Ballina Artikuj Vlera e lartë e Nënës

Vlera e lartë e Nënës

Mr. Muzaqete Kosumi

Nëna ime ishte gruaja më e bukur që pashë ndonjëherë. Për gjithçka që unë jam, i jam borxhli nënës sime. I atribuoj të gjithë suksesin tim në jetë, në edukimin moral, intelektual dhe fizik që kam marrë prej saj. – Xhorxh Uashington

Kush mund të përcaktojë vlerën e nënave?

Është në të vërtetë e pamundur për ta bërë këtë. Për të vënë në fjalë se sa të vlefshme janë nënat në botë është përtej çdo njeriu. Fryti i punës së amësisë i thotë të gjitha. Çdo ditë në të gjitha kulturat dhe shoqëritë, fryti i fuqishëm i amësisë po jeton në të gjithë botën, duke e formuar botën. Nënat vërtet janë, së bashku me baballarët, njerëzit më me ndikim në histori.(1)
Ne, nënat vërtet kemi një rol kyç në formimin dhe reformimin e shoqërisë, duke i edukuar fëmijët tanë dhe shoqërinë në përgjithësi ku jetojmë, duke lënë gjurmë në jetët e tyre dhe duke ndikuar me sjelljet tona, mendimet tona dhe edukatën tonë.
Është e pashmangshme kur shikojmë përgjatë historisë se si një nënë ka formuar dhe formësuar liderët që kanë udhëhequr shtete, kompani, ushtri, xhami, etj. Duke qenë ne dhe familja në përgjithësi ndikues për të mirë apo për të keq, disa nga ta kanë qenë udhëheqës të mirë dhe disa kanë qenë udhëheqës të dobët. Sa më i dashur dhe i vlerësuar të jetë ndier në vitet formuese fëmija, aq personalitet më të fortë ka sot, dhe është rezultati i edukimit familjar, prindëror, që ka sjellë një lider të fuqishëm, i cili mund të marrë vendime të mençura për fuqizimin e njerëzve që ata po udhëheqin duke u shtuar atyre vlerë dhe respekt dhe duke i ndihmuar ata të arrijnë potencialin e tyre të plotë. Ne, si nëna dhe gjyshe po rritim fëmijët që janë njerëz me ndikim në çdo aspekt ashtu siç ishim ne përgjatë rritjes dhe edukimit të tyre në periudha të caktuara.Fëmijët tanë nuk duhet të rriten për të qenë krerët e shteteve, kompanive etj, por që të jenë njerëz me ndikim. Si nëna, ne jemi trajnerë personalë që ndihmojmë dhe ndikojmë në formimin e brezave të ardhshëm; ne mund të bëjmë të gjitha ndryshimet në atë se si do të duket bota e ardhshme. A nuk është kjo vërtet mahnitëse?!

