Mund të supozohet se njerëzit që dëshirojnë të shpenzojnë një pasuri të vogël për një Ferrari, do të investojnë gjithashtu para të mira në mbrojtjen dhe sigurinë e tij, pra në teknologjinë kundër vjedhjes.
Megjithatë, ky nuk ishte rasti me një burrë nga Waterbury (qytet në shtetin amerikan të Connecticut), të cilit iu vodh Ferrari 812 GTS i shtrenjtë me vlerë 575 mijë dollarë.
Në raportin e policisë nuk thuhet se vetura është vjedhur, por për këtë përmendet se është gjetur.
Në kapjen e hajdutit, teknologjia e sofistikuar dhe raporti i policisë nuk ndihmuan, por – kufjet e Apple.
Gjegjësisht, pronari i veturës la AirPods-in e tij në ulësen e pasagjerit dhe falë aplikacionit Find My të Apple për gjetjen e pajisjeve të humbura duke përdorur Mac ose iPhone, pronari i Ferrarit arriti të gjejë kufjet dhe në këtë mënyrë veturën e tij.
Këtë informacion ai ia ka përcjellë menjëherë policisë, e cila shumë shpejt ka arritur të gjejë makinën dhe hajdutin.
Kur policia e ndaloi hajdutin në pikën e karburantit, ai përplasi veturën e tyre me Ferrarin (dëmtimi ishte i vogël), pas së cilës ai u largua me vrap dhe e la telefonin në veturë.
Policia ka arritur të marrë informacion nga telefoni i hajdutit dhe ka zbuluar se ai është një 22-vjeçar i njohur tashmë për vjedhje veturash.
Interesant është fakti se u arrestua dhjetë ditë më vonë, pasi policia gjeti një veturë tjetër që ishte vjedhur më herët në Nju Jork dhe i riu, si dhe bashkëpunëtori i tij 19-vjeçar në krim, përfunduan në burg.
Policia amerikane ka këshilluar më parë drejtuesit e mjeteve që të përdorin pajisje të tilla si AirTag, pajisja e Apple për gjurmimin e vendndodhjes.
Është mirë ta vendosni për shembull në çelësat, në portofolin, çantën e udhëtimit, veturat etj., në mënyrë që t’i gjeni më lehtë në rast humbjeje.
Gjurmimi i vendndodhjes nuk kërkon lidhje interneti, përkundrazi lidhet me pajisjet Apple aty pranë për të dërguar një sinjal rreth vendndodhjes së tij.