Dhjetë ditët e Dhul-Hixhës janë dhjetë ditë e para të muajit Dhul-Hixhe, sipas kalendarit hixhri, duke përfshi këtu edhe ditën e Arafatit dhe ditët e Kurban Bajramit.
Vlera e këtyre ditëve.
Transmetohet nga Ibn Abasi r.a të ketë thënë se Profeti s.a.v.s ka thënë ‘’Nuk ka ndonjë ditë që të jetë më e dashur tek Allahu xh.sh veprat e mira të birit të Ademit sesa në këto dhjetë ditë’’, ndërsa të pranishmit i thanë: O i Dashuri i Allahut xh.sh, as lufta në rrugën e Allahut xh.sh nuk është më e dashur?. Profeti s.a.v.s u përgjigj duke u thënë ‘’As lufta në rrugën e Allahut xh.sh përveç atij që ka dal për të luftuar vetë së bashku me pasurinë e tij dhe nuk është kthyer me asnjërën prej tyre’’. Këtë transmetim e shënon Imam Buhariu në Sahihun e tij, si dhe Imam Tirmidhiu në Sunnenin e tij.
Pra, këto janë ditët më të mira të vitit ashtu siç është edhe nata e Kadrit prej netëve më të mira andaj preferohet që gjatë këtyre ditëve të shtohen veprat dhe punët e mira siç janë: Namazi- e në veçanti ai i natës-, agjërimi- me përjashtim të atyre që janë në haxh-, lëmosha, leximi i Kuranit, të mësuarit, të studiuarit dhe mësimi i të tjerëve, urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja , mirësjellja ndaj prindërve, lidhjet farefisnore, përkujtimi i Allahut xh.sh, lutjet e ndryshme si dhe përshëndetjet ndaj Profetit s.a.v.s dhe familjes së tij.
Kuptime të Haxhit
Prej gjërave më të rëndësishme që ngërthejnë në vete këto ditë është edhe vetë Haxhi, ndërsa Haxhi në vetvete ngërthen më shumë se një kuptim. E që prej këtyre kuptimeve më të rëndësishmit janë:
– Adhurimet, që në përgjithësi janë trajnime përmes të cilave besimtari arrin që të ngrihet dhe të lartësohet si për nga ana e besimit po ashtu edhe për nga ana e sjelljes së tij. Pra, këto adhurime janë zbatim praktik i Islamit. E ndërsa Haxhi është një prej adhurimeve shumë të rëndësishme pasi që ajo duhet që të kryhet me mendje, me zemër, me trup dhe me pasuri. Thënë më ndryshe, Haxhi është prej adhurimeve më gjithë përfshirëse.
– Nëse njeriu ndahet nga të dashurit e tij atëherë kjo ndarje do të ua kujtoj atyre vdekjen dhe do të ua bëjë me dije se nuk u bënë dobi asgjë tjetër përveç veprave të tyre.
– Kur ai të pastrohet dhe të vesh rrobat e bardha të Ihramit, që janë të ngjashme me qefinin e të vdekurit, do t’i bie ndërmend se do të vije një ditë kur ai do të pastrohet dhe të mbulohet me qefinin e vdekjes.
– Kur ai i përgjigjet, me vetë-dëshirë dhe me vullnet të plotë, urdhrave të Allahut xh.sh do t’i bie ndërmend se do të vija dita kur do t’i nënshtrohet këtyre urdhrave edhe përkundër dëshirës dhe vullnetit të tij.
– Kur ai rrotullohet rreth Qabesë, duke bërë tavafin, edhe pse e di mirë se Qabeja nuk i bënë as dëm e as dobi atëherë ai do të rilidhë besën me Allahun xh.sh duke i premtuar se ai do ta adhurojë Allahun xh.sh edhe nëse nuk e di fare urtësinë e atij adhurimi apo nënshtrimi.
