Vizioni i dyfishtë i Kullës Eiffel?

Kur një Kullë e dytë Eiffel u shfaq në parkun Champs de Mars të Parisit në ditën e 1 prillit, dhe imazhi u shpërnda në mediat sociale, shumë menduan se ishte një shaka. Por “Eiffela”, siç u pagëzua kopja prej 32 metrash dhe 23 tonësh, është po aq e vërtetë sa origjinali. Ideja erdhi nga krijuesi i eventeve Philippe Maindron, i cili tha se u desh një vit për të realizuar projektin.

“Unë pata një ëndërr, që Kulla Eiffel të kishte një “fëmijë”.”

“Eiffela” u montua brenda natës dhe u zbulua për publikun, duke qëndruar pikërisht përballë Kullës Eiffel 330 metra të lartë.Një e dhjeta e madhësisë së origjinalit dhe e ndërtuar në shkallë, kopja e hekurit përbëhet nga 3,900 copa të mëdha dhe 9,000 copa metalike më të vogla.

“Vizualisht të gënjen, sepse varet nga cili kënd e shikojmë, kemi përshtypjen se shohim dy kulla Eiffel, ose një kullë Eiffel të vogël dhe një të madhe, kjo është një ide e perspektivës që kemi në hapësirë, në 3D”.

Më shumë se 50 kopje ose derivate të Kullës Eiffel ekzistojnë në mbarë botën, nga Las Vegas në Shenzhen. Pas ekspozitës së saj dy-javore në Paris, ‘Eiffela’ e Maindron do të udhëtojë jashtë Francës, së pari në një udhëtim detar përtej Atlantikut.