Ballina Autorë Opinione Viktimizimi i viktimës dhe favorizimi i fajtorit

Viktimizimi i viktimës dhe favorizimi i fajtorit

Iljasa Salihu

Në kuptimin gjeostrategjik, Perëndimi mund t’i jep arsye vetes, ngaqë duke e joshur me përkrahje Serbinë, ai mëton ta shkëpusë Serbinë nga Rusia. Por ,Serbia këtë metodë po e kupton dhe këtë favor pastaj po e shfrytëzon, ngaqë është e vetëdijshme se ajo nuk mund të shkëputet prej Rusisë, ashtu siç në këtë periudhë nuk mund të shkëputet tërësisht prej Perëndimit.

Shkruan: Iljasa SALIHU, Shkup

Jo gjithherë dikujt i del keq kur mbështetet në të keqin dhe e mbështet të keqin. Madje, pikërisht kur edhe vetë je i keq, ky lloj i mendësisë përshtatet dhe gëzohet shumë, përmes së cilës mund të përfitojë tepër, varësisht prej rasteve dhe rrethanave. Serbia, duke e pasur në krahë historikisht Rusinë dhe Rusia duke e pasur si vegël Serbinë, kjo e fundit ka përfituar shumë dhe ende po vazhdon të përfitojë, paçka se keqbërjet e saj ndaj popujve të ndryshëm kanë qenë të llahtarshme. Truri ka qenë Rusia, kurse turri Serbia! Me theks të veçantë, Serbia mori zemër në vitin 1878, në kohën kur Rusia, e nxitur nga Serbia dhe Mali i Zi po epërsonin në beteja ndaj forcave osmane. Pastaj, ishte po ajo Serbi që nxiti Luftën e Parë Botërore, luftë që njëmend çakërdisi tërë botën. Në vend se të ndëshkohej kjo keqbërëse e ledhatuar nga Rusia, ajo si trofe mori sundimin e tërë tokave të ish Jugosllavisë dhe, si rrjedhojë e atij shpërblimi, ajo vazhdoi t’i shkaktojë dëme dhe plojë të hatashme popujve joserbë, veçanërisht boshnjakëve dhe shqiptarëve. Ajo nuk u ndal së derdhuri gjakun edhe në fund të shekullit XX. Nuk u mbush me mend edhe pas periudhës së shkurtër të bombardimeve të NATO-s.

Pa dyshim, ata që sot udhëheqin me Serbinë, ishin pikërisht ata që dje ishin pjesë e aparatit shtetërore që masakronte popuj të pafajshëm. Ata dje i kishin duart me gjak, kurse sot ato duar i kanë pastruar, por jo edhe ndërgjegjet e tyre, kuptohet nëse vërtetohet se kanë pasur ndonjëherë ndërgjegje! Mirëpo, pikërisht këtë gjë nuk po e shohin ata që kur duan të shohin diçka, shohin edhe më mirë se mikroskopi. Nuk duan ta kuptojnë se një shtet me një histori mbi 100-vjeçare të krimit e terrorit, po ashtu me krerë që ende e kanë të njëjtën mendësi, por tani paksa të kamufluar, nuk përmirësohet as me ledhatime, ngaqë kjo u dëshmua pas Luftës së Parë Botërore, as me embargo, ngaqë kjo u pa në kohën e regjimit të Millosheviqit, as me sanksionime të shkurtra, ngaqë kjo u provua me rastin e luftës në Bosnje dhe luftës në Kosovë.

