me klimën. Një fond i klimës sociale me vlerë shumë miliarda euro do të ndihmojë familjet me të ardhura më të ulëta, për shembull, të blejnë makina më miqësore me mjedisin ose të kalojnë në ngrohje më ekonomike.

dpa: A mendoni se është një ide e mirë që të lejohen centralet gjermane të funksionojnë më gjatë sesa ishte planifikuar fillimisht, në vend që t’i heqim ato gradualisht?

Von der Leyen: Kjo është një pyetje që çdo shtet anëtar i BE-së duhet t’i përgjigjet vetë. Përzierja e energjisë është përgjegjësi e shtetit anëtar të BE-së. Megjithatë, unë vërej se shumë anëtarë të BE-së e shohin energjinë bërthamore si një teknologji të nevojshme lidhëse.

Për mua personalisht, prioriteti i parë është që të investojmë sa më shumë në burimet e rinovueshme në Evropë, sepse kjo është e ardhmja.

dpa: Hungaria kohët e fundit njoftoi se do të ndalonte eksportin e gazit natyror, duke e bërë të qartë se nuk dëshironte të merrte pjesë në një mekanizëm solidariteti evropian në rast krize. A mund të detyrohet kryeministri hungarez Viktor Orbán ta bëjë këtë nëse shtetet e tjera anëtare kanë nevojë? Dhe si ia shpjegoni popullit të Spanjës, për shembull, se ata duhet të kursejnë gazin sepse Gjermania është bërë e varur nga Rusia pavarësisht paralajmërimeve?

Von der Leyen: Është e vërtetë se disa shtete anëtare janë më të prekura nga ndërprerja e furnizimeve me gaz rus se të tjerët. Por edhe vendet anëtare që mezi blejnë gaz rus nuk mund t’i shpëtojnë pasojave të një ndërprerjeje të mundshme në tregun tonë të brendshëm.

Tregu i brendshëm i BE-së është zemra e ekonomisë dhe ekonomitë tona janë të ndërthurura ngushtë. Prandaj, një krizë gazi do të prekte çdo shtet anëtar në një formë ose tjetër.

Prandaj është e rëndësishme që të gjitha shtetet anëtare të frenojnë kërkesën, që të gjithë të ruajnë më shumë sasi dhe të ndajnë me ata anëtarë që janë më të prekur. Solidariteti i energjisë është një parim themelor i traktateve tona evropiane. Prandaj, rregullorja jonë ekzistuese për sigurinë e furnizimit me gaz parashikon tashmë që shtetet anëtare mund të mbështeten tek njëri-tjetri. /atsh