Shkruan: Sabri ef. Bjgora
Në lidhje me vlerën e sures Jasin janë transmetuar shumë hadithe. Shumë prej tyre janë të vërtetë, të kategorive “sahih” dhe “hasen”, por aty-këtu ka edhe ndonjë hadith “të dobët”, i cili megjithate fuqizohet nga asistenca me hadithe te forta, Sa për ilustrim, do të përmendim disa prej këtyre haditheve që flasin rreth vlerës së kësaj sureje:
– Transmetojnë Imam Ahmedi, Ebu Davudi, Nesaiu, Ibn Maxhe, Muhamed ibn Nasr, Ibn Hibbani , Taberaniu, Hakimi dhe Bejhekiu nga Ma’ëkil ibn Jesari të ketë thënë: “Ka thënë i Dërguari i Allahut: “Atij që e lexon suren Jasin, duke dëshiruar me këtë kënaqësinë e Allahut dhe Ahiretin, do t’i falen mëkatet e kaluara, prandaj lexojeni atë (Jasinin) për të vdekurit tuaj.”
– Transmetohet nga Ibn Abbasi r.a. të ketë thënë: “Ka thënë i Dërguari i Allahut: “Do të dëshiroja që ajo (d.t.th. surja Jasin) të jetë në zemrën e çdo pjesëtari të Ymetit tim.”
– Është transmetuar nga Enesi r.a. se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Çdo gjë ka zemër, e zemra e Kuranit është Jasini.”
Të njëjtin transmetim e transmetojnë Bezzari dhe të tjerë nga Ebu Hurejre.
– Aishja r.a. përcjell thënien e të Dërguarit të Allahut: “Është një sure në Kuran, e cila do ta ndihmojë atë që e lexon dhe atë që e dëgjon, e ajo është surja Jasin.”
– Është transmetuar nga Xhundeb ibn Abdullahu të ketë thënë: “Resulullahi s.a.v.s. ka thënë: “Atij që e lexon suren Jasin, duke kërkuar kënaqësinë e Allahut, do t’i falen mëkatet.”
– Transmetojnë Darimiu, Ebu Ja’la, Taberaniu, Ibn Merduvije dhe Bejhekiu nga Ebu Hurejre të ketë thënë: “Atij që e lexon suren Jasin, duke kërkuar kënaqësinë e Allahut, do t’i falen mëkatet në atë natë.”
– Është transmetuar nga Hasan el Basriu, Allahu qoftë i kënaqur ndaj tij, të ketë thënë: “Atij që e lexon Jasinin natën, duke pasur për qëllim kënaqësinë e Allahut, do t’i falen mëkatet”, e pastaj shtoi: “Më është përcjellë se ajo (surja Jasin) është e barabartë me këndimin e tërë Kuranit.”
– Transmetohet nga Ata’ë ibn Ebi Rebah të ketë thënë: “Më është përcjellë që i Dërguari a.s. ka thënë: “Kush e lexon Jasinin në fillim të ditës, atij do t’i kryhet çdo nevojë.”
– Transmetohet nga Ebu Derdaja të ketë thënë: “Ka thënë i Dërguari i Allahut: “Nuk ka asnjë të vdekur që kur t’i lexohet surja Jasin, të mos i lehtësohet atij.”
Bazuar në këtë hadith, sevapi i leximit të sures Jasin mund t’i dhurohet edhe shpirtrave të të vdekurve. Është sqaruar nga disa dijetarë se qëllimi është që surja Jasin t’i lexohet atij që është në prag të vdekjes ose duke dhënë shpirt, për t’ia lehtësuar mundimet e vdekjes. Në lidhje me këtë, Imam Ahmedi në Musnedin e tij transmeton nga Ebu Mugire, e ky nga Safvani të ketë thënë: “Më kanë rrëfyer disa dijetarë se ishin të pranishëm kur Gudajf ibnul Harithit, i sëmurë për vdekje, i qe përkeqësuar gjendja shëndetësore, e ai u kishte thënë: A ka dikush prej jush ta lexoni suren Jasin? Atëherë Salih ibn Shurejh Es-Sekunij filloi të lexonte, dhe, kur arriti në ajetin 40 të kësaj sureje, Gudajfi dorëzoi shpirtin e tij para Krijuesit. Pas kësaj ngjarjeje, dijetarët thoshin: Nëse i lexohet Jasini atij që është në prag të vdekjes, i lehtësohen vuajtjet.”
