Vogel: SHBA pret marrëveshje sa më shpejtë që ta shpallë Kosovën mision të përfunduar

Toby Vogel, ekspert në Këshillin e Politikave të Demokratizimit, thotë se SHBA-ja do marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që ta shpallë misionin e përfunduar dhe të tërheqë trupat nga Kosova.

“Unë do ta përjashtoja idenë se dialogu është çështja më urgjente, sepse ky dialog ka vazhduar e është ndërprerë për gati një dekadë tashmë. Nuk mendoj se një muaj më herët ose një muaj më vonë është problem i madh. Urgjenca vjen nga pala amerikane. Amerikanët duan marrëveshje sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që ta shpallin misionin të përfunduar dhe të tërheqin trupat nga Kosova”.

“Kjo do të ishte një fitore në politikën e jashtme për presidentin [amerikan, Donald] Trump. Do të ishte justifikim personal për Richard Grenellin [të dërguarin e Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi], i cili duket se është përfshirë tani në fushatën për rizgjedhjen e Trumpit. Kjo është ajo që vërtet qëndron pas ndjenjës së urgjencës”.

“Unë e kuptoj përse Kosova e ndjen këtë si urgjente, sepse ajo është e bllokuar, nuk ka pasur shanse për t’u bërë anëtare e Kombeve të Bashkuara, nuk ka mundur të bëhet pjesë e agjencive të OKB-së, ka edhe një fushatë të çnjohjeve nga Serbia”.

Ai ka thënë se administrata Trump dhe presidentët Thaçi dhe Vuçiq janë protagonistët kryesorë që mbështesin shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë.

“Aspekti tjetër është ai se kush do ta përfaqësojë Kosovën në dialog: presidenti sikurse deri më tash, apo kryeministri. Por, mendoj se gjëja më e rëndësishme për t’u kuptuar tani është se shtytja e presidentit [të Kosovës, Hashim Thaçi, për shkëmbim territoresh me Serbinë nuk është duke çuar vërtet askund. Të vetmit njerëz që mendojnë se kjo është një ide e mirë janë amerikanët dhe, deri së voni, edhe evropianët”.

“Por, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, është shprehur qartë, duke thënë se kjo do të ishte një ide e keqe. Mendoj se presidenti Thaçi e kupton shumë mirë se ai është i izoluar, brenda vendit të tij, sa i përket idesë së shkëmbimit të territoreve dhe se marrëveshja e tillë nuk do të zbatohej”.

“Mendoj se protagonistët kryesorë në favor të shkëmbimit të territoreve për momentin janë presidenti [i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, presidenti Thaçi dhe administrata Trump. Nëse kjo do të bëhet pjesë e negociatave diplomatike ose jo, mbetet të shihet. Varet nga forma se si zhvillohen këto bisedime. Disa vite janë humbur në dialog. Në dy vjetët e fundit ka pasur bisedime joproduktive për shkëmbimin e territoreve, që do të ishte në kundërshtim me parimet dhe vlerat e Bashkimit Evropian dhe shumë destabilizues për Ballkanin”.

“Tani shoh një lloj urgjence në anën e BE-së për t’iu rikthyer parimeve fundamentale që kanë shoqëruar dialogun kur ka filluar, gati dhjetë vjet më parë”.

Vogel theksoi se Presidenti Thaçi nuk supozohet të marrë pjesë në bisedime me Lajçakun, sepse është kryeministri i Kosovës ai që duhet të ngarkohet me dialogun.

“Ju e kujtoni se kur ka nisur dialogu, ka nisur me kryeministrat e të dyja palëve. Dhe kur ata kanë marrë funksione të tjera – të presidentit – dialogu ka kaluar tek ata. Pra, nuk ka pasur kurrë një arsye institucionale prapa kësaj. Ka pasur gjithmonë të bëjë me pushtetin personal”.

“Sa i përket rolit të SHBA-së, ai ka qenë një veprim jomiqësor. Një akt bulizmi i administratës Trump, jo vetëm ndaj Qeverisë së Kosovës, e cila në fund të fundit është konstituar siç duhet pas zgjedhjeve, por edhe ndaj evropianëve. Është bërë në mënyrë publike, në përpjekje për të margjinalizuar BE-në dhe për të margjinalizuar Kurtin. Ka qenë një veprim mjaft agresiv, sepse ka ndodhur publikisht. Ka gjithmonë gjëra të caktuara që ndodhin prapa skenës. Mund të mos ketë gjithmonë unitet midis BE-së dhe SHBA-së, por të shohesh aq mosmarrëveshje publike… unë mendoj se është një përpjekje e SHBA-së për të marrë kontrollin e procesit”, ka thënë Vogel për Radio Evropa e Lirë.