Vizita e shefes së Komisionit së BE-së në Poloni shtyhet për shkak të pneumonisë

Vizita në Poloni e planifikuar nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, më 9 janar është shtyrë pas diagnostikimit të saj me një rast të rëndë të pneumonisë, transmeton Anadolu.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Paula Pinho, njoftoi mbi shëndetin e shefes së Komisionit të BE-së gjatë një konference për media në Bruksel, duke konfirmuar se të gjitha angazhimet e jashtme të presidentes janë anuluar deri në mes të janarit për shkak të sëmundjes.

“Nëse gjithçka shkon mirë, ajo do të kthehet nga mesi i janarit”, tha Pinho.

Vizita në Poloni, vend që mori presidencën e radhës së BE-së më 1 janar, do të planifikohet përsëri. Megjithatë, shtoi Pinho, një datë e re nuk është caktuar ende, duke siguruar se Komisioni Evropian do të njoftojë orarin e rishikuar pasi të finalizohet.

Pavarësisht sëmundjes së saj, von der Leyen mbetet në kontakt të përditshëm me ekipet e saj. Së fundmi, ajo zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministren italiane, Giorgia Meloni, përpara vizitës së planifikuar të kryeministres italiane në SHBA.

E pyetur nëse do të emërojë një zëvendësues të përkohshëm gjatë mungesës së von der Leyen, Pinho tha se, “Ne do të shohim nëse ajo do të jetë gjendje të kthehet ose nëse dikush tjetër do ta marrë përsipër, në varësi të gjendjes së saj shëndetësore”.

Shefja e Komisionit të BE-së, sëmundja e së cilës u konfirmoi më 3 janar, ka pastruar kalendarin e saj për gjysmën e parë të muajit janar. Ajo filloi mandatin e saj të dytë si presidente e Komisionit Evropian më 1 dhjetor të vitit 2024, pasi u rizgjodh në zgjedhjet e Parlamentit Evropian qershorin e kaluar.

Tradicionalisht, presidentja e Komisionit Evropian viziton vendin anëtar që mban presidencën e BE-së për t’u takuar me qeverinë e këtij vendi.