Ballina Artikuj Vlerësimi dhe interesimi në oqeanin e njerëzimit

Vlerësimi dhe interesimi në oqeanin e njerëzimit

E moshuara pastron xhaminë:

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të) thotë: “Një grua e zezë pastronte xhaminë. I Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) u interesua dhe pyeti për të. Ka vdekur – i thanë. “A nuk do të ishte më mirë që të më njoftonit?!” Ai tha[1]: Sikur ata e quajtën si të parëndësishëm punën e saj. Ai (s.a.v.s.) tha: “Më tregoni ku është varri i saj! Ata ia treguan dhe ai ia fali namazin e xhenazes dhe më pas tha: “Vërtet, këto varre janë të mbushura me errësisë për banorët e tyre, ndërsa Allahu i Lartësuar i ndriçon me faljen e namazit nga ana ime për ta.”[2]

Ebu Seid (Allahu qoftë i kënaqur me të) thotë: “Një grua e zezë e cila e pastronte xhaminë vdiq gjatë natës. Të nesërmen në mëngjes i Dërguari i Allahut u njoftua për vdekjen e saj, më pas tha: “A nuk do të ishte më mirë që të më kishit njoftuar për të? Pastaj ai doli, qëndroi tek varri i saj, mori tekbir (u fal), ndërkohë që njerëzit ishin pas tij, u lut për të dhe pastaj u largua.”[3]

Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të dy[4]) transmeton se Profeti (s.a.v.s.) ka thënë: “Unë e kam parë atë në Xhenet, ngaqë mblidhte papastërtitë nga xhamia.”[5]

Leximi i tekstit:

Qëndrimi i udhëheqësit, Profetit(s.a.v.s.) ndaj kësaj gruaje të thjeshtë tregon për vlerësimin e madh dhe ndjeshmërinë e lartë.

Cila është pozita e kësaj gruaje në axhendën e punëve të njeriut i cili qëndron në stadin më të lartë të udhëheqjes njerëzore “Të mesazhit hyjnor” si Muhamedi?

Vallë sa i vetëdijshëm dhe sa i vjen në kujtesë atij mungesa e një gruaje që fshin xhaminë duke pyetur për të?

Çfarë e shtyu atë që të qortonte shokët e tij për mungesën e saj, të cilën e varrosën dhe ai nuk dinte asgjë?

Cili është shkaku që ai nuk doli vetëm, por bashkë me shokët e tij duke qëndruar tek varri i saj, duke u falur dhe u lutur për të?

Cila është vleraqë ai dëshiron të rrënjosë në zemrat e udhëheqësve të cilët do të ndjekin rrugën e tij?

Përse kjo zonjë e nderuar e meriton përgëzimin me Xhenet?

A është e mundur që për një punë kaq të vogël të arrijë të këtë vlerë kaq të madhe në peshoren e të mirave?

Ajo është një grua që shpirtin ia kishte falur Allahut të Lartësuar. Ajo i shërbeu shtëpisë së Tij dhe vendit ku Ai madhërohet. Ajo shërbeu duke mos e reklamuar atë që po bënte.

Udhëheqësi, Profeti (s.a.v.s.) hynte dhe dilte nga xhamia dhe e shikonte efektin pozitiv të punës së kësaj gruaje të devotshme që pastronte, nga pastrimi i së cilës qetësoheshin zemrat e atyre që faleshin. Realisht, ajo ishte një punë madhështore që pak njerëz e veprojnë, vepër e bukur që shumë persona që hynin dhe dilnin nga xhamia nuk e bënin.

Allahu i Lartësuar ka bërë tetë porta të Xhenetit që të jetë i gjerë për veprat e robërve të Tij, t’i përshtatet orvajtjeve dhe përpjekjeve të tyre të ndryshme. Kjo grua, kryente një punë që e futi në Xhenet nga dera e saj e gjerë. Ajo u pa në Xhenet, ngaqë pastronte papastërtitë nga xhamia.

