Vitia: Nuk kemi akoma asnjë rast me virusin HMPV

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, deklaroi se asnjë rast akoma nuk është regjistruar në Kosovë me virusin HMPV.

Vitia tha se qytetarët nuk duhet të kenë panik, sepse nuk ka arsye.

“Asnjë lloj panik nuk ka nevojë për qytetarët, po të kishte pasur arsyeje për panik ne do kishim dalë me komunikata”, tregoi Vitia në konferencë për media.

Vitia tha se Ministria e Shëndetësisë është në kontakt me OBSh-në.

“Jemi ne kontakt të vazhdueshme me OBSh-në dhe institucionet tjera dhe në momentin e parë që paraqitet diku një rast menjëherë i marrim masat”, tha ministri Vitia.

Metapneumovirusi njerëzor (HMPV) është virus respirator, i cili shkakton simptoma të ngjashme me gripin dhe ftohjen, por ai mund ta rrisë rrezikun apo të shkaktojë më shumë komplikime, si bronkiti apo pneumonia, posaçërisht te të moshuarit dhe fëmijët e vegjël.

Kjo sëmundje është e së njëjtës familje si virusi respirator sincicial (RSV) dhe është shfaqur që nga viti 2001, kur u identifikua për herë të parë në Holandë.

Ky virus përhapet gjatë sezoneve të ftohta.

Simptomat e HMPV-së janë të ngjashme me ato të gripit apo ftohjes.