Sulmuesi i krahut, braziliani Vinicius Junior është shpallur futbollisti më i mirë i sezonit 2023/24 në Ligën e Kampionëve nga UEFA.
Futbollisti i Real Madridit të hënën e ka fituar këtë çmim, ndërsa Jude Bellingham është shpallur lojtari më i mirë i ri.
Real Madridi triumfoi në Ligën e Kampionëve pasi e mposhti Borussia Dortmundin 2:0, ndeshje në të cilën Vinicius kontribuoi me një gol.
Në 10 paraqitje në Ligën e Kampionëve, braziliani 23-vjeçar ka shënuar 6 gola dhe ka bërë 5 asistime kurse Reali fitoi trofeun e 15-t të kësaj gare në histori të klubit.
Po ashtu, dy futbollistët e Real Madridit janë përfshirë edhe në ekipin më të mirë të sezonit, pjesë e të cilit janë edhe Antonio Rudiger e Dani Carvajal. Në ekipin më të mirë të sezonit janë edhe Gregory Kobel, Ian Maatsen, Mats Hummels, Marcel Sabitzer, Vitinha, Phil Foden e Harry Kane.