Në kuptimin etimologjik-gjuhësor fjala haxh nënkupton: Vendim për t’u nisur drejt asaj që njeriu e konsideron të madhërishme.
Ndërsa në kuptimin terminologjik haxhi nënkupton:
“Vizitën e Qabesë me qëllim të kryerjes së ritualeve të caktuara në kohë të caktuar dhe në kushte e vende të caktuara”.
Vlera dhe rëndësia e haxhit
S’ka dyshim se haxhi ka vlerë dhe rëndësi të madhe. Të flasësh për haxhin, do të thotë të flasësh për një nga adhurimet më me peshë të fesë Islame e që si i tillë llogaritet shtyllë prej shtyllave të kësaj feje.
Haxhi është njëri nga aktet e adhurimit që Allahu i Lartësuar ua ka urdhëruar njerëzve. Allahu e bëri haxhin një detyrim për secilin njëri që është i aftë ta kryejë atë, kurse shpërfilljen dhe mosbesimin e tij e konsideroi një devijim nga rruga e bindjes dhe nga rruga e Islamit, duke e konsiderur të dalë nga feja personin që e mohon këtë detyrim.
Allahu i Madhërishëm na tregoi se shtëpia e parë e ndërtuar për njerëzit që ta adhurojnë Allahun, është Qabeja. Në Kuran thuhet:
إِنَّ أَوَّلَ بَيْتٍ وُضِعَ لِلنَّاسِ لَلَّذِي بِبَكَّةَ مُبَارَكًا وَهُدًى لِلْعَالَمِينَ (96)
فِيهِ آيَاتٌ بَيِّنَاتٌ مَقَامُ إِبْرَاهِيمَ وَمَنْ دَخَلَهُ كَانَ آمِنًا… (97)
“Shtëpia (xhamia) e parë e ndërtuar për njerëz, është ajo që u ngrit në Bekë (Meke), e dobishme udhërëfyese për mbarë njerëzimin. Aty ka shenja të qarta: vendi i Ibrahimit, dhe kush hyn në te, ai është i sigurt” (Ali Imran 96-97)
Haxhi ekzistonte si një detyrim për robërit e Allahut që në kohën e Ibrahimit a.s. Megjithatë Islami erdhi dhe i vendosi këtij rituali rregulla dhe qëllime të caktuara, duke e bërë kështu një nga shtyllat themelore të tij.
Për vlerën e këtij rituali ka shumë hadithe nga Pejgamberi s.a.v.s., prej tyre veçojmë:
Transmeton Ebu Hurejra r.a. dhe thotë:
سُئِلَ النَّبِيُّ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ : أَيُّ الْأَعْمَالِ أَفْضَلُ ؟ قَالَ : “إِيمَانٌ بِاللَّهِ وَرَسُولِهِ . قِيلَ : ثُمَّ مَاذَا ؟ قَالَ : جِهَادٌ فِي سَبِيلِ اللَّهِ . قِيلَ : ثُمَّ مَاذَا ؟ قَالَ : حَجٌّ مَبْـرُورٌ”.
”Është pyetur Pejgamberi s.a.v.s.: Cilat vepra janë më të mirat? Pejgamberi s.a.v.s. është përgjigjur: Besimi në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij. I pyetur: Po cila pas saj? Lufta në rrugën e Allahut, deklaroi Ai. I pyetur përsëri: Po cila pas saj? Haxhi i pranuar, deklaroi i Dërguari s.a.v.s.” (Buhariu dhe Muslimi).
Në një hadith tjetër Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë:
“مَنْ حَجَّ هَذَا الْبَـيْتَ فَـلَمْ يَـرْفُثْ وَلَمْ يَفْسُقْ رَجَعَ كَيَوْمَ وَلَدَتْهُ أُمُّهُ”
“Kush e kryen haxhin dhe nuk bën punë të liga e as mëkate, ai kthehet (i pastër pa mëkate) sikur atë ditë që e ka lindur e ëma e tij” (Buhariu dhe Muslimi).
Po ashtu Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë:
“الْعُمْرَةُ إِلَى الْعُمْرَةِ كَفَّارَةٌ لِمَا بَيْنَهُمَا، وَالْحَجُّ الْمَبْـرُورُ لَيْسَ لَهُ جَزَاءٌ إِلَّا الْجَنَّةُ”
“Umreja deri në umren tjetër është mbulesë-shlyese e mëkateve ndërmjet tyre; ndërsa për haxhin e pranuar, s’ka shpërblim tjetër përveç Xhenetit” (Buhariu dhe Muslimi).