Kështu pra, ajo është një vdekje dhe ringjallje e bukur, sepse çdo njeri do të ringjallet ashtu si ka vdekur. E kjo grua, vitet e jetës së saj i kaloi duke i shërbyer xhamisë madhështore, shtëpisë së Allahut të Madhëruar.

Për shkak të kësaj pune, ajo e meritoi lëvdatën e bërë nga udhëheqësi i lavdishëm (s.a.v.s.), përgëzimin me Xhenet. Ky është vlerësimi dhe interesimi i imamit të xhamisë që ajo e pastronte, i cili i mblodhi njerëzit tek varri i saj, u fal dhe u lut për të.

Sekreti i udhëheqësit të suksesshëm: Vlerësimi dhe interesimi për çdokënd[6]

Shtylla psikologjike e këtij sekreti të udhëheqjes

Dëshira për të lavdëruar dhe vlerësuar dikënd konsiderohet motivi më i fortë. Ky motiv është një prej sekreteve të suksesit të njeriut në raport me të gjithë krijesat. Ai është shtylla kurrizore e kontributit njerëzor. Ai e bën njeriun të virtytshëm, të ofrojë dhe të jetë shumë kërkues.

A nuk është “jeta” gjëja më e shtrenjtë për njeriun?! Patjetër që e tillë është. Dhe duke qenë e tillë, njeriu dëshiron që të përmendet për mirë dhe të lëvdohet.

Ebu Musa el Esh’ari thotë: Një njeri erdhi tek Profeti (s.a.v.s.) dhe e pyeti: Një njeri lufton për trofe, një tjetër për përmendore dhe një tjetër që të shikohet pozita e tij. Cili prej tyre është në rrugë të Allahut? Ai u përgjigj: “Ai i cili lufton për të qenë fjala e Allahut dominuese, ai është në rrugë të Allahut.”[7]

Kështu pra, siç e shikojmë ka njerëz të cilët rrezikojnë jetën e tyre duke u futur në fushbetejë e në mejdanin e vdekjes dhe për çfarë? Rrezikon jetën e tij të shtrenjtë që të përmendet për mirë apo që të shikohet pozita e tij. Sa e sa njerëz kanë vdekur në betejat që kanë marrë pjesë vetëm që të përmenden për mirë dhe të lëvdohen. Në Ditën e Gjykimit, njeriu do t’i thotë Zotit: “Kam luftuar për hirin Tënd derisa rashë shehid. Ai (Allahu) thotë: Gënjen! Ti ke luftuar që të thuhet se je trim dhe është thënë një gjë e tillë për ty. Pastaj është dhënë një urdhër për të, është tërhequr nga fytyra derisa është hedhur në Zjarr.”[8]

Kjo që po themi nuk ka ndodhur vetëm tek myslimanët, historia e popujve të ndryshëm dëshmon për burra dhe gra që kanë dhënë jetën e tyre, kanë hedhur hapa të sigurtë drejt trekëmbëshit apo kryqit të varjes me synimim që të përmenden për mirë apo që për ta të thurren lavde.

Njerëzit dhe vlerësimi:

Njeriu ka shumë dëshirë që të vlerësohet. Madje këtë gjë e thekson edhe shpallja hyjnore: “Ne të kemi shpallur Librin, i cili është përkujtesë për ju. Vallë, a nuk po kuptoni?”[9] përkujtesë për ju do të thotë: fama dhe madhështia juaj.[10]

Ndërsa në librat e Sires së Profetit (s.a.v.s.) lexojmë: “Ne dhe Benu Abdu Menafët jemi grindur për famë. Ata kanë ushqyer të varfërit edhe ne i kemi ushqyer, kanë mbajtur edhe ne kemi mbajtur, kanë dhënë edhe ne kemi dhënë, derisa ishim në krye të karvanit duke qenë si dy kuaj vrapimi, ata thanë: Ne kemi një profet, të cilit i vjen shpallja nga qielli, e ku ta gjejmë ne një të tillë? Pasha Allahun, nuk do ta besojmë kurrë atë.”[11]

Qëllimi i këtyre fjalëve është se ne kemi garuar për të qenë udhëheqës, pasi ajo është mënyra më e mirë që njeriu të nderohet, të ngjisë shkallët e lavdisë dhe pushtetit.