Shumica dërmuese e dijetarëve leximin e su¬res Jasin e konsiderojnë si diçka të mirë dhe të pranuar edhe për të vdekurit, duke bërë analogji në bazë të haditheve të Pejgamberit a.s., që, nëse tek i vdekuri arrin se¬vapi i disa veprave edhe pas vdekjes , për të cilën gjë nuk ka dyshim se arrin, atëherë sigurisht se arrin edhe sevapi i leximit të Kuranit, gjegjësisht Jasinit.
Transmeton Darekutni në Sunenin e tij nga Aishja r.a. të ketë thënë: “Me rastin e zënies së Diellit apo të Hënës, i Dërguari i Allahut i falte katër rekate, me katër sexhde. Ne rekatin e parë e këndonte “El-Ankebut” ose “Er-Rrum”, në të dytin suren “Jasin”…”
– Transmetohet nga Xhabir ibn Semurete të ketë thënë: “I Dërguari i Allahut në namazin e sabahut e këndonte suren Jasin.”
– Transmetohet nga Ibn Abbasi të ketë thënë: “Derisa ishim tek i Dërguari i Allahut, erdhi Aliu r.a. dhe i tha: “Babë e nënë i bëfsha kurban për ty! Ky Kuran po më rrëshqet (ikë) nga gjoksi, kështu që nuk po mund ta mbaj mend atë. Atëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha: “O babai i Hasanit! A dëshiron të t’i mësoj disa fjalë me anë të të cilave Allahu do të të bëjë dobi ty, e do t’u bëjë dobi edhe atyre të cilëve do t’ua mësosh, dhe do ta përforcojë në zemër (mendje) atë që do ta mësosh?
– Posi, o i Dërguar i Allahut, – iu përgjigj Aliu r.a.
– Atëherë, – tha Resulullahi s.a.v.s.,- kur të jetë nata e xhumasë, nëse ke mundësi të ngrihesh, ngrihu në pjesën e tretë të natës, sepse ajo kohë është një kohë e dëshmuar (që dëshmon) dhe duaja në të është e pranuar… Nëse nuk mund të ngrihesh në pjesën e tretë të natës së xhumasë, atëherë përpiqu të ngrihesh në mes të saj (natës), e nëse nuk mundesh, atëherë ngrihu në fillim të saj, dhe fali katër rekatë. Në rekatin e parë do të lexosh “Fatihanë” dhe suren “Jasin”, në rekatin e dytë “Fatihanë” dhe “Ha Mim” – (surja)
“Ed-Duhan”, në rekatin e tretë “Fatihanë” dhe “Elif Lam Mim, Tenzilu-l kitab… – (surja) “Es-Sexhde”, ndërsa në rekatin e katërt: “Fatihanë” dhe “Teba¬reke ledhi – (surja) “El-Mulk”. Pasi ta kesh përfunduar “Et-Tehijatin”, falënderoje Allahun dhe lavdëroje Atë, pastaj bjer salavat mbi mua, dhe mbi të gjithë të Dërguarit e tjerë, dhe kërko falje për të gjithë besimtarët dhe besimtaret, dhe për të gjithë vëllezërit tu (besimtarë), të cilët kanë besuar para teje (të kanë paraprirë në besim), dhe në fund të kësaj thuaj:
“O Allah, më mëshiro me lënien e mëkateve përgjithmonë, deri sa të më kesh lënë (të gjallë) në këtë botë, më mëshiro që të mos preokupohem me atë që nuk ka ndonjë rëndësi për mua, më furnizo shikim të mirë në atë që Ty të bën të jesh i kënaqur ndaj meje. O Allah, Shpikës i Qiejve dhe i Tokës, i Madhërishëm dhe i Ndershëm Je! O i Gjithëfuqishëm, fuqia e të Cilit nuk shkatërrohet kurrë! Po të lutem o Allah, o i Gjithëmëshirshëm, pashë Madhë¬shtinë dhe Nurin Tënd, ma lidh e forco zemrën me nxënien përmendësh të Librit Tënd, ashtu siç më ke mësuar. Më furnizo (me dije) që ta lexojë atë (Kuranin) në mënyrën që Ti të jesh i kënaqur ndaj meje. O Allah, Shpikës i Qiejve dhe i Tokës, i Madhërishëm dhe i Ndershëm Je! O i Gji¬thë¬fu¬qi¬sh¬ëm, fuqia e të Cilit nuk shkatërrohet kurrë! Po të lutem o Allah, o i Gjithëmëshirshëm, pashë Madhështinë dhe Nurin Tënd, ma ndriço shikimin me Librin Tënd, ma çliro me të (Kuranin) gjuhën, ma lehtëso zemrën, ma hap gjoksin (që ta ndjej qetësinë shpirtërore) dhe ma pastro trupin, sepse askush tjetër përpos Teje nuk mund të më ndihmojë për ta gjetur të vërtetën. Askush pos Teje nuk mund ta sjellë atë (që po kërkoj) përveç Teje, dhe nuk mund të ndodhë asnjë ndryshim e as fuqi përveç me lejen e Allahut të Lartmadhërishëm e Fuqiplotë.”
O babai i Hasanit. Bëje këtë dua tri, pesë apo shtatë xhuma rresht, dhe do të të pranohet duaja. Pasha Atë që më ka dërguar me të vërtetën, kjo lutje nuk i refuzohet be¬sim¬tarit.”
Ibn Abbasi vazhdon e thotë: Vallahi nuk kaluan pesë ose shtatë xhuma, e Pejgamberi a.s. erdhi në një mexhlis të ngjashëm, ndërsa Aliu r.a. i tha: “O i Dërguar i Allahut, unë më parë mësoja katër ajete, pastaj i harroja, ndërsa tash mësoj dyzet ajete e më shumë, dhe kur i lexoj më du¬ket sikur e kam Kuranin (të hapur) para vetes. Më parë dë¬gjoja hadithe, dhe kur doja t’i përsërisja, veç i kisha harruar, kurse tash e dëgjoj hadithin dhe e përsëris, dhe nuk e harroj dot asnjë shkronjë. Pejgamberi a.s. tha: Betohem në Zotin e Qabesë, se babi i Hasanit (Aliu r.a.) është besimtar.”
– Transmetohet nga Shehr ibn Havsheb të ketë thënë: “Ka thënë Ibn Abbasi: “Ai që e lexon Jasinin kur të jetë zgjuar, atij do t’i jepet lehtësimi i ditës derisa të ngryset, dhe kush e lexon Jasinin në fillim të mbrëmjes, atij do t’i jepet lehtësimi i natës derisa të gdhijë (zgjohet).”
– Është përcjellë se Ammar Ibn Jasiri, në ditën e Xhuma, hipur në minber, e lexonte tërë suren Jasin.
P.S. Në vitet 70-80, nëpër shumë xhamia të Kosovës, para namazit të sabahut, është kënduar cdo herë surja Jasin.
– Hadithet që flasin rreth vlerës së sures “Jasin”, janë shumë, por ne u mjaftuam vetëm me disa prej tyre, që arrijnë gradën “sahih-i vërtetë” apo “hasen-i mirë” e ndonjë edhe “daif-i dobët” por që tek disa dijetarë e arrin gradën “hasen bi-sh-shevahid” – hadith “hasen i mirë” me asistencë (me dëshmi) nga transmetimet e tjera”, për të argumentuar vlerën që ka kjo sure, duke mos u thelluar fare në ato transmetime që, në esencë, kanë dobësi evidente, që janë të dyshimta dhe të trilluara nga ithtarët e shumë fraksioneve islame dhe sekteve të humbura.