Sira e Profetit (a.s) është një biografi e jashtëzakonshme që ka veçoritë e veta të spikatura. Ajo është sqaruar me detaje nga dijetarët eminentë. Ajo është një biografi e dokumentuar shkencërisht, e vërtetuar historikisht dhe e plotë në çdo hallkë të saj, nga lindja deri në vdekje. Kjo biografi përfshin gjithçka dhe pasqyron jetën e të Dërguarit të Allahut (a.s) përmes ngjarjeve dhe fakteve që flasin në mënyrë të qartë e mjaft të kuptueshme. Ajo është e përkryer dhe e ekuilibruar. Tek ajo ne shohim Islamin aktiv, Kuranin intepretues dhe vlerat islame të mishëruara tek njerëzit. Kjo biografi është vënie në zbatim e mësimeve të Kuranit Fisnik, ashtu sikur ka thënë Aishja (r.a) kur është pyetur rreth moralit të Profetit (a.s): “Morali i tij ishte Kurani.”
Në këtë biografi, çdo mysliman gjen modelin e tij më të mirë dhe shembullin e tij ideal. Allahu e edukoi Profetin e Tij në mënyrën më të përsosur, i zbriti atij Librin dhe Urtësinë, i mësoi atij çfarë nuk dinte dhe i dha mirësi shumë të madha. Po ashtu Allahu i begatoi sahabët sepse në mesin e tyre “dërgoi një të dërguar, që t’u lexojë atyre ajetet e Tij, t’i pastrojë ata dhe t’i mësojë Librin dhe Urtësinë, ndonëse më parë ata ishin në një humbje të qartë.”[1] Allahu gjithashtu thotë: “Me të vërtetë që në të Dërguarin e Allahut keni një shembull të shkëlqyer, për këdo që shpreson në Allahun dhe Ditën e Fundit, dhe që e përmend Allahun shumë.”[2]
Një biografi të tillë të gjallë e të plotë, që përfshin të gjitha fazat e jetës dhe aspektet e saj, ne nuk e hasim tek hebrenjtë, të krishterët dhe as tek ithtarët e feve të tjera. Librat e sires dhe udhëzimit profetik flasin me detaje rreth ushqimit, pijes, veshjes, gjumit, gëzimit, hidhërimit, adhurimit, marrëdhënieve të tij me njerëzit në kohë paqeje dhe lufte. Po ashtu ato përshkruajnë me detaje marrëdhëniet e tij me njerëzit më të afërt dhe më të largët, me përkrahësit dhe armiqtë e tij. Madje në to përshkruhen me detaje edhe ato aspekte të jetës së tij që kanë lidhje me jetën private si marrëdhëniet me bashkëshortet. Të gjitha këto janë të dokumentuara dhe të ruajtura në biografinë e tij.
Autor: Jusuf Kardavi
Përktheu: Elton Harxhi
[1] – Sure Ali Imran: 164.
[2] – Sure Ahzab: 21.