Vizita e Lajçakut në Prishtinë dhe Beograd, përpjekje për zhbllokimin e çështjes së Asociacionit

I ngarkuari special i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak filloi një vizitë dyditëshe në Kosovë për të vazhduar më pas edhe në Beograd, në përpjekje për rifillimin e bisedimeve, të cilat u ndërprenë për shkak të mospajtimeve që kishin palët rreth çështjes së Asociacionit të komunave më shumicë serbe në Kosovë.

Lajçak takoi në Prishtinë kryeministrin e Kosovës Avdullah Hoti dhe kryetaren e parlamentit Vjosa Osmani, ndërsa, gjatë ditës së sotme takon edhe presidentin Hashim Thaҫi dhe liderët e partive politike parlamentare.

Lajçak pas takimit me Hotin nuk foli për media, tha se këtë do ta bëjë në fund të vizitës, kurse kryeministri Avdullah Hoti, tha në një konferencë për shtyp se vizita e Lajçakut ka të bëjë me vlerësimin e bisedimeve dhe hapave tjerë për procesin e dialogut.

“Ky nuk është proces i lehtë. Ka tema të vështira, siç është Asociacioni edhe tema tjera, por të gjithave do t’u qasemi bazuar në parimet e qarta që i kemi bërë të ditura para Kuvendit, para qytetarëve edhe të dakorduara në mes të partnerëve të koalicionit. Asociacioni i komunave me shumicë serbe është çështje e mbyllur. Për këtë Kosova ka marrë garanci dhe mbështetje nga partnerët e saj që Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive”, tha kryeministri Hoti, duke shtuar se “Prishtina zyrtare nuk do t’u nënshtrohet presioneve lidhur me Asociacionin”.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe çështje e mbyllur

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani, pas takimit që zhvilloi me Lajçakun. Ajo tha se Asociacioni i Komunave Serbe, duhet të themelohet vetëm sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ndërsa theksoi se ka kërkuar nga Lajçaku që mos të lejojë “bosnjëzimin Kosovës”.

Vjosa Osmani u shpreh se “çfarëdo marrëveshje, e cila nuk është e pranueshme për Kuvendin, do të mbetet e paratifikuar dhe rrjedhimisht e pazbatueshme. Sistemi kushtetues i Kosovës dhe unitariteti i vendit janë të pacenueshëm dhe nuk duhet të jenë pjesë e negociatave”.

BE-ja duhet t`i bëjë presion Serbisë

Osmani kërkoi që “BE-ja duhet t`i bëjë presion Serbisë për t’u zbatuar marrëveshjet e deritashme me Kosovën, sikurse edhe t`i ketë parasysh deklarimet me gjuhën e urrejtjes të një pjese të zyrtarëve shtetërorë të Serbisë”. Vjosa Osmani, thotë se ka kërkuar nga BE-ja që “të dënojë ashpër dhe qartë deklarimet lidhur me fshehjen e varrezave masive në Serbi dhe gjithashtu të kërkojë veprime konkrete nga pala serbe për zbardhjen e fatit të të pagjeturve”.

Paralajmërim nga Lista “Srpska”

Autoritetet në Serbi nga ana e tyre insistojnë që Kosova ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe kjo çështje të shtrohet në tavolinën e bisedave në Bruksel. Përfaqësuesit e listës “Srpska”, që kanë 10 deputet në kuvendin e Kosovës kërcënuan me mundësinë e tërheqjes së përfaqësuesve të komunitetit serb nga institucionet e Kosovës, në rast se nuk zbatohet marrëveshja për Asociacionin e komunave serbe sipas marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2013.

Këtë paralajmërim ata e bënë pas një takimi që zhvilluan në Beograd, me drejtorit të ri të zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq. Ky i fundit tha në Beograd se Bashkimi Evropian duhet të bëjë presion mbi Prishtinën dhe të mundësojë formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Marrëveshje përmes dialogut

“Nuk do të ketë marrëveshje mbi normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën përpara formimit të Asociacionit, dhe as nuk është në rend të ditës dhe as që është diskutuar diku. Serbia nuk do ta njohë Kosovën, dhe në këmbim të marrë një asgjë të madhe. Marrëveshja duhet të burojë nga dialogu”, citojnë mediet në Serbi Petar Petkoviqin.

I ngarkuari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, pas Prishtinës udhëton për në Beograd. Vizita e tij në Kosovë dhe Serbi bëhet një ditë pasi ai raportoi para ministrave të Jashtëm të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. /Dw/