Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar 10 arritjet kryesore të vitit që po lëmë pas.
Duke përmendur liberalizimin e vizave, më pas faturimin e energjisë elektrike në veri, investimet në shëndetësi publike dhe rritjen e pensioneve, Kurti gjithashtu ka listuar edhe funksionalizimin e Institutit për Dokumentimin e Krimeve të Luftës si dhe regjistrimin e popullsisë.
Në fund, sukses të këtij viti, kryeministri e cilësoi edhe vendimin për funksionalizimin e Fabrikës së municioneve.
Ky është postimi i plotë i tij:
Këto janë 10 arritjet tona kryesore të përbashkëta për vitin 2024:
Së pari, liberalizimi i vizave nga Bashkimi Evropian, Tajlanda, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Tajvani si dhe njohja e pasaportës së Republikës së Kosovës nga dy shtete mosnjohëse, Spanja dhe Armenia. Viti 2024 ka qenë viti i pasaportës sonë. Ajo sot renditet më lart se kurdoherë në indekset ndërkombëtare të pasaportave dhe sipas Indeksit Henley sivjet është në mesin e top 10 pasaportave të botës që kanë shënuar përmirësimin në të madh në dekadën e fundit.
Këtë vit, filloi regjistrimi dhe inkasimi i energjisë elektrike në katër komunat tona në veri, për herë të parë pas më shumë se dy dekadave. Gjatë këtij viti, gjithashtu ka përfunduar me sukses procesi i konvertimit të patentë shofereve ilegal në ata të Republikës së Kosovës. Janë regjistruar mbi 6300 konvertime, shumica prej tyre nga qytetarët e katër komunave në veri të vendit, duke dëshmuar vullnetin dhe gatishmërinë për integrim, e cila nuk ka munguar asnjëherë nga qytetarët, por është penguar në vazhdimësi nga struktura ilegale dhe Beogradi zyrtar. Shumë prej këtyre strukturave ilegale tashmë janë mbyllur, sepse janë të jashtëligjshme. Atje tani kemi një situatë krejt tjetër.
Pas shkëputjes nga blloku energjetik me Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut dhe bashkimin me bllokun energjetik rregullues me Shqipërinë, inaugurimi i bursës ALPEX është arritja tjetër më e madhe në pavarësimin tonë energjetik si dhe në bashkëpunimin tonë kombëtar. Krahas saj, e kemi përmbyllë me sukses Ankandin e parë diellor në histori të Republikës për kapacitete të reja prej 100MË, të cilin e fitoi konsorciumi nga mërgata jonë në Zvicër “Orllati” dhe këtë muaj kemi hapur ankandin e dytë për energji të ripërtërishme, të parën me energji të erës, me kapacitet gjithashtu 100MË. Sivjet gjithashtu ka hyrë në fuqi Programi Kompakt i Sfidës së Korporatës së Mijëvjeçarit (MCC) që përfshin një investim prej 236.7 milionë dollarësh për energji. Pra, viti 2024 paraqet themelet e forta të sigurisë sonë energjetike dhe të ndërtimit të kapaciteteve të reja që na bëjnë më të fortë përballë krizave të mundshme.
Shëndetësia publike është bërë më e mirë, më e lirë dhe me më shumë shërbime. Klinika e Ortopedisë, Klinika e Onkologjisë, Urologjisë, Gjinekologjisë, Kardiokirurgjisë, Klinika Emergjente, Blloku Operativ në Klinikën Torakale, Blloku Operativ në Neurokirurgji – Kirurgji Vaskulare, Reparti i Pediatrisë në Mitrovicë, Transfuzioni i Gjakut në Gjilan, Klinika e Psikiatrisë së Fëmijëve janë transformuar të gjitha këto rrënjësisht e tërësisht. Me udhëzimin Administrativ “Bashkëpagesat për shërbime shëndetësore” disa prej shërbimeve jetike për qytetarë janë pa pagesë ose me çmime më të përballueshme. Kurse me Ligjin për çmimet e unifikuara të barnave dhe miratimit të listës, duke filluar nga 1 shkurti i vitit 2025, çmimet e barnave do të jenë shumëfish më të ulëta.
Pensionet janë rritur për 20%. Pensionistët e moshës, përfituesit e skemave pensionale invalidore dhe të aftësive të kufizuara tashmë veçse i marrin pensionet e tyre me rritje, kurse nga muaji i ardhshëm fillon ekzekutimi i pensioneve me rritje të kategorive të dala nga lufta. Përveç rritjes së rregullt, të gjithë pensionistët tanë edhe këtë vit, sikurse vitin e kaluar, e për të pestë herë me radhë përgjatë mandatit tonë, këtë muaj do të marrin shtesën e njëhershme prej 100 euro.
I kemi dyfishuar dhe trefishuar shtesat për fëmijë, përkatësisht dyfishim të shtesave për familjet që kanë një ose dy fëmijë, kurse trefishim për familjet që kanë tre ose më shumë fëmijë. Po ashtu sikurse vitin e kaluar u kemi ndarë edhe një mbështetje shtesë për fundvit në vlerë prej 100 euro. Gjithsej për mbi 400 mijë fëmijë të vendit tonë.
Pas 13 vjetëve, kemi pagë të re minimale e cila është më shumë se dyfish më e lartë. Kurse, falë performacës së mirë ekonomike këtë vit, do të kemi përsëri rritje të pagave në sektorin publik. Paga e re Bazë që hyn në fuqi në vitin 2025 do të jetë për 110 euro më shumë. Rritja do të bëhet në dy faza. Faza e parë fillon në janar të vitit të ardhshëm, pra muajin tjetër dhe parasheh një rritje prej 55 euro, kurse faza e dytë hyn në fuqi nga korriku i vitit 2025, për të plotësuar totalin prej 110 euro rritje, apo një njësi më lartë të koeficientit të pagës bazë.
Në emër të drejtësisë, paqes dhe ruajtjes së vërtetës, e kemi funksionalizuar Institutin për Dokumentimin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës i cili brenda këtij viti ka grumbulluar rreth 190 metra gjatësi të materialit fizik arkivor dhe rreth 15 terabajt (TB) material digjital (video, audio, foto), që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, nga 67 burime të ndryshme. E kemi përzgjedhur konceptin fitues dhe e kemi nënshkruar kontratën për hartim të Master Planit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Gjithashtu, kemi marrë edhe vendimin për themelimin e Muzeut të Gjenocidit dhe Përpjekjes për Liri.
Ka përfunduar me sukses procesi i Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave, një ndërmarrje e jashtëzakonshme institucionale dhe tejet e rëndësishme për vendin tonë që u vlerësua me nota të larta nga ekipet mbikëqyrëse të organizatave ndërkombëtare partnere, ekspertët e Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë, UNFPA dhe Komisioni Ekonomik i Kombeve të Bashkuara për Evropë, UNECE.
Krahas rritjes së numrit të ushtarëve, fuqizimit të ushtrisë dhe blerjes së armatimeve të ndryshme, bëmë edhe një hap të madh në vendosjen e themeleve të industrisë sonë të mbrojtjes, duke nënshkruar kontratë me prodhuesin shtetëror turk MKE për funksionalizimin e Fabrikës së Municioneve.