Vladimir Putin tregon se me çfarë po synon të dominojë botën

Presidenti rus Vladimir Putin, gjatë një takimi të zhvilluar të premten e kaluar me studentët me rastin e fillimit të vitit shkollor, theksoi drejtpërdrejtë se ai që do të arrijë të jetë lider në sektorin e Inteligjencës Artificiale (IA) do të ketë mundësinë të dominojë botën.

“Inteligjenca Artificiale është e ardhmja, jo vetëm për Rusinë, por për të gjithë qenien njerëzore. Kjo sjell mundësi të mëdha, por edhe kërcënime që janë shumë të vështira të parashikohen. Ai që do të bëhet lider në këtë sektor do të jetë sovrani i botës”, deklaroi Putin.

Por presidenti rus nuk e fsheh që ka rreziqe që lidhen me zhvillimin e IA-së, duke mbajtur gjatë këtij fjalimi një pozicion shumë të ngjashëm me atë të Elon Musk që në korrik, kishte bërë një ftesë për të miratuar një normativë për të vendosur brenda disa rregullave zhvillimin e IA-së.

“Nëse do të ekzistonte një subjekt apo një komb në gjendje të dominonte sektorin e IA-së do të krijohej një monopol shumë i rrezikshëm”, shtoi Putini.

“Nëse ne do të bëhemi lider në këtë sektor do ta ndajmë këtë njohuri me të gjithë botën ashtu si bëjmë me teknologjinë bërthamore”, theksoi presidenti rus.

Megjithatë deklaratat e Putinit duhet të vendosen edhe në kontekstin aktual që Rusia nuk ka arritur të vendoset mes kombeve që mund të konsiderohen aktualisht lider në këtë sektor, si Kina dhe SHBA-ja.

Kina kohët e fundit ka publikuar një plan investimesh që shpreson të arrijë të drejtojë sektorin e Inteligjencës Artificiale deri në vitin 2030.

Në krahun tjetër, SHBA-ja mund të humbasë terren përballë Kinës për shkak të reduktimit të burimeve që i dedikohen kërkimit teknologjik dhe shkencor të vendosur nga Administrata Trump.

Ndërsa një prej liderëve në sektorin e teknologjive të reja, Elon Musk, e ka krahasuar aktivitetin e zhvillimit të Inteligjencës Artificiale me një demon.

Përfitimet që vijnë në shumë fusha, nga sektori industrial deri tek ai shëndetësor, vihen në rrezik nga aplikimi në fushën e armëve autonome, për të cilat Musk bashkë me 100 ekspertë të tjerë të robotikës dhe IA-së i kanë kërkuar OKB-së ta ndalojë këtë zhvillim në fushën e armatimit.