Këto dhe shumë hadithe të tjera na tregojnë vlerën dhe rëndësinë e Haxhit dhe të Umres, prandaj u takon besimtarëve që të shpejtojnë sa më parë në kryerjen e këtij obligimi në momentin e krijimit të mundësive.
Dobitë dhe urtësitë madhështore të haxhit
Haxhi, gjithsesi në vete përmban urtësi dhe dobi të shumta dhe madhështore.
Në fakt, teksti-ajeti i parë me të cilin përballemi në lidhje me obligueshmërinë e haxhit është thirrja e Ibrahimit a.s. drejtuar njerëzve dhe në të gjejmë një sinjalizim për dobitë e tilla. Në Kur’an thuhet:
وَأَذِّنْ فِي النَّاسِ بِالْحَجِّ يَأْتُوكَ رِجَالًا وَعَلَى كُلِّ ضَامِرٍ يَأْتِينَ مِنْ كُلِّ فَجٍّ عَمِيقٍ (27)
لِيَشْهَدُوا مَنَافِعَ لَهُمْ وَيَذْكُرُوا اسْمَ اللَّهِ فِي أَيَّامٍ مَعْلُومَاتٍ عَلَى مَا رَزَقَهُمْ مِنْ بَهِيمَةِ الْأَنْعَامِ فَكُلُوا مِنْهَا وَأَطْعِمُوا الْبَائِسَ الْفَقِيرَ (28)
“Dhe thirr ndër njerëz për haxhin, se të vijnë ty këmbësorë e edhe kalorës me deve të rraskapitura që vijnë prej rrugëve të largëta. (vijnë) Për të qenë të pranishëm në dobitë e tyre dhe që ta përmendin Allahun në ato ditë të caktuara (në shenjë falënderimi) dhe për që i ka furnizuar me kafshë. Hani pra, prej tyre (kurbanave) dhe ushqeni të ngushtuarin e të varfërin” (El Haxhxh 27-28).
Kjo thirrje i fton njerëzit të kenë parasysh dobi të caktuara gjatë haxhit e të cilat duhet t’i synojnë, mirëpo Ai nuk i ka përmendur në hollësi ato, por i fton ata që të marrin këtë rrugëtim për t’u bërë përfitues të tyre. Këto dobi e mirësi, haxhitë i fitojnë nëpërmjet kryerjes së haxhit, qofshin ato në jetën e tyre private apo edhe atë shoqërore. Gjatë haxhit përjetohet shpirti i adhurimit e i cili realizohet nga përmendja e Allahut në ditë të caktuara dhe nga falënderimi i Tij për dhuntitë dhe begatitë e dhuruara prej Tij.
Nuk ka ndonjë haxhi që e kryen këtë obligim e të mos ndiejë se ka përfituar dobi dhe fryte të shumta duke kaluar nga një adhurim dhe rit në një tjetër, gjatë kohës së kryerjes së kësaj shtylle të fesë- haxhit. Këto dobi nuk mbesin vetëm në nivelin individual, ato e tejkalojnë këtë nivel dhe arrijnë në nivel shoqëror. Gjithashtu, këto dobi nuk janë të kufizuara vetëm për ata që i përjetojnë ato ditë dhe momente të bukura, por ato përfshijnë të gjithë ata që i përkasin kësaj feje madhështore edhe nëse nuk gjenden në vendet e shenjta.
Disa nga dobitë e haxhit:
- Forcimi i imanit-besimit, gjegjësisht përforcimi i lidhjes me Allahun Fuqiplotë. Që nga fillimi i këtij rituali, kur haxhiu vesh rrobën e bardhë – ihramin, e përforcon në veten e tij lidhjen me Allahun e Madhërishëm. Ai duke kryer ritualet e haxhit, afrohet tek Allahu me vepra të mira dhe e kujton se një ditë do të kthehet tek Ai.
