Pavarësisht të gjithë këshillave të mjekëve dhe ekspertëve për një dietë sa më të pasur ushqimore, duket se mungesat në vitamina janë ende prezente.
Këtë e pohojnë shumë mjekë të cilët shprehen se pavarësisht larmishmërisë në ushqime, jo gjithnjë njerëzit arrijnë të zgjedhin ato me më shumë vitamina. Veçanërisht disa prej tyre të cilat duhet të konsumohen çdo ditë dhe në mënyrë të vazhdueshme.
Këto vitamina luajnë një rol të rëndësishëm në mbarëvajtjen e të gjithë organizmit dhe trurit. Me shfaqjen e shumë sëmundjeve të reja apo përhapjen e atyre të vjetrave nëpër të gjithë globin, mungesa e tyre pa dyshim që vihet re. Në këtë artikull do të gjeni sasinë e duhur të elementit kyç që ju ndihmon të keni një kujtesë dhe tru më të fortë.
Vitamina që ju duhet për shëndetin e trurit
Quhet kolinë, ose ndryshe B4, dhe që prej vitit 1998 është renditur ndër nutrientët më të rëndësishëm për organizmin e njeriut. Gjendet me shumicë tek vezët, mishi apo bulmeti, por megjithatë duket se shumë njerëz vuajnë nga mungesa e saj. Kjo vitaminë është e rëndësishme për funksionimin e mirë të shumë organeve dhe veçanërisht trurit. Sistemi nervor e përdor këtë vitaminë për të forcuar kujtesën, humorin dhe lëvizjen e mirë të muskujve. Duke e kthyer kështu këtë nutrient ndër më të rëndësishmit për mbajtjen e trurit në formë.
Doza e duhur për çdo organizëm
Megjithëse mëlçia e prodhon vetë një sasi të caktuar të kolinës, pjesa më e madhe e saj duhet të merret nga ushqimet. Për këtë rekomandohet konsumimi i një sasie të caktuar çdo ditë të cilën jua shpjegojmë më poshtë. Mjekët prej 20 vitesh tashmë rekomandojnë një dozë ditore prej 550 miligramësh në për burrat dhe 425 mg për gratë. Kjo dozë rritet për gratë shtatzëna të cilat duhet të marrin rreth 550 mg kolinë në ditë.
Marrja e kolinës nëpërmjet ushqimeve nuk është e vështirë pasi vetëm një vezë përmban 113 mg kolinë në çdo kokërr. Mjekët rekomandojnë të mos konsumoni më shumë se tre vezë në ditë ndaj kolinën mund ta merrni edhe nga ushqime të tjera. Sasi të mëdha të saj gjeni tek mishi apo bulmeti, në këtë mënyrë do të keni një dietë të shëndetshme. Kjo vitaminë funksionon si një kurë parandaluese kundër plakjes së trurit apo sëmundjeve si Alzhaimer dhe Dementia. Nëse merret në dozat e parashikuara nga mjekët kolina do të funksionojë si një mbrojtëse për qelizat dhe neuronet e trurit. Në këtë mënyrë do të keni kujtesë më të fortë dhe tru më të shëndetshëm.