Gjigandi automobilistik Volkswagen ka pranuar të premten fajin për mashtrimin që ka bërë me softuerin i cili ka shtrembëruar testet për rreth 600.000 automjete në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), raporton Anadolu Agency (AA).
Prodhuesi gjerman i automobilave, fajin e ka pranuar në një gjykatë në Detroit e cila e ngarkonte atë për pengim të drejtësisë, komplot për të kryer mashtrim dhe import të të mirave në SHBA në bazë të deklaratave të falsifikuara.
Në emër të kompanisë, fajin në gjykatë e pranoi këshilltari i prodhuesit automobilistik, Manfred Doess, pasi paraprakisht në janar, Volkswagen arriti një marrëveshje me Departamentin Amerikan të Drejtësisë që të paguajë 4.3 miliardë dollarë në gjoba.
Kompania gjermane, do të paguajë gjoba kompensuese në vlerë prej 2,8 miliardë dollarë, për 590.000 automjete të shitura në SHBA që kanë softuer i cili manipulon me testet e emetimit të gazrave.
Në mënyrë shtesë, do të paguaj 1,5 miliardë dollarë për të rregulluar paditë ambientaliste, të doganave dhe ato financiare.
I tërë skandali me gazrat, thuhet se Volkswagenit do ti kushtojë rreth 21 miliardë dollarë, ndërkohë që kjo shifër akoma mund të rritet nga paditë eventuale në shtetet tjera.
Të martën edhe vëzhguesi i konsumatorit australian ka paditur kompaninë për pretendimet me emetimin e gazrave që datojnë nga periudha 2011-2015.
Rreth 11 milionë automjete të Volkswagenit me motor dizel thuhet të kenë të instaluar softuer që manipulon testin.
Kompania ka paditur në janar gjashtë punonjës të saj me akuzat për komplot për të mashtruar në tregun e SHBA-ve, ndërsa deri më tani ajo ka shkarkuar 10 prej drejtuesve të lartë të saj. Drejtori Ekzekutiv, Martin Winterkorn dha dorëheqje.
Pavarësisht skandalit, gjigandi automobilistik Volkswagen në vitin 2016 ka qenë prodhuesi më i madh i automjeteve në botë, në saje të një rritje prej 3.8 për qind nga viti paraprak, me mbi 10 milionë automjete të shitura në të gjithë botën.