Disa ajete dhe hadithe rreth vlerës së prindërve, sidomos të nënës

Islami e vlerëson lart të qenët prind, dhe sidomos mëmësinë, dhe fëmija duhet të respektojë pa fund prindërit e tij, qofshin ata edhe jomyslimanë, por jo në aspektin e mosbesimit të tyre, por në çështjet e kësaj bote dhe në gjërat që nuk bien ndesh me parimet fetare islame, këtë e kuptojmë edhe nga ajeti 15 në suren Llukman, ku Allahu xh.sh. thotë: “E nëse ata të dy tentojnë që ti të më përshkruash Mua shok, për çfarë ti nuk ke kurrfarë fakti, atëherë mos i respekto ata, po në çështjet e jetës së kësaj bote të kesh mirëkuptim ndaj tyre, e ti ndiqe rrugën e atij që është kthyer kah Unë, pastaj kthimi juaj është tek Unë, e Unë do t’ju njoh me atë që keni punuar.”
Poashtu në ajetin 14 të sures Llukman, Allahu xh.sh.thotë: “Ne njeriun e kemi urdhëruar për (sjellje të mira ndaj) prindit të vet, sepse nëna e vet atë e barti me mund pas mundi dhe pas dy vjetëve ia ndau gjinin. (E porositëm) Të jesh mirënjohës ndaj Meje dhe ndaj dy prindërve të tu, pse vetëm tek Unë është kthimi juaj.”
Allahu i Madhëruar thotë në Kuranin Famëlartë: “Zoti yt ka urdhëruar, që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe që të silleni mirë me prindërit. Nëse njëri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj atyre as “uh!” mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti.
Lësho para tyre krahët e përuljes prej mëshirës dhe thuaj: “O Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më kanë rritur, kur unë isha i vogël!” El-Isra.
Në një hadith që e transmeton Muslimi, Profeti a.s. thotë: “Është i poshtëruar, është i poshtëruar, është i poshtëruar ai i cili arrin moshën madhore e të dy prindërve të tij, ose të njërit prej atyre dyve dhe nuk futet në Xhenet!” Kjo tregon qartë se shpërblimi qëndron pikërisht te respekti dhe nderimi i prindërve tanë, sidomos nënës, e cila është munduar çdo herë dhe në çdo moment të mbrojë, të gëzojë, rehatojë dhe të lumturojë fëmijët e saj.
Pejgamberi, a.s. ka premtuar Xhennetin për ata që sillen mirë me nënën e tyre, duke thënë: “Xhenneti është nën këmbët e (nënës) tyre”
Në një hadith tregohet se dikush pyeti: “O i Dërguari i Allahut! Cili njeri meriton më shumë shoqërinë dhe kujdesin tim? Profeti (alejhissalatu uesselam) tha: “Nëna jote.” Pasi e përsëriti këtë tri herë, tha: “Pastaj babai yt, pastaj ata që janë më të afërm.”Buhariu dhe MuslimiPejgamberi a.s. ia premton Xhennetin atij i cili i edukon bukur tri bija – vajza. Transmeton Ukbe ibn Amir, r.a., se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Kushdo që i ka tri vajza dhe është i durueshëm me to, kujdeset, i ushqen dhe i veshëmbath nga puna e tij, do të ketë një perde kundrejt zjarrit në Ditën e Gjykimit!” (Bejhekiu)Në një version tjetër thuhet se të njëjtin shpërblim do ta ketë edhe ai që i edukon dy vajza, madje edhe ai që edukon një vajzë.