Dita e nderimit:

Dita që shumica e instuticioneve e caktojnë për të nderuar punëtorët, është dita me ndjeshmëri më të lartë për të gjithë punëtorët dhe bashkëpuntorët e tyre.

Vlera e nderimit nuk ka të bëjë me çmimin e dhuratës që ofrohet, por ka të bëjë me lëvdatën që në sytë e njerëzve nuk luan ndonjë rol të madh, por tek personi në fjalë ajo luan një rol të madh.

Dhe ja një shembull tjetër që tregon për thellësinë e këtij vlerësimi në jetën e udhëheqësit, Profetit Muhamed (s.a.v.s.), i cili jep vlerësimin dhe rëndësinë e duhur, madje edhe personit që e lëndoi më shumë dhe i solli më shumë dëme, vetëm ngaqë ai kishte trokitur në portën e besimit (fesë).

Dy udhëheqës dhe dy kundërshtarë

Në Meke, ku u rrit zotëria i bijve të Ademit, Muhamedi (s.a.v.s.), jetonte Ebu Sufjan Sahr ibn Harb, një prej krerëve të Mekes, një njeri i rëndësishëm, përfaqësues i popullit të tij, rridhte nga një derë fisnike, i pasur, një prej njerëzve të shquar e të rëndësishëm të Mekes, njeri i pashembullt në lavdi dhe pozitë dhe i paarritshëm në gradë dhe kryesi.

Ftesa e re startoi, Profeti i ri (s.a.v.s.) filloi t’i nxiste njerëzit që ta pasonin atë dhe të ndiqnin dritën me të cilën ai erdhi.

Ebu Sufjani arriti të kuptonte rrezikshmërinë e ftesës së re qysh kur ajo ishte në djep, prandaj vendosi përpara saj një barrikadë të dukshme. Ai kujtoi se duke e penguar dhe duke i vënë fre asaj ishte më mirë për të, i rritej prestigji dhe se lavdia e tij do të ishte e vazhdueshme. Armiqësia e tij ndaj Profetit të ri (s.a.v.s.) ishte e madhe saqë Profeti Muhamed (s.a.v.s.) dhe shokët e tij (Allahu qoftë i kënaqur me ta) përjetuan prej tij vuajtje nga më të rëndat, sharje nga më ofendueset dhe tallje nga më përçmueset.

I Përzënë:

Edhe pasi paria e Mekes e përzuri Profetin (s.a.v.s.) nga vendi i tij që e donte aq shumë dhe si rrjedhojë ai u detyrua të emigronte në Medine, prijësit e Mekes nuk e lanë atë të qetë dhe as nuk e lejuan atë t’i udhëzonte njerëzit e gadishullit arabik në rrugën e drejtë. Përgjatë tetë viteve Ebu Sufjani e luftoi në Bedër, Uhud, Hendek dhe e pengoi atë në Hudejbije që të futej në Meke, derisa erdhi çlirimi i Mekes..

Çlirimi i Mekes:

Çlirimi i Mekes ishte fundi i armiqësisë, ditë në të cilën Ebu Sufjani dhe prijësit e Mekes po e shikonin me sytë e tyre frytet e ftesës islame tashmë të ngritur, të zgjeruar dhe të rehabilituar, nuk kishte asnjë mënyrë për ta shfarosur atë.

