Miopizmi politik për një betejë të fituar më shumë politike si pjesë e VMRO-së, mbase mund ta shpie atë në disa suksese të hëpërhëshme por në planin afatgjatë autodisfatizmi mund të jetë identiteti thelbësor politik i tyre. Në këtë sens “vijat e kuqe” të interesit shtetëror dhe kombëtar shqiptar do të jenë mundësia e luftimit të oligarkive biznesore dhe politike
Nga Latif MUSTAFA
Ditë e diel. Turma të mbledhura njerëzish valëvitnin flamujt kombëtar shqiptar të lidhur me flamurin e republikës së Maqedonisë Veriore para selisë partiake të VMRO-së. Diçka e pa parë deri më tani. Kjo skenë të ringjallte pamjet e pranverës së vitit 2016 kur grupe të shoqërisë civile të mbështetur nga LSDM-ja organizuan të ashtuquajturin “Revolucioni i larëm”, ku ngjashëm si në mbrëmjen e 31 dhjetorit 2021, u bashkuan flamujt shqiptar dhe ai maqedonas për të rrëzuar nga pushteti Nikolla Gruvskin dhe VMRO-në. Ndërrojnë kohërat. Lideri i VMRO-së, pasardhësi i Nikolla Gruevskit, shquhet për qëndrimet e tij të moderuara, megjithatë, kjo frymë a është një lloj reflektimi i përgjithshëm progresiv apo një kuazi-multietnicizëm konjuntural, mbetet të shihet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Normalisht, nëse ato do të organizohen.
Megjithatë, përkundër shquarjes për qëndrime e modelime sidomos rreth gatishmërisë së tij për të bërë koalicion me opozitën shqiptare, në fjalimin e mbajtur në raundin e parë, ai nuk mundi të mos e përmend se fituesit e këtyre zgjedhjeve ishin ato që duan ta ruajnë emrin Maqedoni, kjo fitore i takonte popullit dhe atyre që qëndruan karshi pushtetit të instrumentalizuar dhe policor. Në paraqitjen e tij, në raundin e dytë, ku u konfirmua bindshëm fitorja e tij, ai nuk e la pa potencuar se ka vetëm një popull maqedonas dhe një Maqedoni. Diskursi që ndërton dhe dekonstruktimi i këtij diskursi flet shumë për bindjet e tij politike, ndërvetëdijen dhe projeksionet që ai sheh për të ardhmen e shtetit dhe shoqërisë. Psikanaliza na ngujon veç në paragjykimet tona dhe duhet pritur në analizimin e veprimeve të ardhshme konkrete. Ai, falënderoi partitë shqiptare për mbështetjen, por edhe Levicën, parti kjo e cila shquhet për diskursin e saj me tone albanofobe. Ai ftoi në luftën ndaj korrupsionit si parakusht për integrim në BE. Ai ftoi në një patriotizëm të ri. Mickoski, po ashtu përmendi faktin se ishte VMRO-ja ajo që kishte vendosur për fitoren e shqiptarëve në Gostivar dhe Dibër, gjegjësisht, për fitoren e Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës. Ai kërkoi një legjitimet të ri parlamentar dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare me ç’rast kërkoi edhe dorëheqjen e kryeministrit Zaev.
Nuk vonoi shumë, ashtu siç kishte premtuar, kryeministri i shtetit Zoran Zaev përmes pres konferencës së tij rreth zgjedhjeve lokale ofroi dorëheqjen nga kryetari i partisë dhe kryeministrit të shtetit, gjegjësisht, i bie të ketë dhënë dorëheqje i gjithë kabineti qeveritar. Është paradoksale që për shkak të rezultatit të dobët të zgjedhjeve lokale të jap dorëheqje një kryeministër që ka ardhur në pushtet në saje të marrëveshjeje parlamentare e dalë nga zgjedhjet parlamentare. Megjithatë me të drejtë e konceptuar, meqë demokracia buron nga poshtë, kjo normalisht që reflekton edhe zgjedhjet parlamentare. Duke e dhënë shembullin e një politikani bashkëkohor ai, thjeshtë, iu bind rezultateve për t’i liruar vendin një udhëheqësi të ri në parti, një lideri të ri për t’u futur në një garë të re politike, por kursi euroatlantik të mos ndryshonte. Ai do të shquhet për guximin e tij në lidhje me “Marrëveshjen e Prespës, e cila nën i ndërroi emrin vendit me ç’rast dekonstrukroi emrin e një shteti që lidhej me emrin e një etnie. Por nuk ishte kjo që rrëzoi atë. Gjyqësori i premtuar, dështimi fatal i prokurorisë speciale, bisedimet me Bullgarinë dhe më së shumti mosmarrëveshjet e tij me grupet e interesit brenda partisë i shkaktuan disfatën finale. Ai këtë e përmendi edhe gjatë prononcimit të tij. Sipas tij, duke u përdorur kanale të biznesit, janë derdhur para nga jashtë e nga brenda për ta rrëzuar atë. Gishtin e fajësimit vendosi drejt oligarkëve të rinj e të vjetër. Zaevi, me një fjalë, shpalli pafuqinë e tij ndaj oligarkisë dhe e promovoi si realitet të fuqishëm politik.