– Kur ai të ecë ndërmjet dy kodrinave, duke e bërë Sa’jin, ai do ta kujtojë sakrificën e paraardhësve të tij, nga familja e Ibrahimit a.s, që kanë bërë për hir të Allahut xh.sh. E kjo do ta shtyje që të ndjek rrugën e tyre dhe të e kuptojë mirë se myslimani duhet që të përpiqet dhe të derdh mundin e tij pastaj të mbështetet në Allahun xh.sh. E për të fituar xhenetin duhet mund dhe sakrificë e madhe.
– Qëndrimi në kodrinën e Arafatit do t’i kujtojë ditën e ringjalljes dhe ditën e daljes para Allahut xh.sh andaj kjo do ta motivojë dhe nxis që të pendohet dhe të bëjë vepra të mira.
– Zbritja e tij nga Arafati për në Muzdelife e pastaj për në Mina për të hedhur guralecët do t’i përkujtojë mundin e të parëve në luftë për të mposhtur djajtë e tyre andaj edhe ky do të shtojë përpjekjet e tija për të mposhtur djajtë nga njerëzit apo xhinët. Kështu do të rilidhë besën me Allahun xh.sh që të mos i nënshtrohet askujt përveç Tij.
– Prerja apo rruaria e flokëve do t’i përkujtoj atij mëshirën e Allahut xh.sh dhe faljen e mëkateve duke e bërë ta kuptojë se pendimi i pranuar konform rregullave të parapara është një mundësi mjaftë e mirë pasi që ajo fshinë mëkatet e bëra.
– Haxhi po ashtu është një kongres i madh vjetor i cili jep një mundësi mjaft të mirë që të bëhen hulumtime dhe të trajtohen problematika nga më të ndryshmet të cilat shqetësojnë myslimanët dhe zgjidhjet e të cilave janë në dobinë e tyre.
– Haxhi po ashtu është një prej shenjave të uniteti dhe bashkimit të myslimanëve.
– Haxhi po ashtu është një prej shenjave të barazisë në mesin e myslimanëve. E ndërsa një gjë të tillë më së miri e kuptojmë nga fjalimi lamtumirës i Profetit s.a.v.s ku ndër të tjera kishte thënë ‘’O ju njerëz, a nuk është Zoti juaj Një dhe i Vetëm, a nuk është babai juaj një? Nuk ka dallim në mes të arabit ndaj jo-arabit e as në mes të jo-arabit ndaj arabit, e as ndaj të bardhit kundrejt të ziut e as ndaj të ziut kundrejt të bardhit përveçse me devotshmëri’’. Transmetimi është i vërtetë dhe shënohet nga Imam Ahmedi në Musnedin e tij. E kjo është ajo që e kanë vu në praktikë myslimanët e devotshëm dhe të sinqertë ndërsa njerëzit ende janë duke u thirrur në të tilla slogane.
– Ata që nuk kanë pas mundësi që të shkojnë në Haxh mund t’i shoqërojnë vëllezërit e tyre që kanë qenë të nderuar me shkuarje në Haxh. E një gjë e tillë mund të bëhet duke i ndjekur veprimet e pelegrinëve ditë për ditë dhe çast pas çasti ashtu siç e përshkruan ky transmetim i Profetit s.a.v.s ku thotë ‘’Kush e fal sabahun në grup dhe pastaj ulet për ta përkujtuar Allahun derisa të lind dielli dhe pas lindjes së tij ngrihet dhe fal dy rekate ai do ta ketë shpërblimin e plotë, e plotë, e plotë të Haxhit dhe Umres’’. Ky transmetim është prej transmetimeve hasen dhe shënohet nga Imam Tirmidhiu dhe të tjerë.