Udhëheqësi i Mekes kërkon falje:

Kishin kaluar dhjetë ditë nga muaji i shenjtë i Ramazanit, në vitin e tetë të hixhretit, Profeti (s.a.v.s.) bashkë me dhjetë mijë shokë dolën nga Meka dhe u drejtuan për në Medine. Kur i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) mbërriti në Ebua u takua me Ebu Sufjanin dhe djalin e hallës Abdulla ibn ebi Umejen. Ai (s.a.v.s.) ia ktheu shpinën për shkak të lëndimeve dhe talljeve të mëdha që ata i kishin shkaktuar atij. Aliu i tha Ebu Sufjanit: Dili përpara të Dërguarit të Allahut (s.a.v.s.) dhe thuaji atë ç’ka vëllezërit e Jusufit i thanë Jusufit:“Ata thanë: Betohemi për Allahun, vërtet që Allahu të ka ngritur ty mbi ne dhe ne paskemi qenë vërtet të gabuar.”[12] sepse ai nuk dëshiron të dëgjojë fjalë më të bukura se këto. E Ebu Sufjani veproi ashtu. I Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) kur dëgjoi këto fjalë tha: “Ai u tha: Sot s’ka qortim për ju; Allahu do t’ju falë. Ai është më i mëshirmshmi i mëshiruesve.”[13]

Ebu Sufjani është një burrë që e dëshiron prestigjin:

Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të) tha: “O i Dërguari i Allahut! Ebu Sufjani është një burrë që e dëshiron prestigjin, prandaj jepi atij diçka! Ai tha: Po. Ai i cili hyn në shtëpinë e Ebu Sufjanit është i sigurtë. Ai i cili e mbyll portën e shtëpisë është i sigurtë. Ai i cili hyn në xhami është i sigurtë. Kështu që njerëzit u shpërndanë në shtëpitë e tyre dhe në xhami.”[14]

Pasha Allahun, më thuaj: A ka prestigj më të madh për njeriun se fakti që shtëpia e tij u bë vend sigurie dhe oaz paqeje?!

Kjo dhuratë profetike ndaj Ebu Sufjanit nuk ishte vetëm thjesht një dhuratë prestigji, por edhe për të kënaqur shpirtin e një njeriu fisnik të popullit të tij, me prijësinë e të cilit njerëzit ishin mësuar dhe e kishin miratuar atë si të parë. Nuk është e drejtë që ai person pasi Allahu e ka nderuar me besim dhe bindje të ulet në pozitë apo në gradë.

Realisht dhe sinqerisht, ai është zotëria i bijve të Ademit:

A keni parë zotëri apo udhëheqës si ky, që të respektojë ndjenjat e armiqve të djeshëm e të afërt?! Ai nuk mund ta pranojë që sjellja e tyre në këtë udhë dhe dashuria e tyre për këtë fe të ishte shkak për zmbrampsjen e tyre nga posti apo të pranojë ndryshimin e gjendjes së tyre.

Vendi yt, është në krye dhe nderi yt është i mbrojtur, o Ebu Sufjan! Shtëpia jote është oaz i sigurisë dhe vend paqeje për atë hyn brenda në të. Si është e mundur që i është dhënë përparësi shtëpisë së Ebu Sufjanit përpara xhamisë së shenjtë, Qabes?! Ndërkohë që dihet pa asnjë lloj diskutimi se Qabja qëndron më lartë, është më e mirë dhe më madhështore se çdo shtëpi?!

Mirëpo ajo është feja e vërtetë që robëron zemrat dhe magjeps mendjet, sepse askush që ka lidhje me të nuk mund të shkëputet nga kjo fe. Ajo i ka komanduar njerëzit e shquar që të dorëzohen përpara mirësisë dhe lavdisë së saj. Ajo është feja që ka arritur pidestalin e ndjesisë njerëzore, i respekton ndjenjat dhe kuron zemrat.

Ndikimi i prestigjit dhe lavdërimit profetik:

Ebu Sufjani nxitoi derisa hyri në Meke, dhe thirri me zë të lartë: O Kurejshë! Ky është Muhamedi (s.a.v.s.) i cili ka ardhë me një ushtri që nuk mund t’i bëni ballë. Prandaj ai i cili hyn në shtëpinë e Ebu Sufjanit është i sigurtë. Ata i thanë: Allahu të vraftë! Për çfarë na vlen shtëpia jote? Ai tha: Ai e cili mbyll portën e shtëpisë është i sigurtë dhe kush hyn në xhami është i sigurtë.

