Sipas shifrave të reja të publikuara nga Zyra e Statistikave Kombëtare në Britani, veprat penale të vjedhjes nëpër dyqane në Angli dhe Uells kanë arritur një nivel rekord, me gati gjysmë milion incidente të regjistruara në vitin deri në shtator 2024, transmeton Anadolu.
Gjithsej 492.914 vepra të vjedhjeve në dyqane u regjistruan nga policia gjatë periudhës 12-mujore, duke shënuar një rritje prej 23 për qind, nga 402.220 raste të regjistruara një vit më parë.
Rritja e vjedhjeve në dyqane kontribuoi në një rritje të përgjithshme të krimeve të lidhura me vjedhjet. Policia regjistroi 1,8 milion vepra të vjedhjes, një rritje prej 2 për qind nga viti paraprak.
Nga rastet e vjedhjeve në dyqane të cilave deri më tani u është caktuar një rezultat, vetëm 19 për qind, apo 88.165 raste, rezultuan me akuzë ose marrje në pyetje, që megjithatë është përmirësim nga viti paraprak.
Megjithatë, 57 për qind të rasteve, apo rreth 270 mijë raste, u mbyllën pa asnjë të dyshuar të identifikuar.
Konsorciumi Britanik i Shitjes me Pakicë ka paralajmëruar se vjedhjet në dyqane “po dalin jashtë kontrollit”, teksa shitësit raportojnë mbi dy mijë incidente në ditë.
Shumë punonjës të dyqaneve po përballen me sulme, kërcënime me armë dhe abuzim racial ose seksual. Dëmi financiar në rritje nga vjedhjet ka çuar në thirrje të përsëritura për veprime më të fuqishme nga forcaat e zbatimit të ligjit dhe qeveria.
– Reagimi i qeverisë
Qeveria është zotuar të trajtojë këtë çështje, ndërsa masat e përcaktuara ishin edhe pjesë e fjalimit të Mbretit vitin e kaluar, pas fitores së Laburistëve në zgjedhje.
Një nga propozimet kryesore është që sulmi ndaj punonjësit të dyqanit të bëhet një vepër penale specifike, një synim që është mbështetur nga pronarët e bizneseve dhe deputeti konservator Matt Vickers.
Ministrja e Shtetit për Krimin, Policinë dhe Zjarrfikësit e Mbretërisë së Bashkuar, Dame Diana Johnson, pranoi se shifrat e vjedhjeve në dyqane “mbeten të larta në nivel të papranueshëm”, duke e shtuar se më të ndikuara janë dyqanet në qendrat e qyteteve dhe rrugët kryesore.
Ajo kritikoi perceptimin e vjedhjes në dyqane si një krim “të nivelit të ulët” dhe ripohoi angazhimin e qeverisë për të shtuar numrin e policisë dhe për t’u dhënë oficerëve më shumë kompetenca për t’u përballur me vjedhësit.