Vizat mund të hiqen në fundvit

Ministri Bekim Çollaku ka thënë për “Zërin” se ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi do t’i hapte rrugë vendimit të Bashkimit Evropian për liberalizmin e vizave. Sipas tij, në skenarin më pozitiv një vendim i tillë mund të merret në fund të këtij viti.

Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, ka thënë se vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovë mund të ndodhë gjatë këtij viti, por ka theksuar nevojën e ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi si kriter i fundit që ka mbetur për t’u përmbushur.

Ai në një intervistë për gazetën “Zëri” ka thënë se pas vendimit të favorshëm të Komitetit për të Drejtat Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme (LIBE) në Parlamentin Evropian, që ndodhi të hënën, Kosova duhet ta ratifikojë Marrëveshjen për Shënjimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi, në mënyrë që t’i hapë rrugë Parlamentit Evropian dhe më pas Këshillit të Bashkimit Evropian për të hequr regjimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Çollaku ka thënë se liderët politikë duhet t’i përfundojnë polemikat dhe nëse me Marrëveshjen për Demarkacionin nuk humbim territor, atëherë, sipas tij, duhet të bëhet sa më parë ratifikimi. Por i pari i Ministrisë së Integrimeve ka thënë se nëse Kosova është e sigurt se po humb territor me këtë marrëveshje, atëherë ajo nuk duhet të ratifikohet edhe nëse Kosova mbetet e izoluar edhe më tej.