Ballina Artikuj Vlera e namazit me xhemat

Vlera e namazit me xhemat

Nëpërmjet këtij artikulli dëshiroj t’i kujtoj vetes dhe muslimanëve vlerën dhe pozitën e lartë që ka falja e namazit me xhemat, në një kohë ku një pjesë e muslimanëve e neglizhojnë atë. Më poshtë do të cek ato ajete kuranore dhe hadithe profetike që dëshmojnë sesa e madhe është vlera e atij që e fal namazin me xhemat:

Allahu i Madhëruar ka urdhëruar për faljen e  namazit me xhemat: Në suren Bekare, Allahu i Madhëruar ka thënë: “Faleni namazin, jepeni zekatin dhe bini në ruku me ata që bien në ruku.!”[1] Një grup i madh dijetarësh, e kanë marrë këtë ajet kuranor si argument se falja e namazit me xhemat është farz.

Shpërblim të shumëfishtë: Ibn Omeri (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Namazi që falet me xhemat shpërblehet 27 herë më shumë se ai namaz që njeriu e fal vetëm.”[2]

Ngritje në një shkallë dhe falja e një mëkati: Ebu Hurejra (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Namazi i burrit që falet me xhemat është 25 herë më i vlefshëm sesa namazi i tij në shtëpi apo në treg. Kjo, sepse kur ai merr abdes në formën më të mirë, pastaj del për në xhami, duke mos pasur ndonjë arsye tjetër përveç faljes së namazit, për çdo hap që hedh ngrihet një shkallë dhe i falet një mëkat. Kur ai falet, engjëjt vazhdojnë të luten për të për aq kohë sa ai qëndron në vendin e tij të faljes, duke thënë: “O Allah,bekoje atë! O Allah, mëshiroje atë!” Gjithashtu, ai konsiderohet si në namaz për aq kohë sa pret namazin tjetër.”[3]

Falen mëkatet: Ebu Hurejra (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Kush merr abdes të plotë dhe pastaj shkon në xhami për falur namazin farz dhe e fal atë me imam, do t’i falen mëkatet.”[4]

Namazi me xhemat është prej sunetëve të udhëzimit dhe mburojë ndaj hipokrizisë: Abdulla ibn Mesud (r.a) ka thënë: “Kush dëshiron të takohet me Allahun nesër si mysliman, le të përkujdeset për këto namaze aty ku bëhet thirrja për to, sepse Allahu i Lartësuar ka përcaktuar për profetin tuaj sunetet e udhëzimit, dhe këto janë prej suneteve të udhëzimit. Po të falnit namazet në shtëpitë tuaja, siç bën ky që qëndron mbrapa dhe falet në shtëpi, do të kishit braktisur sunetin e Profetit tuaj, dhe nëse e braktisni sunetin e Profetit tuaj, do të humbni udhëzimin…

Unë ju kam parë dhe askush nuk mungonte në xhemat përveç një hipokriti të njohur për hipokrizi. Madje, kishte raste kur një burrë sëmurej dhe sillej i mbështetur nga dy burra derisa të vendosej në rresht për t’u falur.”

Kush falet me xhemat jeton dhe vdes në mirësi: Profeti (a.s) ka thënë: “Në mbrëmje më erdhi një i dërguar nga Zoti im dhe tha: O Muhamed. Ai se përse po debatojnë engjëjt lart tek Zoti? Po u përgjigja unë. Po debatojnë rreth shlyerjeve të mëkateve, për ngritjen në gradë, për hedhjen e hapave për atë që shkon për të falë namazin me xhemat, për marrjen e adbesit të plotë në mëngjes (kur është ftohtë) dhe për pritjen e namazit. Kush i përmbahet këtyre duke i kryer rregullisht do të jetojë dhe do të vdesë në mirësi. E përsa i përket gjynaheve të tij, ai do të jetë i larë prej tyre sikur ditën që ka lindur nga nëna e tij.”[5]

Madje edhe ai që është i verbër duhet të prezentojë në faljen e namazit me xhemat: Trannsmetohet se tek Profeti (a.s) erdhi një njeri i verbër dhe tha: O i Dërguar i Allahut! Nuk kam askënd që të udhëheqë për në xhami. I Dërguari i Allahut (a.s) e lejoi atë që të falej në shtëpi. Kur ai (i verbri) po largohej, ai (a.s) e thirri atë dhe e pyeti: A e dëgjon thirrjen e ezanit për namaz? Ai tha: po. Ai (a.s) tha: Atëherë përgjigju!”[6]

Kush shkon për të falur namazin me xhemat do të shpërblehet edhe nëse i ikën ai: Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush merr abdes në formën më të mirë dhe pastaj shkon në xhami dhe i gjen njerëzit që janë falur, Allahu do t’i japë shpërblimin e atyre që e kanë falur dhe kanë qenë të pranishëm, pa ua pakësuar shpërblimin atyre.”[7]

Paralajmërim për atë që e braktis faljen e namazit me xhemat. Profeti (a.s) ka thënë: “Namazet më të rënda për hipokritët janë namazi i Jacisë dhe Sabahut. Sikur ta dinin ata shpërblimin e tyre ato do vinin për t’u falur qoftë edhe duke u zvarritur. Kam menduar që të urdhëroj (muezinin) të thërrasë ikametin për namaz, pastaj të lë dikënd që t’i prijë njerëzve në namaz dhe unë me disa burra të shkoj dhe me vete të marrim turra drush e të shkojmë tek ata të cilët nuk prezentojnë në faljen e namazit e t’ia djeg atyre shtëpitë.”[8]

Vlera e faljes së namazit të Jacisë dhe Sabahut me xhemat. Profeti (a.s) ka thënë: “Kush e fal Jacinë me xhemat është sikur të jetë falur gjatë gjithë gjysmës së natës dhe kush  e fal Sabahun me xhemat është sikur të jetë falur gjatë gjithë natës.”[9]

Shpëtim nga Zjarri dhe hipokrizia. Profeti (a.s) ka thënë: “Kush falet dyzet ditë me xhemat, duke e kapur tekbirin fillestar i shkruhen dy lloje të shpëtimit: shpëtimi nga Zjarri dhe shpëtimi nga hipokrizia.”[10]

Sa një haxh dhe umre. Profeti (a.s) ka thënë: “Kush e fal namazin e Sabahut me xhemat, pastaj ulet (në xhami) dhe e kujton Allahun me dhikër deri sa të lindë dielli, pastaj fal dy rekate namaz, do të shpërblehet sa shpërblimi që merr ai cili kryen haxhin dhe umren të plotë, të plotë, të plotë.”[11]

Autor: Muhamed Hamud

Përktheu: Elton Harxhi

[1] – Sure Bekare: 43.

[2] – Buhariu dhe Muslimi.

[3] – Buhariu dhe Muslimi.

[4] – Ibn Huzejme. Hadithi është Sahih.

[5] – Ahmedi dhe Tirmidhiu. Hadithi është Sahih.

[6] – Muslimi.

[7] – Ahmedi, Ebu Daudi dhe Nesai.

[8] – Buhariu dhe Muslimi.

[9] – Muslimi.

[10] – Tirmidhiu. Hadithi është Sahih.

[11] – Tirmidhiu.

Exit mobile version