Viets: Gjemania mbështet fuqishëm rrugën e Kosovës drejt BE-së

Në fjalimin që ambasadorja gjermane në Kosovë Angalekia Viets ka mbajtur mbrëmë në pritjen e organizuar për njëzet e gjashtë vjetorin e ribashkim të Gjermanisë, ajo ka konfirmuar edhe një herë mbështetjen e Gjermanisë për integrimin evropian të Kosovës.

Viets, ndërkaq, ka bërë apel për një dialog konstruktiv mes pozitës dhe opozitës, kurse ka përsëritur qëndrimin e Berlinit zyrtar se dhuna dhe gazi lotsjellës nuk janë rruga e duhur për veprime politike. Viets u ka bërë thirrje institucioneve që ta luftojnë më shumë kundër korrupsionit dhe ta forcojnë sundimin e ligjit. Vetëm kështu u hapet mundësia investimeve gjermane dhe të huaja në Kosovë, ka thënë ajo.

Mes tjerash ambasadorja gjermane në Kosovë Angalekia Viets ka theksuar se Gjermania ka qenë thellësisht e përkushtuar për projektin evropian dhe se “pa mbështetjen e partnerëve evropianë, Gjermania e tanishme, e bashkuar nuk do të kishte qenë e imagjinueshme.”

Duke përmendur sfidat me të cilat sot po ballafaqohet Gjermania ajo ka veçuar valën e paparë e refugjatëve dhe migrantëve si dhe rrezikun që vjen nga mundësia e sulmeve terroriste që goditën disa qytete evropiane, teksa ka nënvizuar se “Evropa duhet të jetë e bashkuar, në mënyrë për t’i tejkaluar sfidat e sotme dhe që zëri i saj të dëgjohet. “

“Gjermania mbetet e përkushtuar për projektin evropian, si dhe për procesin e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Republikën e Kosovës” ka nënvizuar” ambasadorja Viets.

Hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ka shënuar një hap të madh përpara për Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së, tha Viets, ndërsa ka shtuar se ajo është e bindur që Kosova do të mbetet e përkushtuar për këtë proces.

“Mund t’ju siguroj se Gjermania do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në këtë rrugë” tha ambasadorja gjermane Angelika Viets. Ajo, ndërkaq theksoi se është e brengosur për bllokadën politike në Kuvendin e Kosovës që ndodhi pjesën më të madhe të kohës vitin e kaluar:

“Gazi lotsjellës dhe dhuna nuk kanë vend në demokraci e aq më pak në parlament… Inkurajoj të gjithë akterët politikë të qeverisë dhe opozitës për të punuar drejt krijimit të një kulture politike për dialog konstruktiv për të çuar vendin tuaj përpara dhe për të mirëpritur iniciativa të reja.”

Viets më tej ka nënvizuar se muajt e kaluar janë shënuar një sërë suksesesh të investimeve gjermane në Kosovë, të cilat e kanë fuqizuar potencialin ekonomik të këtij vendi.

Por, ajo ka bërë apel tek autoriteteve qeveritare në Kosovë për të “zvogëluar pengesat byrokratike dhe që të forcojnë luftimin e korrupcionit dhe fuqizojnë sundimin e ligjit, në mënyrë që të rriten investimet”.

“Shpresoj që qeveria do të vazhdojë të përmirësojë kushtet për investime, në mënyrë për të nxitur zhvillimin ekonomik të Kosovës” ka deklaruar ambasadorja gjermane Angelika Viets.