Vlera e ditës së Arafatit
Dita e Arafatit ka vlerë të shumëfishtë dhe të madh por prej vlerave të saja më të rëndësishme janë:
– Agjërimi i kësaj dite fal mëkatet e vitit të kaluar dhe atij paraprak. E ndërsa në lidhje me këtë është pyetur Profeti s.a.v.s ndërsa ai është përgjigjur duke thënë ‘’Agjërimi i ditës së Arafatit fal mëkatet e vitit të kaluar dhe atij paraprak’’, e kur u pyet për agjërimin e ditës së Ashuras atëherë ai u përgjigj duke thënë ‘’Agjërimi i ditës së Ashuras fal mëkatet e vitit të kaluar’’. Ky transmetim shënohet nga Imam Muslimi në Sahihun e tij.
Kjo falje nuk përfshin mëkatet e mëdha dhe padrejtësitë ndaj njerëzve pasi që këto kërkojnë pendim të sinqertë dhe rikthim te të drejtave të njerëzve.
Prandaj edhe është e preferuar që të agjërohet dita e Arafatit edhe nëse ajo korrespondon që të jetë ditë e Shtunë apo e Diel dhe kjo për disa arsye:
*Pasi që transmetimi paraprak nuk ka përjashtuar ditën e Shtunë apo të Diele.
*E po ashtu transmetimi që e ndalon agjërimin në këto dy ditë është shënuar si i dobët nga disa prej dijetarëve siç është Imam Maliku, ai jo vetëm që është llogaritur si i dobët por vetë Imam Maliku e konsideron si të pavërtetë. E të tjerë prej dijetarëve e kanë konsideruar si të deroguar nga transmetimi tjetër i Profetit s.a.v.s ku thuhet se prej ditëve që më së shumti ka agjëruar janë ditët e Shtuna dhe të Diela dhe për këtë thoshte ‘’Me të vërtetë këto dy ditë janë ditë feste për jobesimtarët ndërsa unë dua që të bëjë të kundërtën e tyre’’. Ky transmetim është shënuar si i saktë prej shumë dijetarëve dhe është nxjerr nga Ibn Maxheh, Ibn Hibani dhe shumë të tjerë.
*Po ashtu të ndaluarit nga agjërimi i këtyre dy ditëve bie ndesh me nxitjen për të agjëruar ditë pas dite, siç e praktikonte Davudi a.s, dhe që është prej agjërimeve më të mira. E kjo pasi që për çdo javë do të ketë ditë të Shtuna dhe të Diela dhe është e pamundshme që të mos rastis të agjërohet në to.
*Agjërimi në këtë ditë, pra nëse është e Shtunë apo e Diele, nuk bëhet për shkak të këtyre ditëve por bëhet për shkak të asaj se ka rastisur që të jetë dita e Arafatit.
– Kjo ditë është prej ditëve që më së shumti bëhet lirimi nga zjarri i xhehenemit. E kjo vërtetohet edhe me vetë thënien e Profetit s.a.v.s ku thotë se ‘’Nuk ka ditë ku Allahu xh.sh bënë lirimin më të shumtë të robërve të Tij prej zjarrit të xhehenemit sesa dita e Arafatit’’. Ky transmetim është transmetim i vërtetë dhe shënohet nga Imam Muslimi.
Kjo është edhe arsyeja se përse preferohet që besimtari, përgjatë kësaj dite, të shtojë sa më shumë veprat e mira, ashtu siç edhe janë cekur më lartë, në mënyrë që të jetë sa më meritor për të qenë prej të liruarve prej zjarrit të xhehenemit në ditën e Arafatit.
