Virusi korona, gjendje e rëndë në Tetovë dhe Gostivar

Qyteti i Gostivarit ia kalon edhe Tetovës me numrin e të shtruarve dhe personave që kanë ndërruar jetë nga koronavirusi.

Në 24 orët e fundit pesë persona kanë ndërruar jetë në infektiven e Gostivarit, ndërsa numri i të shtrirëve në repartin infektiv dhe në spitalin modular ka arritur në pesëdhjetë. Mjeku Lirim Beqiri nga infektivja e Gostivarit thotë se situata është alarmante. Nëse vazhdon kjo situatë edhe për ca ditë, do të rëndohet puna për shkak edhe të mungesës së kuadrit mjekësor.

“Ka pasur tepër raste të reja me kovid. Vetëm ditën e djeshme kanë vdekur pesë persona, në mesin e të cilëve edhe një person më i ri, rreth 42 vjeç, ndërsa të tjerët janë të moshës 70-80. Numri shkon gjithnjë duke u rritur pra është një gjendje alarmante dhe ka dalë jashtë kontrollit dhe shteti duhet të shpall gjendje të jashtëzakonshme sepse është diçka e pa durueshme. Nga stafi mjekësor nuk ka shumë të prekur por problem numër një e kemi mungesën e kuadrit, nga stafi i mesëm e më lartë. Një mjek ja unë dhe dy motra mjekësore jemi për 24 orë, pra është diçka që nuk përshkruhet nuk përballohet”, tha Lirim Beqiri, Reparti Infektiv në Gostivar.

Ndërkohë, në Tetovë, numri i të shtrirëve në spital ka arritur në 48 dhe gjendja e tyre është e rëndë, thotë koordinatori Gzim Nuredini. Në Tetovë janë shtuar edhe kontrollet në ambulanca. Vetëm 24 orët e fundit, numri i kontrolleve ambulatore ka arritur në 172 persona. Mjekët apelojnë për respektimin e masave, distancë dhe mbajtjen e maskave. /alsat