Madje, së fundmi, prej helikopterit shihet e dëshmohet se në cilën anë natyrshëm është Serbia, mes tjerash duke mos e përshtatur politikën e jashtme të saj me atë të BE-së për sanksione ndaj Rusisë. Po ashtu, vetë zyrtarët ukrainas shprehen të shqetësuar për mungesën e një vizioni të përbashkët për luftën e Rusisë kundër Ukrainës, pasi pala serbe vazhdimisht ka theksuar se mbron interesat kombëtare në marrëdhëniet me Rusinë dhe nuk i është bashkuar vendosjes së sanksioneve. Mirëpo, Perëndimi sërish vazhdon të jetë i butë ndaj kësaj egërsie të papërmirësueshme dhe ndonjëherë i ashpër ndaj Kosovës, thuajse intervenimi i saj të jetë zhvilluar si rrjedhojë e krimeve të Kosovës ndaj Serbisë. Prekazi, Reçaku e shumë fshatra dhe qytete të Kosovës nuk janë të Serbisë, por Serbia shkaktoi krime të tmerrshme në këto fshatra dhe qytete. Ndërsa, në vazhdën e kësaj padrejtësie, në vend se të përgjigjen në Tribunalin e Hagës ministrat e Millosheviqit, atje po mbahen si pengje viktimat e atij regjimi, por që kishin guxuar t’i kundërviheshin dhunës së regjimit dhe pushtimit me një kryengritje të suksesshme, kryengritje kjo që pastaj u ndihmua edhe nga vetë ata që sot janë duke i habitur të gjithë me qëndrimet e tyre kundërthënëse.

Në anën tjetër, Kosova, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë të jashtëm, ka treguar parimësi dhe vendosmëri të prerë perëndimore. Kurrë nuk ka pushtuar ndonjë shtet tjetër, kurrë nuk ka shkaktuar gjakderdhje e tollovi në dëm të tjetrit. Kurrë nuk ka përkrahur terror e organizata terroriste. Ajo ka qenë viktimë e dëshmuar dhe, si rrjedhojë e këtij fakti, ajo ka qenë e ndihmuar prej Perëndimit. Mirëpo, tani është e habitshme se si prej ndërmjetësve ndërkombëtarë Kosova dhe Serbia jo që po trajtohen si të barabarta të paktën, por Serbia favorizohet, ani pse merr donacione dhe blen armatim nga Rusia, ani pse në këtë çmendinën e fundit ajo haptas është në krah të agresorit rus, që e tolloviti politikisht dhe ekonomikisht tërë botën, ani pse në territorin e saj ka baza ruse, që nuk janë vendosur për të trembur pula, por për t’i trembur shqiptarët dhe për t’u rezistuar forcave të Perëndimit kurdo që të jetë nevoja. Në kuptimin gjeostrategjik, Perëndimi mund t’i jep arsye vetes, ngaqë duke e joshur me përkrahje Serbinë, ai mëton ta shkëpusë nga Rusia, por Serbia këtë metodë po e kupton dhe këtë favor pastaj po e shfrytëzon, ngaqë është e vetëdijshme se ajo nuk mund të shkëputet prej Rusisë, ashtu siç në këtë periudhë nuk mund të shkëputet tërësisht prej Perëndimit.

Nën tingujt zhurmues të kësaj atmosfere të zymtë, meqë faktet po tregojnë se sa më shumë të jesh i lidhur me të keqin, aq më mirë për të keqin dhe për atë që është lidhur me të, ngaqë turravrap të ofrohen edhe të mirët, paradoksalisht në emër të shkëputjes nga i keqi, atëherë për ta ngritur çmimin në tregun ku në vend të domateve shiten dallaveret, nga mesi ynë mund të del ndonjë forcë antiperëndimore e proruse, që pastaj të mund të përfitojë prej ofrimit të shkëputjes nga një orientim i tillë i gabuar, rregullimi i të cilit mund të na kushtojë shumë shtrenjtë si shtet dhe si shoqëri.

Megjithatë, shpresojmë që mos të kemi kësi lloj eksperimentesh, por më fuqishëm se kjo shpresojmë që mendësia e viktimizimit të viktimës dhe favorizimi i fajtorit të mos përkrahet dhe kësisoj kjo shëmti të mos shihet në trojet ku jetojmë, ngaqë reaksionet pas këtij paradoksi mund të jenë edhe më paradoksale. /revistashenja

Exit mobile version