Kthimi në Itali pas suksesit dhe ëndrrës së jetuar në Lojërat Olimpike të Tokios është kthyer në një makth për sportistin italian, Lorenzo Zazzeri.
Fituesi i medaljes së argjendtë në kategorinë 4×100 në stilin e lirë është përballur me një befasi të madhe në Firence. Çanta ku ndodhej edhe medalja e argjendtë e fituar në Japoni u vodh. Keqbërësi fillimisht theu xhamin e makinës së tij për të marrë më pas çantën, ku sipas italianit gjendej edhe medalja.
“Çanta e Olimpiadës u vodh. Shpresoj që të ketë njerëz të mirë. Të ruajë të mirat materiale dhe të më kthej kujtimet”, shkruan sportisti në rrjetin social Instagram.
Një akt vërtetë i turpshëm ky nga ana e hajdutit, teksa mbetet të shihet se si do të reagojë pas këtij denoncimi dhe a do arrijë Zazzeri ta ketë sërish medaljen e tij olimpike. /klan