Oligarkia ditë e më tepër po i shpien vendet e Ballkanit në një fazë tjetër, duke e tejkaluar befshëm demokracinë si mekanizëm të legjitimitetit të deleguar politik në fazën ku, oligarkët biznesor vendosin për mekanizmat e pushtetit paçka se në numër janë shumë të pakët, por me fuqi ndikimi shumë të madh përmes biznesit në medie dhe politikë. Shtetet Ballkanike ku bën pjesë edhe Maqedonia e Veriut karakterizohen nga një trekëndësh të fuqishëm pushteti politik: media-biznes-politikë, trekëndësh ky i cili zakonisht është i ndikuar nga oligarkia biznesore e cila nuk njeh përkatësi kombëtare etnike apo partiake. Gjersa diskursi nacionalist në Maqedoninë e Veriut, kryesisht në kampin shqiptar, ka pushuar të jetë si parim i mobilitetit social dhe aktivizmit politik, lufta ndaj oligarkisë mund të zhvillohet vetëm përmes një diskursi të majtë ku qëndrimi paradigmatik ndaj oligarkisë mund të shpie edhe në ngjalljen e një diskursi tjetër të majtë nacionalist. Fatkeqësisht, tabani për një diskurs të tillë dhe qëndrime të tilla teorike është i paqenë brenda shoqërisë shqiptare, kurse në taborin maqedonas fitorja e VMRO-së, e një partie e cila synon ta sendërtoj popullin para shtetit dhe shtetin e sheh si produkt të popullit përkundër LSDM-së e cila qytetarin e shihte si produkt politik të shtetit, jep sinjale se është e përgatitur për iniciativa dhe valë të reja.
Në kampin shqiptar edhe pse loja duket më e thjeshtë dhe ka të bëjë me kanalizimet, mbeturat dhe menaxhimin dhe përmirësimin e infrastrukturës urbane, gjëra që padyshim janë shumë me rëndësi, spektri politik shqiptar mbetet fragmentarizuar në konceptimin e kësaj loje më të madhe gjeopolitike. Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet partia më e madhe shqiptare e cila ka një kapital të madh votash kurse opozita shqiptare mbete e fragmentarizuar dhe e paqartë në hapat e saj politik. BDI kësaj radhe humbi komunën e Tetovës, përfundimisht, pas shumë skandaleve që ndodhën gjatë periudhës së udhëheqjes së zonjës Teuta Arifit. Janë disa mësime që duhet t’i marrë partia në pushtet. E para, pesha dhe rëndësia e institucionit dhe pozitës zyrtare është hijerëndë dhe relevante dhe përfaqësimi në këto pozita kërkon seriozitetin e kandidatit reprezentativ. Qytetarëve, simpatizantëve dhe militantëve nuk u këndohet në tubime elektorale por në to, shprehet dhe manifestohet vizioni i vazhdimësisë politike e që në vete do të ngërthente ëndrrën e parealizuar qytetare. Institucioni me peshë, kërkon kuadër serioz. E dyta, nënçmimi i elektoratit është gabimi më i rëndë dhe me pasoja të mëdha politike. Ngjashëm edhe me kandidimin e figurave të djegura dhe pa asnjë vizion politik, thjesht të shtyer nga ndjenja e revanshit apo ajo e domosdoshmërisë në të qenit në pozicion kryetareje. E treta, reformimi i partisë në nivele të ndryshme është i pashmangshëm. Erërat e reja do të thyejnë të gjitha “magjitë” e pr-ve të vjetra. Si parti e tretë, pozicion të cilin ia rrezikon Levica maqedonase, ajo duhet të gjejë kurajën dhe urtësinë që t’i ofrojë partitë më të vogla shqiptare rreth përbashkimit ndaj erërave të reja politike.
Opozita shqiptare e udhëhequr nga Zijadin Sela dhe Aleanca për Shqiptarët, e cila vjen me rezultate të dobëta lokale, do të duhej që të gjenin fuqinë për ribashkimin e opozitës shqiptare dhe të koordinohem me partinë më të madhe BDI-në qoftë përmes “tryezës shqiptare” qoftë përmes ndonjë mekanizmi tjetër politik. Testi i tyre i parë është vazhdimësia e koalicionit me VMRO-në dhe koalicioni parazgjedhor në rast të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare karshi ndonjë oferte për përfshirje qeverinë e re e cila vjen si pasojë e dorëheqjes së Zaevit. Miopizmi politik për një betejë të fituar më shumë politike si pjesë e VMRO-së, mbase mund ta shpie atë në disa suksese të hëpërhëshme por në planin afatgjatë autodisfatizmi mund të jetë identiteti thelbësor politik i tyre. Në këtë sens “vijat e kuqe” të interesit shtetëror dhe kombëtar shqiptar do të jenë mundësia e luftimit të oligarkive biznesore dhe politike. /koha.mk