Raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon, duke dhënë detaje për raportin që do ta paraqesë në seancën e Parlamentit Evropian, ka ripërsëritur nevojën për liberalizimin e menjëhershëm të vizave për Kosovën, i cili, sipas saj, ka kohë që është vonuar pavarësisht se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret.
Cramon, para se të raportojë për Kosovën në seancën e Parlamentit Evropian, përmes një postimi në Twitter, tha se “të gjithë qytetarët e Kosovës meritojnë të jetojnë në një vend që gëzon respekt të plotë ndërkombëtar dhe perspektivë të qartë integruese evropiane”.
“Qytetarët e Kosovës e dinë mirë këtë se Parlamenti Evropian dhe unë personalisht e kam ripërsëritur vazhdimisht nevojën për liberalizimin e menjëhershëm të vizave, i cili ka kohë që është vonuar pavarësisht se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret”, ka shkruar Carmon, transmeton Telegrafi.
Më tej Carmon ka thënë se raporti i sivjetmë i Kosovës vjen në një moment të veçantë – në atë kur shohim përsëri tmerret e luftës në Evropë”.
“Qeveria demonstroi solidaritet të plotë me Ukrainën, për të cilën dua t’i falënderoj”.
Ajo duke folur para publikimit të raportit, thotë se “raporti gjithashtu nënvizon rrugën e gjatë të reformës dhe integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian”.
Më tej ajo ka thënë se “raporti mbulon një gamë të gjerë çështjesh. Sundimin e Ligjit, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, administrata publike dhe antidiskriminimi”.
“Lidhur me Zbatimin e Ligjit, raporti u kërkon autoriteteve të bashkëpunojnë me partnerët ndërkombëtarë dhe të respektojnë plotësisht Opinionin e Komisionit të Venecias. Zbatim i Ligjit do të thotë barazi për të gjithë. Prandaj, i bëj thirrje qeverisë së Kosovës që të zbatojë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me Manastirin e Deçanit dhe të demonstrojë se nuk ka një qasje selektive kur bëhet fjalë për aplikimin e Zbatimit të Ligjit”.
“Elementi thelbësor i Kosovës drejt rrugës së integrimit në BE është Dialogu i udhëhequr nga BE-ja midis Kosovës dhe Serbisë. I dërguari special i Miroslav Lajçak ka mbështetjen tonë të plotë dhe ekziston një unitet unik transatlantik. Megjithatë, pa marrëveshje ligjërisht të detyrueshme të normalizimit, pranimi në Bashkimin Evropian nuk do të ndodhë”, ka shkruar Cramon.
Ndryshe, pak ditë më parë Cramon e ka quajtur dështim të madh Samitin e Bashkimit Evropian me liderët e Ballkanit Perëndimor në Bruksel.
Në një postim në Twitter, Von Cramon ka thënë se mosmarrja e asnjë vendimi pozitiv për vendet e Ballkanit, është sinjal katastrofik.
“U thanë të udhëtojnë në Bruksel, të gjashtë vendeve, dhe nuk iu dhanë asgjë, për asgjë. Bosnja nuk e mori statusin e kandidatit, edhe më keq Shqipëria e Maqedonia e Veriut nuk nisën negociatat e pranimit dhe Kosova nuk mori liberalizimin e vizave”.
Më 23 qershor u mbajt Samiti i Bashkimit Evropian me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa përveç retorikës së kamotshme se BE-ja është e përkushtuar ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit, nuk doli diçka konkrete nga ky samit as sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave.
Megjithëse kishte shpresa se do të lëvizte diçka në këtë drejtim, Kosova vazhdon të mos e gëzojë të drejtën e lëvizjes së lirë ndonëse Komisioni Evropian dy herë ka theksuar se vendi i ka plotësuar kushtet.
Franca dhe Holanda janë dy vendet që konsiderohen skeptike sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën.