Viti i ri shkollor, Raka thotë se numri i nxënësve në klasë duhet të jetë i reduktuar

Më 1 shtator në Kosovë, fillon viti i ri shkollor 2020/2021 dhe Qeveria e Kosovës është duke shqyrtuar mundësitë se si të bëjnë hapjen e shkollave në mënyrë të sigurt për shkak të pandemisë së COVID -19.

Për rihapjen e shkollave, Organizata Botërore e Shëndetësisë, rekomandon se çdo vend që vendos të hap shkollat, duhet të zbatojë masat për të parandaluar transmetimin e COVID-19. Shkollat sipas OBSH-se, duhet të zbatojnë verifikimin e gjendjes shëndetësore të nxënësve, mësimdhënësve dhe stafit përcjellës dhe të zbatojnë politikën e ashtuquajtur, “ nëse nuk ndihesh mirë – qëndro në shtëpi”.

Masat tjera të rekomanduara përfshijnë mbajtjen e distancës fizike të fëmijëve në klasa, larjen e shpeshtë ose dezinfektimin e duarve me dezinfektues me përmbajtje të alkoolit, mbajtjen e higjienës, mbajtjen e distancës fizike, rritjen e ventilimit përmes ajrit natyral të hapësirës se shkollave dhe vendosjen e maskave.

Edhe Lul Raka, mikrobiolog në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, thotë se nxënësit duhet të zbatojnë masat e rekomanduara nga OBSH-ja dhe Manualin për parandalimin dhe luftimin e COVID-19, të hartuar nga Qeveria e Kosovës, në të cilën përfshihen këto masa.

Në vitin e ri shkollor, Raka thotë se numri i nxënësve në klasë duhet të jetë i reduktuar.

“Nxënësit duhet të edukohen për higjienën e duarve, higjienën respiratore, si dhe simptomat e COVID-19. Distanca duhet të jetë 1.5 metra në çdo drejtim. Kurse hapësira duhet të jetë një nxënës në një bankë. Numri i nxënësve përcaktohet nga madhësia e klasës. Preferohet mbajtja e maskave edhe pse kjo varet nga mosha. Te cikli i ulët shkollor është më vështirë të zbatohet kjo masë parandaluese”.

Raka shprehet se dezinfektimi i shkollave duhet të bëhet çdo ditë në fund të ditës. Po ashtu, në pauzat ndërmjet orëve duhet të ajrosen klasat.

“ Po ashtu duhet të shmangin grumbullimin në oborr gjatë pauzave. Në oborr mund të ketë aktivitete sportive grupore të klasës, por me kujdes të shtuar. Në hapësirat e mbyllura nuk duhet të ketë aktivitete të tilla”, tha ai, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Gjithashtu Raka thekson se duhet të shmanget pritja e fëmijëve pas përfundimit të mësimit nga gjyshërit, kurse nëse transporti i fëmijëve bëhet më kombi apo autobus, duhet të vendosen maskat.

Mikrobiologu Raka, tregon edhe mundësinë e transmetimit të infeksioneve ndërmjet fëmijëve. Sipas tij, transmetimi i infeksionit në shkolla është i rrallë dhe nuk është shkaku kryesor i infeksionit SARS-CoV-2 tek fëmijët.

“Deri sot, shumë pak shpërthime të vatrave të infektimit me COVID-19 janë identifikuar nëpër shkollat e Evropës, përfshirë Suedinë dhe Islandën, të cilat nuk i kanë mbyllur asnjëherë shkollat fillore. Në Evropë, rihapja e shkollave nuk ka pasur rritje të përhapjes së virusit në komunitet. Të vetmet vatra shpërthimi pas rihapjes janë regjistruar në gjimnaz në Izrael, pjesërisht për shkak të valës së të nxehtit, me ç’rast nxënësit nuk i kanë bartur maskat gjatë tërë kohës”.

Raka rekomandon se nëse kushdo në familje të nxënësve është i sëmurë, të testohen dhe mos t’i dërgojnë fëmijët në shkollë. Nëse vërtetohet sëmundja, atëherë duhet të izolohet familja 14 ditë.

Ndërkaq, në Manualin për parandalimin dhe luftimin e COVID-19, të Qeverisë se Kosovës “thuhet se vendet ku ka grumbullim të popullatës, si p.sh. vendet e votimit, familjet, shkollat, qëndrimet ditore, bizneset, përfshijnë ambiente jo-shëndetësore të cilat vizitohen nga publiku i gjerë. Pastrimi pa përdorim të dezinfektuesve nuk është efikas dhe si i vetëm nuk i eliminon virusët.

Ndryshe në një raport të publikuar të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe Agjencisë për Fëmijë të Kombeve të Bashkuara (UNICEF) , thuhet se 43 për qind e shkollave në mbarë botën nuk kanë qasje në ujë dhe sapun për larjen e duarve.

Raporti thotë se më shumë se një e treta e 818 milionë fëmijëve në mbarë globin, të cilët kishin mungesë të pajisjeve themelore për larjen e duarve në shkollat e tyre, janë në Afrikën sub-Sahariane.

Raporti thotë se autoritetet duhet të balancojnë shqetësimet shëndetësore me ato ekonomike dhe sociale kur marrin vendim për hapjen e shkollave.