Viktimat civile në harresë të kujtesës kolektive

Shumë emra të heronjve rrinë varur nëpër tabelat e emërtimeve të rrugëve, shesheve e parqeve të Kosovës, ndërsa imazhet e tyre qëndrojnë në statuja, përmendore e komplekse memoriale të ngritura pas luftës.

Të njëjtin fat nuk e kanë pasur dhe vazhdojnë të mos e kenë viktimat civile të vrara gjatë luftës së fundit në Kosovë, qofshin ato gra, fëmijë apo burra.

Për ta patur një vend në emërtimin e rrugëve të Kosovës apo në memoriale, këto viktima do të duhej të ishin pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të dyja palët kanë vdekur në emër të luftës, por në pozita të ndryshme.

Që nëpër sheshet e qyteteve dhe në objektet e kujtesës kolektive nuk ka vend sa duhet për viktimat e thotë edhe Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

Ai vlerëson se në vendet publike në Kosovë, viktimat civile nuk kanë hapësirë të mjaftueshme, pasi shumica e shesheve në vend janë të emërtuara me emra heronjsh dhe më pak me emra civilësh të vrarë.

Blakaj thekson se aty-këtu ka ndonjë rrugë që mban emrin e civilëve të vrarë, megjithatë pjesa mbizotëruese e rrugëve të Kosovës kanë marrë emrat e pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Shumë memoriale janë ngritur me nisma private, ose me buxhet të familjeve, që u dedikohet viktimave civile. Një pjesë e viktimave nuk kanë pasur as përkrahje nga Qeveria”, u shpreh Blakaj.

Gjithsej 8,867 është shifra e viktimave civile në luftën e fundit në Kosovë, kurse 2,961 prej tyre janë dëshmorë, thotë Blakaj.

Ndërsa sipas të dhënave historike nga lufta e Kosovës janë gjithsej 13,535 viktima nga i gjithë vendi. Kjo e dhënë del nga Libri ‘Kujtimi i Kosovës’, që mund të gjendet në faqen zyrtare të Fondit për të Drejtën Humanitare, organizatë që merret me viktimat e luftës në rajon.

Bedri Bazaj ishte njëri prej ushtarëve në rajonin e Drenasit që u vra në kohën e luftës. Ai u vra nga forcat serbe së bashku me tre ushtarë të tjerë në fshatin Tërstenik të Drenasit, në mbrëmjen e 6 qershorit 1999, teksa kishte dalë në rrugë për të marrë ushqim diku për familjen.

Emri i Bedriut tashmë është i gdhendur edhe në pllakën përkujtimore të të vrarëve gjatë luftës në Drenas.

Vëllai i Bedriut, Naim Bazaj, që në atë kohë ishte komandant i kompanisë së 2-të të Batalionit, Brigada 113 – Zona e Drenasit, thotë se emri i vëllait të tij është i shkruar edhe në pllakën e të gjithë dëshmorëve të Kosovës, që gjendet në Marinë. Ndërkohë, rruga e vetme që mban emrin e tij është vetëm rruga në lagjen Bazaj të Tërstenikut.

Në rajonin e Drenasit, në luftën e vitit ’98-’99, ranë dëshmorë 188 persona, pjesë e UÇK-së, si dhe 701 martirë nga popullata e asaj zone.

Shaban Shabani është njëri prej viktimave civile në po të njëjtin fshat, Tërstenik. Ai u vra më 6 qershor 1999, pasi u zu në pritë nga forcat serbe në shtëpinë e tij. Shabani ishte edhe kushëriri i Naimit. Ata jetonin bashkë në të njëjtin fshat.

Emri i Shabanit, sipas Naimit, është shkruar vetëm në rrugën ku ka gjetur vdekjen, para shtëpisë së tij, por jo edhe në ndonjë pllakatë përkujtimore apo rrugë më të rëndësishme qyteti.

“Shabani ka desht me hy në shtëpinë e vet dhe ka ra në pritë. Emrin e ka në rrugën ku edhe u vra”, shton tutje ai.