Njerëzit u shpërndanë kush në shtëpitë e tyre dhe kush në xhami. Meka u çlirua, amnistia ishte tepër e madhe dhe banorët e Mekes me zgjedhje të lirë, grupe-grupe e përqafuan Islamin.

Njerëzit e lavdishëm:

Lexo jetëshkrimin e kujtdo udhëheqësi të lavdishëm apo prijësi fisnik që ka qenë unik në udhëheqësi, emri i të cilit është parfumosur me aromën e lëvdatës, ku nuk kanë munguar edhe rastet që sqarojnë interesimin e tij për ata që ka pasë përreth, vlerësimin e tij për mundin e të voglit e të madhit dhe për plotësimin e kësaj dëshire që ngacmon në zemër çdo krijesë të gjallë (që është dëshira për të vlerësuar dhe lëvduar), të gjithë këta janë nxënës të vegjël përpara shkollës së udhëheqësit madhështor, Muhamedit (s.a.v.s.). Jetëshkrimi i udhëheqësit të nderuar (s.a.v.s.) është një oqean i mbushur plot me margaritarë dhe xhevahirë që tregon sekretin dhe lajmëron për problemin. Dhe ja një gllënjkë nga ky oqean:

Të drejtuarit me fytyrë dhe me fjalë:

Amër ibn As (Allahu qoftë i kënaqur me të) thotë: “I Dërguari i Allahut drejtohej me fytyrë dhe me fjalë nga njerëzit më të këqinj, për të fituar zemrat e tyre. Ai drejtohej me fytyrë dhe fjalë nga unë saqë mendova se unë jam njeriu më i mirë. O i Dërguar i Allahut! Unë jam më i mirë apo Ebu Bekri – e pyeta? Ebu Bekri- tha ai. O i Dërguar i Allahut! Unë jam më i mirë apo Omeri – e pyeta përsëri? Omeri- tha ai. O i Dërguar i Allahut! Unë jam më i mirë apo Othmani – e pyeta përsëri? Othmani – tha ai. Përderisa po e pyesja ai më thonte të vërtetën. Sa dëshirë do të kisha sikur mos ta kisha pyetur fare.”[15]

Shiko deri ku shkon interesimi i Profetit (s.a.v.s.) për Amër ibn Asin?

Profeti (s.a.v.s.) i kushtoi vëmendje dhe u afrua aq shumë tek ai duke i buzëqeshur në fytyrë, ia bëri më të këndshëm qëndrimin, u soll mirë me të dhe i kushtoi tërë rëndësinë e duhur.

Aq sa, vërtet, ai mendoi se ishte në pararojë të shtyllës së fesë dhe sa gjysma e Islamit të Ebu Bekrit, vlerën dhe pozitën e të cilit e ka të qartë çdo njeri i zgjuar.

Madje, edhe vetë Amrit i ishte ngulitur në mendje kjo gjë, derisa u venit ngaqë kishte ndjerë këtë interesim të madh dhe nga mikpritja e madhe që kishte parë kur kishte hyrë tek Profeti (s.a.v.s.).

Nevojtarët me nevoja personale:

Enes ibn Malik (Allahu qoftë i kënaqur me të) thotë: “Një grua kishte në mendjen e saj diçka dhe tha: O i Dërguar i Allahut! Unë kam nevojë për ty. Ai tha: Oj nëna e filanit! Këqyr kë rrugicë të duash që të ta plotësoj nevojën tënde! Kështu që ai eci bashkë me të në disa rrugica derisa ajo e mbaroi nevojën që kishte.”[16]

Kjo është një deklaratë profetike për një grua të thjeshtë e cila nuk kishte asnjë lloj ndikimi në përhapjen e fesë apo për të përkrahur Profetin (s.a.v.s.)

