Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri, emërohet zëvendëskryetar i Komitetit të Futbollit të UEFA-s.
Në një njoftim nga FFK bëhet e ditur se pas pranimit në UEFA, krerët e FFK-së, përkatësisht presidenti Fadil Vokrri dhe sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu emërohen në organet dhe trupat e UEFA-s, të cilët funksionet e tyre do t’i fillojnë nga 1 korriku i vitit 2017.
“Në letrën e UEFA-s është bërë e ditur se presidenti i FFK-së Fadil Vokrri, është emëruar zëvendëskryetar i Komitetit të Futbollit, ndërsa sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu është emëruar anëtar i Komitetit Ligjor të UEFA-s”, thuhet në njoftim nga FFK.
Ndryshe, Kosova u pranua në UEFA dhe FIFA në maj të vitit të kaluar, nëpërmjet së cilës u bë pjesë e ndeshjeve kualifikuese për Botërorin “Rusi 2018”.