Emrat e civilëve të vrarë kryesisht janë vendosur vetëm nëpër rrugë, edhe pse me kërkesën e Kuvendit prioritet për emërtime kanë pasur gjithmonë ushtarët e UÇK-së, e pastaj viktimat civile.

“Martirët janë vendosë nëpër rrugë”, thotë Naim Bazaj.

Në mesin e civilëve të vrarë është edhe 12 vjeçari, Sokol Bazaj, i cili u vra në mesditën e 15 majit, teksa po kalonte nëpër lagje së bashku me nënën e tij, dorë për dore. Sokoli ishte vetëm një fëmijë i pafajshëm që vijonte mësimet e klasës së gjashtë. Ai atë ditë u qëllua në fyt nga forcat paramilitare serbe në krahët e së ëmës. Ai u varros të nesërmen.

E pafajësia e Sokolit nuk ka gjetur asnjë vend për t’u gdhendur në ndonjë memorial të viktimave civile, e as në ndonjë rrugë qyteti.

Mirëpo me nismën e familjes, më në fund emri i Sokolit të vogël u shkruajt të paktën në lagjen ku edhe ishte qëlluar.

“Sokoli ka qenë me nënën e tij përdore, duke e kalu lagjen. Policia serbe e kanë vrarë në fyt, me 15 maj në orën 12:00.Të nesërmen e kanë varrosë”, vazhdon tutje Naimi, duke treguar kështu historitë e bashkëfshatarëve të tij.

Mirëpo, ka edhe raste kur as heronjtë e Kosovës nuk gjejnë vend nëpër rrugë e hapësira publike.

I tillë është rasti me ushtarin e UÇK-së, Mujë Tafilajn nga fshati Shtaricë i Klinës. Ai u vra në vitin 1999 dhe emri i tij është gdhendur në pllakën përkujtimore në varrezat e dëshmorëve në fshatin Aqarevë të Skenderajt.

Familja Tafilaj theksoi se emri i tij nuk gjendet askund tjetër, në asnjë rrugë apo park në vend, edhe pse Presidenti i Kosovës e ka shpallur Hero të Kosovës.

“Ka qenë ushtar i UÇK-së, pllakën përkujtimore e ka në Aqarevë në varrezat e dëshmorëve, por emër të tij s’ka asnjë rrugë apo park”, tha njëri prej anëtarëve të familjes Tafilaj.

Rruga të cilën Ganimete Tafilaj Beqiri e mori një ditë pranvere të vitit 1999 në kërkim të një strehe më të sigurt drejt Shqipërisë ishte e fundit e jetës së saj.

Ajo mbeti e vrarë kur forcat serbe sulmuan me armë traktorin me të cilin ajo dhe familja e saj po udhëtonin. Familjarë të tjerë të burrit të saj mbetën të plagosur nga ky sulm.

Motra e Ganimetes, tregon se emri i saj është i gdhendur në pllakën e njëjtë përkujtimore ku është edhe emri i Mujës, në Aqarevë të Skenderajt.

Kujtesa për të nuk është përjetësuar në ndonjë rrugë në lagjen apo fshatin e saj.

Ganimetja ishte vetëm 21 vjeç kur u vra.

“Emrin bashkë me Mujën e ka në pllakën përkujtimore në Aqarevë, edhe komuna ia kanë qitë emrin, amo me naj rrugë tjetër s’e ka emrin”, tregoi tutje motra e Ganimetes. /Blendrita Avdiu/

Ky shkrim është produkt i trajnimit online për raportim gazetaresk në fushën e Ballafaqimit me të Kaluarën (BmK) /Gazetaria e sensibilizuar për konflikte, implementuar nga forumZFD-Programi në Kosovë. Pikëpamjet e shprehura në këtë shkrim janë përgjegjësi e autorit dhe ato në asnjë mënyrë nuk pasqyrojnë pikëpamjet e forumZFD.