Vitia: Në rast neglizhence nuk do të mund t’i përballojmë fluksit me COVID-19

Ministria e Shëndetësisë u ka bërë serish thirrje qytetarëve që të vazhdojnë t’iu përmbahen rekomandimeve të dhëna nga institucionet shëndetësore në lidhje me parandalimin e përhapjes me COVID-19 në vend, ku deri më tash janë regjistruar 91 raste, prej tyre një i shëruar dhe një me përfundim fatal.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë Arben Vitia në një video-konferencë për media ka bërë të ditur se deri më tash janë kryer 1037 testime të dyshuara me COVID-19, ku sot ka pasur 36 pacientë prej të cilëve, 31 janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe pesë në gjendje më të rëndë.

“Deri tani sipas të dhënave nga IKSHP, në Kosovë janë kryer 1037 testime të mostrave të dyshuara me COVID prej të cilave 91 raste kanë rezultuar pozitive, një ka vdekur dhe një është shëruar dhe është lëshuar në shtëpi. Sipas Klinikës Infektive, sot aty ka pasur 36 pacientë të hospitalizuar prej të cilëve, 31 janë në gjendje shëndetësore stabile dhe pesë në gjendje më të rëndë me tretman oksigjeno-terapi. Shifrat me COVID-19 ndryshojnë çdo ditë dhe do t’ju informojmë në kohën reale sikur deri më tash. Qeveria e Kosovës ditë më parë ka ndërmarrë masën e kufizimit nga ora 10-16.00 dhe nga 20.00-06.00, por pas analizave të efekteve të kësaj mase dhe kërkesave që të shkohet në masa më efektive, Qeveria ka vendosur që koha e lëvizjes të kufizohet nga ora 17 deri në ora 6 të mëngjesit. Kërkojmë që koha e lejuar për qarkullim të mos kuptohet si një hapësirë për të rrezikuar shëndetin e qytetarëve të Kosovës, por të respektohet lëvizja në rrugë të mos bëhet jo më shumë se dy persona dhe të mbahet në distancë prej dy metra me të tjerët”, tha Vitia.