Megjithatë udhëheqësi i lavdishëm nuk ndalet për të realizuar interesat e tanishme dhe interesat personale. Ai deklaron dhe aprovon faktin se mesazhi hyjnor ka ardhur për të lumturuar dhe kënaqur çdokënd që është pjestar i tij, kushdo qoftë ai, edhe nëse në mëndjen e tij ka diçka. A keni dëgjuar, lexuar apo të keni marrë vesh për ndonjë njeri (lider) që është interesuar për të zgjidhur nevojat personale të atij që ka nevojë ashtu si ka vepruar Profeti (s.av.s)?! A ke dëgjuar për këtë pozitë apo këtë gradë?!

Mëshirë për të gjithë botrat:

A kemi medituar rreth pohimit të Kuranit ndaj definicionit të mesazhit hyjnor me të cilin ka ardhur Profeti udhëzues (s.a.v.s.): “Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse mëshirë për botët.”[17] në kontekstin e të cilit bëjnë pjesë kafshët, sendet, shpendët, njerëzit dhe ai i cili në mendjen e tij ka diçka. Pasha Allahun, çuditem me atë të cilin e lexon këtë fakt dhe nuk bën salavatë për të?![18]

Ballë për ballë:

Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: “Profeti (s.a.s.v.) e kishte zakon që kur takohej me një njeri nuk ia hiqte dorën derisa e hiqte vetë njeriu. Po ashtu nuk e shmangte fytyrën nga ai derisa të ishte vetë njeriu që ta shmangte dhe asnjëherë nuk e shikoje që të shtrinte këmbët ndaj atij që ishte ulur tek ai.”[19]

Unë e them me bindje se nëse ne veprojmë sipas asaj që thuhet në epopenë e elegancës dhe efikasitetit të sipërpërmendur atëherë do të ishim të parët dhe në ballë të njerëzve.

Sa ngrohtësi, dashuri dhe përshtypje mund të përcjellësh (mbartësh) me dorën e ngrohtë dhe me fytyrën të drejtuar nga personi që ke përballë, ose a është e lejueshme për një njeri që je sjellur me të në këtë mënyrë, e ai mos të të dojë?! A mund të jetë e pranueshme që personit të cilit i ke kushtuar këtë rëndësi, e ai të mos ndikohet prej teje?!

Perla profetike:

Njerëzit e kanë për zakon që çdo personaliteti të shquar t’i japin vlerësimin dhe respektin që i takon. Në këtë pikë të gjithë njerëzit janë të barabartë. Ajo që i dallon njerëzit nga njëri-tjetri është reagimi i tyre karshi njerëzve të thjeshtë, xhepëshpuar e të rëndomtë. Kur shikon një person i cili zbret në rangun e popullit dhe i dhuron njerëzve të thjeshtë pak dashamirësi e i kushton atyre vëmendje qoftë edhe artificiale, atëherë sa udhëheqës i mirë qenka ai!

Mirëpo kur e shikon që një njeri u jep prijësve të njerëzve vendin që u takon duke urdhëruar dhe ftuar për një gjë të tillë dhe më pas u jep njerëzve të thjeshtë dhe atyre që nuk kanë pozitë në sytë e njerëzve, vlerësimin dhe interesimin e duhur, madje mund të lërë punët e Dynjasë dhe obligimet e Ahiretit, si e si që t’i kushtojë vëmendje atij që nuk gëzon pozitë të lartë e që nuk ka shumë para, dije se ai është udhëheqësi më i lavdishëm që ke parë apo dëgjuar.