-Dita e Arafatit është ditë feste pasi që në këtë ditë është plotësuar dhe është kompletuar kjo Fe. E ndërsa nga Omer Ibn Hatabi r.a transmetohet të ketë thënë se një njeri nga jehudët i kishte thënë: O Prijës i myslimanëve, është një citat në librin tuaj që ju besimtarët e lexoni por sikur ai të kishte zbritur tek ne jehudët do ta merrnim atë ditë si ditë feste! Omeri r.a i tha: E cili na qenka ky citat? Ndërsa jehudia i tha: Citati ku Zoti juaj thotë ‘’Sot ua plotësova fenë tuaj dhe mirësinë Time ndaj jush dhe jam i kënaqur me Islamin fe tuajën’’. E ndërsa Omeri r.a tha: Ne e dinim atë ditë dhe e dinim vendin ku i ishte shpallur ky citat Profetit s.a.v.s. Një gjë e tillë kishte ndodhur teksa Profeti s.a.v.s ishte duke qëndruar në Arafati dhe ishte ditë e Xhuma. Ky është transmetim i vërtetë dhe shënohet nga Imam Buhariu.
Falënderimet i takojnë vetëm Atij që na e përsosi këtë Fe prandaj kjo Fe nuk ka nevojë që të plotësohet nga askush dhe as që ka nevojë që të përmirësohet nga askush. E çdo përpjekje për një gjë të tillë nuk është asgjë më shumë se lajthitje dhe devijim nga kjo Fe.
Vlera e Kurbanit
– Dispozitat e saja:
Therja e Kurbanit është prej Suneteve të forta (Muekedeh), e ndërsa për atë që nuk ka mundësi ajo nuk preferohet. E një gjë e tillë, pra mos preferenca, vlen edhe për atë që ka shumë borxhe apo obligime të ndryshme financiare.
– Vlera e Kurbanit:
Rreth vlerës së tij kemi shumë transmetime por prej tyre do të veçonim këtë ku Profeti s.a.v.s thotë ‘’Nuk ka vepër më të mirë që mund të bëjë biri i Ademit ditën e therjes, pra ditën e Kurban Bajramit, sesa derdhja e gjakut të Kurbanit. Me të vërtetë ai, Kurbani, do të vije ditën e Gjykimit me brirët e tij, me leshin e tij, me thundrat e tij ndërsa gjaku i tij do të arrijë shpërblimin tek Allahu xh.sh para se të bjerë në tokë andaj zbukurojeni me të vetën tuaj’’. Këtë transmetim e shënon Imam Tirmidhiu duke e vlerësuar si të mirë (hesen), e po ashtu e shënon edhe Ibn Maxheh, dhe të tjerë ndërsa rreth vërtetësisë së tij ka mospajtime.
– Predispozitat e tija më të rëndësishme:
*Kurbani duhet që të plotësojë kushtet e parapara me Islam, duke përfshi këtu llojin, moshën dhe që të jetë pa të meta.
*Therja e Kurbanit fillon prej pas faljes së namazit të Bajramit dhe vazhdon deri në përfundimin e ditë së tretë të Bajramit.
*Për atë që do të prej Kurban preferohet që prej hyrjes së muajit Dhul-Hixheh të mos i shkurtojë flokët e tij, e as të mos pres thonjtë e tij. E ndërsa një gjë të tillë e mbështesim në transmetimin e Profetit s.a.v.s ku thuhet ‘’Nëse e shihni Hënën e muajit Dhul-Hixheh dhe dëshironi që të therni kurban atëherë mos i prisni thonjtë dhe mos i shkurtoni flokët tuaj’’. Këtë transmetim e shënon Imam Muslimi.
*Ai që ka vendosur të ther kurban preferohet që një gjë të tillë ta bëjë vetë, nëse ka mundësi dhe di si të therë kurban, e nëse nuk ka mundësi që ta bëjë një gjë të tillë atëherë preferohet që të marrë pjesë dhe të jetë prezent gjatë therjes së kurbanit të tij.
*Po ashtu preferohet që mishi i kurbanit të jetë i ndarë në tri pjesë, njëra të jetë lëmosh për skamnorët, njëra dhuratë për të afërmit dhe tjetra të jetë për familjarët e tij.
Autorë: Prof. Dr. Sheref El-Kudah
Profesor i lëndës së Hadithit në Fakultetin e Sheriatit/Universiteti i Jordanisë.
Përktheu: Mr. Artan Musliu