Madje, me qëllim që të çiltërsohet besimi i kulluar dhe të forcohen lidhjet me Allahun e Lartësuar, motoja e haxhit e përsëritur nga haxhitë është: “Lebbejk Allahumme Lebbejk” që do të thotë: “Të përgjigjem, Ty o Zot, të përgjigjem”. - Edukimi i shpirtit dhe fisnikrimi i tij. Shumë njerëz që nuk e kanë përjetuar kënaqësinë e vërtetë shpirtërore në jetën e tyre, ndonëse i kanë respektuar deri diku rregullat e Islamit, kanë ndryshuar shumë pas kryerjes së haxhit në mënyrë pozitive. Haxhi u ka mundësuar atyre të ndryshojnë mënyrën e të menduarit dhe të sjelljës në jetën e tyre, duke i kthyer ata në persona të dobishëm dhe të vyeshëm për Islamin dhe myslimanët në veçanti, por edhe për njerëzit në përgjithësi.
- Haxhi e kalit njëriun me sabër-durim dhe aftëson t’i përballojë vështirësitë dhe sfidat e jetës. Më të vërtetë prania e madhe e njerëzve në haxh, vështirësitë dhe mundimet duke kaluar nga një vend në një tjetër, e gjitha kjo e skalit besimtarin për t’u përballuar me vështirësitë që gjen në jetën e tij të mëpastajme. Gjithashtu, kufizimi apo ndalimi nga shumë veprime, qofshin ato edhe të lejuara në esencë, siç është rasti i ndalimeve gjatë kohës sa është në ihram, e kalit myslimanin dhe e nxit atë për të duruar në rrethana të veçanta që mund të ketë në jetën e tij.
- Njohja e besimtarëve mes vete. S’ka dyshim se njëra nga dobitë më të mëdha që mund të përfitohen në haxh është njohja e besimtarëve mes vete. Edhe pse gjuhët dhe vendet e tyre ndryshojnë, njohja e haxhive-myslimanëve në mes vete është nga shkaqet më të mëdha që ngjall ngrohtësinë e zemrave dhe afrim ndërmjet tyre. Kjo e vërtetë të bën që të kesh ndjenja sa të sinqerta aq edhe mahnitëse kur dëgjon fjalën e Allahut Mëshirëplotë kur thotë:
يَا أَيُّهَا النَّاسُ إِنَّا خَلَقْنَاكُمْ مِنْ ذَكَرٍ وَأُنْثَى وَجَعَلْنَاكُمْ شُعُوبًا وَقَبَائِلَ لِتَعَارَفُوا …(13)
“O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete” (El Huxhuratë 13). - Forcimi i lidhjeve vëllazërore. Kur shohim se të gjithë haxhitë nga e gjithë bota shkojnë tek i njejti vend, në një kohë të caktuar, duke kryer të njejtat adhurime dhe rite, ska dyshim se në zemrat e myslimanëve jetësohet vëllazëria e vërtetë fetare e cila në fakt i ka bashkuar ata. Kjo është lidhja për të ciliën Allahu i Lartësuar ka thënë në Kur’an:
إِنَّمَا الْمُؤْمِنُونَ إِخْوَةٌ … (10)
“S’ka dyshim se besimtarët janë vëllezër” (El Huxhuratë 10).
Gjithashtu, gjatë kryerjes së haxhit, shprehet shumë qartë edhe parimi i barazisë mes njerëzve, të gjithë myslimanët anembanë botës, pa dallim ngjyrën, racën, pozitën as pasurinë e tyre, ndihen të barabartë mes vete. Kjo tregon unitetin e tyre në besim, ndjenja dhe rituale. - Kujtimi i të kaluarës se Islamit dhe përgjegjësia e thirrjes-davetit. Duke i vizituar këto vende të shenjta, haxhitë do t’i shijojnë përvojat e Islamit të hershëm dhe kështu do të mund ta ndiejnë lidhjen e tyre praktike dhe shpirtërore me historinë, e cila u tregon atyre se feja islame të cilën e ndjekin dhe e praktikojnë, e ka një zanafillë shumë të hershme dhe se ata duhet ta pasqyrojnë këtë histori në jetët e tyre nëpërmjet thirrjes dhe përpjekjeve, njësoj siç bënë myslimanët e parë të asaj kohe.
Këto dhe shumë dobi të tjera, që janë të pallogaritshme, e bëjnë besimtarin që të nxitojë në kryerjen e këtij obligimi-haxhit sa më parë që është e mundur.
(Pjesë nga libri “Haxhi dhe umreja” të autorit Fitim Gashi, botuar nga Shtëpia botuese “Dituria Islame” 2017).