Perla e Parë:

Ebu Rifaetu el Adeuij thotë: “Erdha tek Profeti (s.a.v.s.) ndërkohë që ai po fliste në hytbe. I thashë: O i Dërguar i Allahut! Një njeri i huaj ka ardhur për të pyetur rreth fesë, sepse nuk i di rregullat e fesë. Ai (Ebu Rifaetu) tha: I Dërguari i Allahut erdhi drej meje, e la hytben përgjysëm derisa mbërriti tek unë. Atij i sollën një karrige që mendova se këmbët (skeleti) i kishte prej hekuri. Ai tha: I Dërguari i Allahut u ul mbi të dhe filloi të më mësonte atë që i kishte mësuar Allahu. Më pas, vazhdoi hytben aty ku e kishte lënë derisa e përfundoi.”[20]

Sekreti i parë i udhëheqësit të suksesshëm: kushtimi vëmendjes së duhur dhe vlerësimit adekuat (të përshtatshëm) ndaj të gjithë njerëzve

Ai i cili ka krijuar qëniet e gjalla dhe njerëzit thotë: “Kur të vijnë te ti ata që besojnë në shpalljet Tona, thuaj: Paqja qoftë mbi ju!”[21]

“Kur të vijnë te ti ata që besojnë në shpalljet Tona”: këta janë ata të cilët Allahu e ndaloi atë që t’i përzente. Ata janë besimtarët e pafuqishëm.

“Thuaj: Paqja qoftë mbi ju!”: për t’i lumturuar dhe respektuar ata.

Pas zbritjes së këtij ajeti, sa herë që Profeti (s.a.v.s.) i shikonte ata u jepte i pari selam.[22]

Autor: Sulejman ibn Iued Kajman

Përktheu: Elton Harxhi

[1] d.m.th. Ebu Hurejra. shënimi i përkthyesit.

[2] Transmeton imam Muslimi në Sahihun e tij, në Librin e Xhenazes në kapitullin e namazit në varr. Numri i hadithit: 1648.

[3] Transmeton imam Ibnu Maxheh në sunenin e tij, në Librin e Xhenazes, në kapitullin e namazit në varr me numër: 1543. Imam Albani e ka vlerësuar të saktë këtë hadith në shënimet e tij ndaj sunenit të Ibnu Maxheh me numër: 1142.

[4] Me Abasin dhe të birin e tij Abdullahun që është transemtuesi i këtij hadithi. Shënim i përkthyesit,

[5] Shiko “EL Ma’xhem el kebir” të imam Tabaraniut 11/239 me numër hadithi: 11607. Imam El Hejthemi në “Mexhmeuz Zeuaid” 2/10 ka thënë: Në zinxhirin e transmetimit gjendet Abdul Aziz ibnu Faid I cili është i panjohur. Dikush thotë: se në zinxhirin e transmetimit të këtij hadithi gjendet Faid ibnu Umer i cili është I dyshimtë.

[6] Kjo, ngase nevoja për të vlerësuar dhe për t’u interesuar është tipar i natyrës së pastër që Allahu i ka krijuar njerëzit dhe i ka barazuar të gjithë krijesat. Profeti ynë (s.a.v.s.) e kishte zakon që të vlerësonte çdo gjallesë. Madje, interesimi i tij përshinte edhe sendet si pemët dhe gurët. Ndoshta Allahu i Lartësuar na ndihmon që të shkruajmë diçka rreth kësaj. O Zot, amin.

[7] Transmeton imam Buhariu në “Xhamius sahih” në librin e Luftës dhe marshimit. Kapitulli “Ai i cili lufton për të qenë fjala e Allahut dominuese”. Numri i hadithit: 2677.

[8] Transmeton imam Muslimi në Sahihun e tij në librin e Qeverisjes, kapitulli “Ai cili vret për syfaqësi meriton Zjarrin” me numër: 3635

[9] Sure El Enbija: 10.

[10] Këtë thënie imam Ibnu Kethiri e tranmseton në tefsirin e tij nga Ibnu Abasi.

[11] Këto fjalë i transmetojnë autorët e librave të Sires. Shiko “Siretu Ibnu Hishamin” 1/315. Këto fjalë janë të Ebu Xhehlit, Amër ibnu Hisham.