Fuqia dhe ndikimi i nënave në familje dhe shoqëri

“Është një grua në fillesën e të gjitha gjërave të mëdha.” – De Lamartin
Nënat mund të kenë një ndikim pozitiv në shoqëri duke rritur fëmijë që e dinë se kush janë dhe duke i mësuar ata që të jenë qytetarë të përgjegjshëm dhe të respektueshëm.
Fëmijët i shohin nënat e tyre dhe shpesh imitojnë sjelljen e tyre. Është me rëndësi të madhe që nënat të japin një shembull pozitiv për fëmijët e tyre. Thënia hipokrite e vjetër, “bëj si them, jo si bëj unë”, nuk do të funksionojë. Fëmijët shpesh përsërisin çfarëdo sjelljeje që ata vëzhgojnë, pavarësisht se çfarë u është thënë.
Nëse doni që fëmijët tuaj të jenë të respektueshëm, vetë ju duhet të jeni respektues. Duhet të jeni të respektueshëm ndaj bashkëshortit tuaj, drejtuesve, ligjit dhe të tjerëve sikurse janë mësuesit dhe të moshuarit. Edhe nëse nuk pajtoheni me diçka, ju ende mund të gjeni një mënyrë për të qenë e sjellshme dhe e respektueshme. Qëndrimet tuaja do të reflektohen përmes fëmijëve tuaj. Gjithashtu, nëse doni që fëmijët tuaj të të respektojnë, ju duhet t’i respektoni ata.
Nënat janë forca kryesore e shtëpisë. Çfarë ndodh në shtëpitë individuale mund të ndikojë në shoqëri, si në aspektin pozitiv ashtu edhe në atë negativ. Ne duhet të kultivojmë shtëpi të shëndetshme dhe funksionale për fëmijët tanë.
‘As burri dhe as gruaja nuk janë të përsosur ose të plotë pa njëri- tjetrin. Prandaj, asnjë martesë ose familje, asnjë lagje ose vend nuk ka gjasa të arrijë potencialin e tij të plotë derisa bashkëshortët, nënat dhe baballarët, burrat dhe gratë të punojnë së bashku në unitetin e qëllimit, duke respektuar dhe mbështetur anët e forta të njëri-tjetrit.”- Sheri L. Dew(2)
Nuk thuhet kot që pas çdo burri të suksesshëm ekziston një grua e suk-sesshme dhe mbështetëse, por kjo vlen dhe anasjelltas, pas çdo gruaje të suksesshme qëndron një burrë i suksesshëm dhe mbështetës. Asnjë grua, sikurse dhe asnjë burrë, nuk mund të jetë e suksesshme dhe me ndikim pa mbështetjen e familjes dhe rrethit ku jeton.
Gratë për nga natyra e tyre njihen si persona multi-task (që mund të kryejnë shumë detyra në të njëjtën kohë) dhe kjo u jep vlerë nëse ato e shfrytëzojnë këtë dhunti si në shtëpi ashtu dhe në punë, duke bërë punë të mëdha në rend të parë për familjen dhe pastaj për shoqërinë.
Gratë janë shumë më të qeta në vendimmarrje, më dyshuese, më kërkuese dhe më konkurrente. Ndoshta gratë nga natyra e tyre janë edhe shumë më të pavendosura se burrat, por kjo është pikërisht një nga arsyet pse marrin vendime më të pjekura, sepse kërkojnë më shumë informacione, e përpunojnë më shumë atë dhe kërkojnë zgjidhjen më të mirë. Gratë vendimmarrëse kanë dhe kurajën më të madhe për të rrezikuar dhe dinë të motivojnë stafin. Nisur dhe nga instinkti i mëmësisë dinë të dallojnë nevojat e shprehura dhe të pashprehura të stafit, mënyrat më të mira të motivimit dhe ngritjes së kulturës në ndërmarrje.(3)

10 arsye të mrekullueshme për të qenë mirënjohës për nënën tënde

1. Nëna juaj ju ka mbajtur për 9 muaj duke vuajtur dhimbje pas dhimbjeje.
2. Gjatë kësaj kohe, ajo nuk mund të hante për shkak teje! Nuk mund të flinte për shkak teje!
3. Kur ishe fëmijë, ajo kaloi çdo minutë të jetës së saj duke u kujdesur për ty!
4. Ajo fjeti vetëm pasi ti fjete! Ajo hëngri vetëm pasi ti kishe ngrënë!
5. Ajo ishte e duruar dhe të donte ty edhe kur qaje gjithë natën dhe gjithë ditën!
6. Ajo të mësoi se si të ecësh, si të flasësh, si të hash, ajo të mësoi se si të jetosh!
7. Kur sëmureshe, ajo kujdesej për ty!
8. Ajo gjithmonë gatoi dhe përgatiti ushqim për ty!
9. Ajo të blinte gjithçka që kërkoje!
10. Ajo ju donte dhe ju do pa kushte!(4)

Pra, sado që ne përpiqemi, ne kurrë nuk mund t’i shpërblejmë nënat tona për atë që kanë bërë për ne, por ne mund të përpiqemi të paktën, dhe gjithashtu t’i kërkojmë Allahut që t’i shpërblejë ato për ne. Nënat tona janë me të vërtetë një begati e madhe nga Allahu. Ne duhet ta vlerësojmë këtë begati sa më shumë që mundemi. Përderisa nënat tona janë gjallë, ne kemi një mundësi të artë për t’ia garantuar vetes parajsën dhe suksesin në këtë botë.

_____________________
1. https://www.littlemiracles.com.au/the-value-of-mothers/.
2. https://www.brainyquote.com/quotes/sheri_l_dew_679111?src=t_women
3. MSc. Dan-iela Beqiri (shenaj), Roli i grave në vendimmarrje (barazia gjinore), pavarësia Scientific Journal, Mars 2018.
4. http://www.islamicinformation.net/2008/05/mother-islamic-perspective.html.

Nga: Mr. Muzaqete Kosumi

/islamgjakova

Exit mobile version