Vjedhësi i Ëndrrave

Vehbi Zeqiri

Luftoje ‘HAJNIN’ në mendjen tënde, i cili po i VJEDH ëndrrat dhe QËLLIMET tua jetësore!

Dëgjo…, nëse arrin ta bësh këtë, do të jesh njeriu më me fat se 90% e njerëzve të botës! Ky ‘hajn’, pa dyshim që stopon dhe pengon rritjen dhe zhvillimin tënd në jetë dhe karrierë.

E çfarë të bëjë unë tash, në këtë gjendje???

Fillo duke identifikuar ‘hajnin’ i cili mund të veproj përmes mendimeve negative që ke për vete, dyshimeve, besimeve të limituara, frikës, pasigurisë, e të cilat manifestohen përmes mendimeve dhe sjelljeve të pa kontrolluara.

Kuptoje mirë ndikimin e këtij ‘hajni’, përmes mendimeve negative që ke krijuar për vete, të cilat janë shkatërruese, sepse e rrëmbejnë vetëbesimin, shpresën për të ardhmen, dhe vullnetin për të vepruar, duke vështirësuar marrjen e hapave të domosdoshëm për arritjen e qëllimeve të jetës dhe zhvillimin tënd.

Nëse nuk luftohen këto mendime, me kohë do të bëhen kronike të cilat do të çojnë në zvarritje dhe dembeli, humbje të vetëbesimit dhe shpresës për të ardhmen, dhe fare në fund braktisjen e ëndrrave the qëllimeve jetësore që kishe.

Zgjedhe strategjinë e duhur për luftimin e këtij ‘hajni’ së pari duke u vetëdijesuar përmes praktikave të ndërgjegjësimit, si p.sh. përmes meditimit dhe formave të tjera, të cilat të ndihmojnë të shohësh se nga burojnë këto mendime dhe cilët janë faktorët që i shkaktojnë.

Fillo t’i sfidosh këto mendime negative për vete duke thënë, unë nuk jam personi që ky ‘hajn’ po pretendon se jam, sepse nuk ka asnjë argument për ta dëshmuar këtë. Pas kësaj, ristrukturoj mendimet tua duke i fuqizuar ato dhe duke i bërë më pozitive.

Ndërrimi i mendimeve negative me ato pozitive bëhet përmes shprehjeve:
‘unë jam i aftë dhe në gjendje ta bëjë këtë’,
‘unë e meritoj këtë sukses’,
‘unë jam shumë më i mirë se sa që mendoj’,
‘çdo ditë po përmirësohem’, etj.

Përpos ri-programimit të mendimeve, është tejet e rëndësishme që ta vizualizosh (krijosh në mendjen tënde fotografinë dhe videon e vetes tënde të suksesshëm), që do ta shpejtoj përmbushjen e strategjisë së luftimit të ‘hajnit’, për arritjen e qëllimeve dhe realizimit të ëndrrave jetësore.

Kjo do të mbajë të përqendruar te suksesi dhe do të motivoj mjaftueshëm.

Fillo me hapa të vegjël por të vazhdueshëm drejt qëllimeve tua. Kjo do të ndihmoj shumë në luftimin e mendimeve dhe qasjeve negative që ke tani. Çdo hap është një shkallë më afër vetëbesimit, shpresës për të ardhme, dhe rritjes së vullnetit për angazhim dhe zhvillim.

Luftimi i ‘hajnit’ nuk është aktivitet i kufizuar kohorë, por është angazhim jetësor që kërkon vigjilencë, vazhdueshmëri, këmbëngulje, dhe mirësi ndaj vetes. Pra të jesh i mëshirshëm dhe i drejtë ndaj vetes dhe zhvillimit tënd.

Hape ‘kupolën’ dhe udhëto deri tek yjet.
Kupolat janë vetëm kufizimet që i ke në mendje, dhe asgjë tjetër.

Prandaj, zgjohu…

Vehbi Zeqiri
Mjeshtër i zhvillimit personal, lidershipit, dhe inteligjencës emocionale