[12] Sure Jusuf, ajeti; 91

[13] Sure Jusuf, ajeti: 92. Këtë ngjarje e transmetojnë autorët e librave të Sires nga Ibnu Abasi. Imam Albani e ka vlerësuar këtë hadith Hasen në shënimet e tij ndaj librit “Fikhus Sira” të imam Gazalit, fq: 376.

[14] Transmeton imam Ebu Daudi në Sunenin e tij në librin “Taksës, prijësisë dhe plaçkës së luftës” në kapitullin e “Lajmeve të Mekes” me numër: 2669, nga Ibnu Abasi (Allahu qoftë I kënaqur). El Hejthemi ka thënë në “El Mexhmu” nr: 6/242: Transmeton imam Et Tabaraniu. Personat e këtij transmetimi janë të saktë.

[15] Transmeton imam Et Tirmidhi në “Shemail el Muhamedije” në librin “Cilësitë e të Dërguarit të Allahut” numër: 335. El hejthemi në “Mexhmuz Zeuaid” 8/575 ka thënë: Ky hadith është i saktë sipas një version tjetër. Këtë hadith e ka transmetuar imam Et Tabarani me zinxhir transmetimi Hasen.

[16] Transmeton imam Muslimi në Sahihun e tij në librin e “Vlerave” në kapitullin “Afrimiteti i Profetit (s.a.v.s.) me njerëzit dhe bekimi i tij” numër: 4414.

[17] Sure El Enbija, ajeti nr: 107.

[18] All llahum me sal li ue barik ala Muhamedin ue ala alihi ue sahbihi ue sel lim teslimen kethira.

[19] Transmeton imam Et Tirmidhi në sunenin e tij në librin e “Kurbaneve” në kapitullin “Cilësitë e Kijametit, ndjeshmëria dhe devotshmërisë” me numër hadithi 2503. Ai ka thënë: ky është hadith garib. Imam Albani në shënimet e tij ndaj sunenit ka thënë: hadithi është i dobët përveç fjalisë së takimit me dorë që është fjali e saktë. Transmeton imam Ibnu Maxheh me numër 3716. Shprehja “asnjëherë nuk e shikoje që të shtrinte këmbët ndaj atij që ishte ulur tek ai.” transmetohet ndryshe “kurrë nuk i nxirrte këmbët përpara atij që ishte ulur tek ai” Këtë hadith e ka transmetuar edhe Ebu Shejh El Asfahani me sened në librin e “Moralet dhe edukata e Profetit (s.a.v.s.)” 1/38, me numër hadithi 36. Abdulla ibnu Jakub transmeton nga Ibrahim ibnu Rashid, ky nga Ma’li ibnu Abdurrahman, ky nga Abdul Hamid ibnu Xhafer, ky nga Jahja ibnu Seid, ky nga Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të) se ka thënë: “Kurrë nuk kam ndjerë aromë më të mirë se aroma e të Dërguarit të Allahut (s.a.v.s.). Ai (Enesi) ka thënë: Nëse dikush ia jepte dorën nuk ia lëshonte derisa të ishte ai dikushi që t’ia lëshonte dhe kurrë nuk i nxirrte këmbët përpara atij që ishte ulur tek aid he çdokush që ulej pranë të Dërguarit të Allahut (s.a.v.s.), ai nuk çohej nga vendi derisa të çohej tjetri.” Rreth kësaj cilësie nuk kam parë të flaës askënd prej komentuesve të hadithit, përveçse dijetari Muhamed El Gazali (Allahu e mëshiroftë) në librin e tij “Morali i myslimanit” fq: 10 duke komentuar hadithin thotë: kjo do të thotë ai rezervohej me ata të cilët uleshin pranë tij dhe nuk tregohej mëndjemadh.

[20] Transmeton imam Muslimi në sahihun e tij në librin e “Xhumasë” kapitulli i “mësimdhënies gjatë hytbes me numër hadithi 1506.

[21] Sure El En’am, ajeti: 54.

[22] Marrë nga libri “Zubdetut Tefsir min Fet’hil kadir” i Esh’karit, fq: 179.

Exit mobile version